Kërko

1559465557124.jpg

Papa lumnon 7 ipeshkvij martirë: dashuria fiton mbi shtypjen dhe ideologjitë

Liturgjia Hyjnore me lumnimet e 7 ipeshkvijve martirë greko-katolikë, në qendër të ditës së tretë dhe të fundit të Papës Françesku në Rumani. E fuqishme, ftesa e Papës për të qenë, si këta të Lumë, dëshmitarë të lirisë dhe të mëshirës.

R.SH. - Vatikan

Në Fushën e Lirisë, në Blaj, vendi ku u afirmua vetëdija kombëtare rumune e ku, pas një shekulli, në vitin 1948, regjimi komunist u kërkoi greko-katolikëve të shkëputeshin nga Selia e Shenjtë, duke filluar një persekutim të ashpër, sot Pasardhësi i Pjetrit, gjatë Liturgjisë Hyjnore, shpalli të Lum 7 ipeshkvij martirë greko-katolikë të asaj kohe, të cilët nuk u dorëzuan dhe pikërisht për këtë, u burgosën, u lanë në të ftohtë dhe u privuan nga çdo gjë, deri në flijimin e jetës. E pikërisht për këtë, edhe përqafimi i Papës me rreth 80 mijë besimtarët e pranishëm sot paradite në Blaj, ishte tejet mallëngjyes e rrezatonte një forcë të jashtëzakonshme. Në mesin e shtegtarëve, disa të afërm të 7 ipeshkvijve martirë, si edhe dëshmitarë e bij dëshmitarësh të persekutimit komunist. E pritën gjithë natën Papën, i cili shkoi për herë të parë në Blaj. Ndër të pranishmit, presidenti Klaus Iohannis dhe bashkëshortja e tij, kryeministrja Viorica Dancila, kryebashkiaku i Blaj-it e princesha Margarita e Rumanisë.

Papa i përmend një për një 7 ipeshkvijtë martirë. Janë: imzot Vasile Aftenie, imzot Valeriu Traian Frenţiu, imzot Ioan Suciu, imzot Tit Liviu Chinezu, imzot Ioan Bălan, imzot Alexandru Rusu dhe kardinali Iuliu Hossu. Emocioni i të pranishmëve ishte i dukshëm. Në vend të sixhadeve, të shtatë martirët u paraqitën në një fugure të vetme, e cila u vendos mbi altar, ndërsa kambanat e kishave binin për festë në këtë ditë historike.

Troje, që e njohin vuajtjen

7 të Lumët e rinj nuk ishin të vetmit, që u persekutuan gjatë komunizmit. Në atë kohë, kur jeta e bashkësisë katolike u vu në provë nga “regjimi diktatorial dhe ateist”, të gjithë ipeshkvijtë e Kishës greko-katolike dhe të Kishës katolike të ritit latin u burgosën në masë. E bashkë me ta, edhe shumë besimtarë, kujtoi Papa. Pra, janë “troje”, që e njohin mirë vuajtjen, si në çdo vend (përfshirë Shqipërinë), ku pesha e regjimit është më e madhe se jeta dhe feja e njerëzve, ku nuk i lihet asnjë hapësirë lirisë. “Ju – u tha Papa të pranishmëve – keni vuajtur”, për shkak të diskreditimit, që shkoi deri në asgjësimin e atyre, të cilët nuk mund ta mbronin veten dhe, deri në heshtimin e zërave disidentë. Por, përballë shtypjes së egër të regjimit, 7 ipeshkvijtë dëshmuan, në mënyrë shembullore, fenë dhe dashurinë e krishterë.

Trashëgimia e martirëve: liria dhe mëshira

Në këtë liturgji të veçantë, persekutimi kujtohej edhe nga shufrat prej hekuri të dritareve të burgut, ku u munduan martirët, bërë një me karrigen e Atit të Shenjtë mbi altar. Kelku dhe Ungjilli i përkisnin njërit prej të Lumëve të rinj, më i moshuari në çastin e vdekjes, imzot Traian Frenţiu. Papa Françesku e përmblodhi me dy fjalë trashëgiminë e lënë nga këta martirë të fesë: liria dhe mëshira. Rreth tij shtrëngohej Kisha greko-katolike, e bashkuar me Romën më 1700. Emocioni i bashkësisë së krishterë prekej me dorë: ipeshkvij, meshtarë, besimtarë, një Kishë, që e ka zemrën në qytetin e Blaj-it, në Transilvani. Të Lumët e rinj flijuan jetën, duke iu kundërvënë një sistemi ideologjik, që nuk respektonte të drejtat themelore të njeriut, theksoi Papa, i cili u ndal pastaj në aspektin tjetër të trashëgimisë së të Lumëve të rinj: mëshira. Me të vërtetë, ata nuk thanë asnjë fjalë urrejtjeje kundër persekutuesve të tyre, nuk kërkuan hakmarrje.

Mllefit t’i përgjigjemi me mëshirë

Simbol i qëndrimit me të cilin e mbështetën popullin rumun, fjalët e njërit prej tyre, kardinalit Hossu, që thoshte: “Zoti na ka dërguar në këtë terr ​​vuajtjesh për të dhuruar faljen dhe për t’u lutur që të gjithë të kthehen kah Ai i Lumi”:

“Ky qëndrim mëshirues ndaj torturuesve është mesazh profetik, sepse sot, vjen tek ne si ftesë që të gjithë ta kapërcejnë mllefin me bamirësi dhe falje, duke e jetuar fenë e krishterë me koherencë dhe guxim”.

Ideologjitë e reja e përbuzin vlerën e njeriut e të martesës

Pastaj, Papa Françesku tërhoqi vëmendjen e rumunëve kundër “ideologjive të reja”, që shfaqen sërish, për t’i çrrënjosur edhe traditat më të pasura kulturore dhe fetare:

“Kolonizime ideologjike, që e përçmojnë vlerën e njeriut, të jetës, të martesës dhe të familjes , si edhe e dëmtojnë atë, me propozime tjetërsuese, po aq ateiste sa në të kaluarën, sidomos, dëmtojnë të rinjtë dhe fëmijët, duke i lënë të rriten pa rrënjë; e atëherë, gjithçka bëhet e parëndësishme, nëse nuk u shërben interesave të menjëhershme personale, duke i shtyrë njerëzit të përfitojnë nga të tjerët dhe t’i trajtojnë si të ishin objekte”.

Vëllazërimi të mbizotërojë ndaj përçarjes

Është fjala për “zëra, që mbjellin frikë dhe përçarje, që përpiqen ta zhdukin” trashëgiminë e çmuar të kësaj toke, si për shembull, Ediktin e Tordës të vitit 1568, i cili dënoi radikalizmin, duke nxitur tolerancën fetare: një nga rastet e para në Evropë. Prandaj, Papa i këshilloi rumunët:

“Dua t’ju nxis të çoni dritën e Ungjillit tek bashkëkohësit dhe të vazhdoni të luftoni, si këta të Lumë, kundër ideologjive të reja që lindin. Tani është radha jonë të luftojmë, ashtu siç u takoi atyre të luftonin në ato kohë. Qofshi dëshmitarë të lirisë dhe të mëshirës, duke bërë që vëllazëria dhe dialogu të mbizotërojnë mbi ndarjet, duke e shtuar vëllazërinë e gjakut, e cila e ka zanafillën në periudhën e vuajtjes, kur të krishterët, të ndarë nga rrjedha e historisë, zbuluan se ishin më të afërt e më solidarë”.

Papa e pati filluar homelinë me komentin e episodit ungjillor të shërimit të njeriut, që kishte lindur i verbër e nga diskutimet, që shkaktoi kjo mrekulli e Krishtit, për të theksuar se kjo ndodh kur, në vend të njerëzve, vihen në qendër “interesa të veçanta”, “etiketat”, ose “ideologjitë”. Logjika e Zotit nuk është abstrakte, por kërkon fytyrën, plagët e historinë e njeriut me mish e gjak.

Falenderimet e Papës gjatë Mbretrëreshës Qiellore

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa i falënderoi të gjithë për mikpritjen, duke i shprehur presidentit dhe autoriteteve të tjera “mirënjohje të sinqertë” për bashkëpunimin në përgatitjen dhe realizimin e kësaj vizite. Më pas falënderoi Patrikun Daniel, Sinodin e Shenjtë, klerin dhe besimtarët e Kishës Ortodokse të Rumanisë, që e pranuan “vëllazërisht”: “Zoti e bekoftë këtë Kishë të lashtë dhe të shquar dhe e përkrahtë në misionin e saj”, tha Papa. Pastaj, nënvizoi:

“Këtu në Blaj, tokë e martirizimit, lirisë dhe mëshirës, ju falënderoj ju, bijtë e Kishës greko-katolike, që prej tre shekujsh e dëshmoni fenë tuaj me zell apostolik”. Së fundi, ia besoi popullin rumun Zojës, që “të ecë përpara drejt së ardhmes, në begati e paqe të vërtetë, duke kontribuar në ndërtimin e një atdheu gjithnjë e më të drejtë dhe vëllazëror”.

Kard. Lucian Mureşan: ëndrra u bë realitet

Për t’u vënë në dukje se, duke filluar nga nata ndërmjet 28 dhe 29 nëntorit 1948, kur u arrestuan këta ipeshkvij, që sot u shpallën të Lumë, e deri në dhjetor 1989, e vetmja liturgji hyjnore në gjuhën rumune për besimtarët ishte ajo e transmetuar nga Radio Vatikani. E emocioni për këtë vizitë të Papës në Blaj, qytet, që e pagoi me gjak besnikërinë ndaj Pasardhësit të Pjetrit, është tejet i madh, siç e dëshmuan fjalët e kryeipeshkvit të Făgăraş dhe Alba Iulia-s, kardinalit Lucian Mureşan, i cili foli për një “ëndërr”, që u bë realitet: “Pietri është këtu. Për të na përforcuar në fe – tha ai, gjatë përshëndetjes së tij. - Për të puthur dhe për të shëruar plagët tona. Për të na nxitur drejt ‘pastrimit të vërtetë të kujtesës’ me një hov të ri”.

02 qershor 2019, 14:21