Kërko

Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme  

Papa: Eukaristia të jetë qendër e jetës sonë

Duke përshëndetur besimtarët polakë dhe ata të gjuhës franceze, Papa Françesku vuri theksin mbi vlerën e Eukaristisë për jetën e të krishterit si dhe për qendërsinë e saj në Kishë.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa, si zakonisht, përshëndeti besimtarët në gjuhë të ndryshme. Polakëve Françesku u kujtoi solemnitetin e afërm të Korpit dhe Gjakut të Krishtit duke e quajtur “mundësi e veçantë për gjallërimin e  besimit në praninë reale të Zotit në Eukaristi. Kremtimi i Meshës Shenjte, adhurimi eukaristik dhe procesioni nëpër rrugët e qyteteve e të fshatrave - vijoi - janë dëshmi e nderimit tonë dhe e bashkimit tonë me Krishtin, që na dhuron Korpin e Gjakun, për të na ushqyer me dashurinë e Tij e për të na bërë pjesëmarrës në Jetën e Tij në lumninë e Atit.

Eukaristia na bën ta jetojmë jetën e Krishtit

Edhe në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve të ardhur nga Zvicra, nga Franca e nga vende të tjera frankofolëse, posaçërisht atyre të Gjenevës, Parisit e Gudalupes, Papa Françesku foli për Festën e Korpit e Gjakut të Krishtit, duke nënvizuar se “është ftesë për ta vënë Eukaristinë në qendër të jetës. Eukaristinë - përfundoi - që na bën ta jetojmë jetën e Krishtit  dhe e bën Kishën”.

19 qershor 2019, 12:58