Papa-Centesimus Annus: duhet ndryshuar modeli i zhvillimit global
R. SH. - Vatikan
Është një fjalë me rëndësi të veçantë në rrethanat e sotme botërore, përplot me plagët e urisë e të pasigurisë ushqimore, me shqetësime të thella shoqërore dhe ekonmike, me degradim të ekosistemit e me kulturën e hedhurinës”. Kjo fjalë është “kthesë!”. Është “ndryshim”. Papa Françesku, duke iu drejtuar anëtarëve të Fondacionit Centesimus Annus, kujtoi këtë horizont, vendimtar për të nisur kthesën, për të nisur ndryshimin e drejtimit e për t’i shndërruar zemrat dhe mendjet!
Ekologjia e gjithanshme
Papa kujtoi edhe se Konferenca e Fondacionit përqendrohet mbi Letrën enciklike “Lëvduar qofsh”. Kjo - nënvizoi - nuk është “enciklikë e gjelbër” por “enciklikë shoqërore”. Duke uruar, më pas, edhe që zhvillimi i ekologjisë së gjithanshme të bëhet përherë e më shumë detyrë e dorës së parë, në nivel ndërkombëtar, kombëtar e individual.
Shenja inkurajuese
Ndërmjet shenjave inkurajuese - vërejti Françesku - mund të kujtojmë investimet në rritje për burimet e energjisë së rinovueshme e të qëndrueshme si dhe ndjeshmërinë gjithnjë më të madhe ndaj temave ekologjike. Inkurajuese, edhe metodat e reja të efiçencës energjitike si dhe adoptimi, nga ana e një mori kombesh, i Objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, në përkim me Kombet e Bashkuara.
Por sfidat e problemet nuk mungojnë - kujtoi Papa - i kemi ende parasysh. Ndër ta, përdorimi i gabuar i burimeve natyrore dhe progresi i ngadaltë apo i padukshëm për arritjen e Objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Veç kësaj, pasuria e përbashkët rrezikohet seriozisht nga qëndrimet individualiste, nga konsumizmi e shpërdorimi:
“E gjithë kjo e bën të vështirë promovimin e solidaritetit ekonomik, ambiental e shoqëror, si dhe qëndrueshmërinë e një ekonomie më njerëzore, që nuk synon të plotësojë vetëm dëshirat e çastit, por mendon edhe për mirëqenien e breznive të ardhshme”.
Të rizbulohet identiteti i bijve të Zotit
“Njeriu nuk mund të mos shqetësohet përballë gjithë këtyre sfidave të pafundme. I aftë për t’u degraduar në kulm, mund të bëjë edhe kthesë, të zgjedhë të mirën, të rilindë”.
Këtë udhë tregon Françesku: udhën e rilindjes, përmes kthesës së vërtetë. E, posaçërisht, përmes zhvillimit të ekologjisë së gjithanshme, që është thirrje e, njëkohësisht, edhe detyrë:
“Është thirrje për ta rizbuluar identitetin tonë si bij e bija të Atit qiellor, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit e të ngarkuar me detyrën për të qenë mbarështues të tokës; të rikrijuar përmes vdekjes shëlbuese e ringjalljes së Jezu Krishtit e të shenjtëruar nga dhurata e Shpirtit Shenjt”.
Të ndryshohet modeli i zhvillimit
Duke iu drejtuar anëtarëve të Fondacionit Centesimus Annus, Papa Françesku u ngarkoi këtë detyrë:
“Detyra që kemi përballë, është ‘të ndryshojmë modelin e zhvillimit global, duke hapur një dialog të ri për të ardhmen e Planetit tonë”.
E më pas uroi që diskutimet e të pranishmëve dhe impenjmi i tyre të japë ndihmesën e vet të çmuar për shndërrimin e thellë në të gjitha nivelet, të shoqërive tona bashkëkohore: individëve, sipërmarrjeve, institucioneve e politikave. Pa e humbur kurrë shpresën. Sepse Zoti nuk na lë kurë vetëm!
Fondacioni “Centesimus Annus”
Fondacioni “Centesimus Annus - Pro Pontifice” e ka zanafillën si dhe emrin nga letra Enciklike “Centesimus Annus”, shpallur nga Papa Gjon Pali II, më 1 maj 1991. Shprehej, kështu, përkimi i plotë me mësimin papnor në fushën shoqërore si dhe dëshira për t’i mbështetur nismat e shumta bamirëse të Atit të Shenjtë. U quajt “Pro pontifice”, për të theksuar admirimin ndaj Papës, si Mësues e Bari universal.