Papa në takimin me Federatën e Patinazhit Papa në takimin me Federatën e Patinazhit 

Papa, Federatës së Patinazhit: sporti të jetë gjithnjë në shërbim të njerëzimit

Papa Françesku priti në audiencë Federatën Ndërkombëtare të Patinazhit në akull. Ati i Shenjtë u foli për disiplinën, punën në skuadër dhe për mënyrën e arritjes së rezultateve të shkëlqyera, por sidomos, për respektimin e të tjerëve, përfshirjen, shërbimin e sportit për njerëzimin.

R.SH. - Vatikan

Pati hapësirë edhe për sportin në audiencat e sotme të Papës Françesku, i cili priti në Sallën e Papëve, në Vatikan, Federatën Ndërkombëtare të Patinazhit: drejtues dhe atletë, të shoqëruar nga familjet. Pas përshëndetjes së presidentit, Jan Dijkema, Ati i Shenjtë përmendi Nxitjen Apostolike “Christus Vivit”, për të ripohuar bukurinë e çdo sporti, sidomos atij të patinazhit:

         “Të gjitha sportet janë shkak dhe shprehje gëzimi: ‘gëzimi i lëvizjes, gëzimi për të ndenjur së bashku, gëzimi për jetën dhe për dhuratat, që Krijuesi na bën çdo ditë’. E kjo është e vërtetë edhe për ata, që praktikojnë patinazhin. Ai dhuron një përvojë të jashtëzakonshme jete dhe lirie në lëvizje, së bashku me disiplinën, punën në skuadër dhe udhën e kërkimit të përsosjes personale”.

Solidaritet e shërbim

         Papa vuri theksin mbi aftësinë e sportit për t’i përfshirë të gjithë, për të krijuar lidhje të forta miqësie e solidariteti, duke ua hapur dyert njerëzve të të gjitha moshave. Drejtuesve u tha:

         “Ndërsa impenjoheni për të përfshirë gjithnjë e më tepër të rinj në sport, shpresoj që udhëheqja juaj t’i ndihmojë, përmes agonizmit, të bëhen më të pjekur si anëtarë aktivë të shoqërisë. Vlerat e respektit, të guximit, të altruizmit, të ekuilibrit dhe të vetëpërmbajtjes, mësuar në sport, janë përgatitje e çmuar për t’ia dalë në garën e jetës. Me një fjalë, sporti është menduar gjithnjë për të qenë në shërbim të njerëzimit”.

13 qershor 2019, 15:06