Kërko

Papa: bashkësia e parë e krishterë, ikonë dhe model i vëllazërimit

Në katekizmin e sotëm, mbajtur gjatë audiencës së përgjithshme, Papa Françesku komentoi një fragment nga Veprat e Apostujve, në të cilin përshkruhet jeta në bashkësinë e parë të krishterë, kushtuar plotësisht dashurisë për Zotin e për vëllezërit. Shën Luka Ungjilltar e paraqet Kishën e Jeruzalemit si “paradigmë e çdo bashkësie të krishterë”

R. SH. - Vatikan

Në Veprat e Apostujve (Vap 2,42.44-45) Shën Luka Ungjilltar përshkruan stilin e jetesës të të krishterëve të parë të Jeruzalemit. Ata - kujton - ishin ngulmues në mësimin e Apostujve e në bashkim, në thyerjen e bukës e në lutje” (Vap 2,42). Të gjithë besimtarët rrinin së bashku dhe e kishin çdo gjë të përbashkët; shisnin pronat e tyre, gjithçka kishin, e fitimet i ndanin me të gjithë, sipas nevojës së secilit.

Bashkësia e Jeruzalemit: ndarje e përbashkët dhe lutje

Luka na e paraqet Kishën e Jeruzalemit  si “paradigmë  të çdo bashkësie të krishterë”, si ikonë e vëllazërimit, që të mahnit e që nuk duhet mitizuar, por as minimizuar - kujtoi Papa - duke e vijuar reflektimin e nisur tri të mërkura më parë, kushtuar Veprave të Apostujve. Rrëshajët janë përvojë e freskët. Shpirti Shenjt sapo ka zbritur përmbi bashkësinë e parë të krishterë, duke dikuar në shpirtin e të gjithëve dëshirën  për të kumtuar shëlbimin e Krishtit, për t’u penduar e për të marrë sakramentin e  Pagëzimit, në emër të Tij. Flitet për rreth tri mijë vetë, që  bëjnë pjesë në këtë vëllazëri, bashkësi besimtarësh e tharm kishtar i veprës së ungjillëzimit - kujtoi Françesku - sepse pikërisht feja e këtyre vëllezërve e motrave në Krishtin, shërben si skenar i misionit të Apostujve.

Katër gjurmët e të krishterit të mirë

Katër elemente e karakterizojnë jetën e besimtarëve të kësaj bashkësie të parë: ngulmi në dëgjimin e mësimit të Apostujve, marrëdhëniet shumë të  mira me njëri-tjetrin, edhe përmes bashkimit të pasurive materiale e shpirtërore, dialogu me Zotin përmes lutjes, dhe “thyerja e bukës”, domethënë Eukaristia.  E Papa, duke rikujtuar këto katër mënyra të sjelluri, vërejti: “Këto janë sjelljet që duhet të ketë çdo i krishterë, katër  gjurmët e të krishterit të mirë”:

“Ndryshe nga shoqëria njerëzore, në të cilën njerëzit synojnë të mbrojnë interesat e veta, edhe në dëm të të tjerëve, bashkësia e besimtarëve i kundërvihej individualizmit, për të favorizuar ndarjen e përbashkët dhe solidaritetin”.

Këtë nënvizoi Papa për të skicuar më pas shpirtin e krishterë:

“Në shpirtin e krishterë nuk ka vend për individualizëm: nëse zemra jote rreh me egoizëm, ti nuk je i krishterë, nuk i përket Krishtit, por mendësisë së botës, që i kërkon vetëm për vete nderimet, pasurinë, favoret. E Luka na thotë se besimtarët ishin gjithnjë bashkë. Afërsia e uniteti janë stili i të rilindurve: pranë e pranë, të shqetësuar për njëri tjetrin, jo për ta shpërralluar tjetrin, jo: për ta ndihmuar, për të qenë gjithë pranë”.

Dashuria vëllazërore, garanci e një liturgjie të vërtetë

 Të krishterët - vijoi Papa - janë të thirrur të ndajnë bashkë gjithçka, të  bëhen një me tjetrin e t’i japin secilit atë, që i nevojitet. E më pas, shpjegoi si duhet bërë kjo ndarje:

“… domethënë me bujari, me lëmoshë, shqetësim për tjetrin, kujdes për të sëmurët, për ata që kanë nevojë, që kërkojnë ngushëllim. Vetëm  me këto kushte – pohoi – kjo vëllazëri, që është Kisha, mund të jetojë një jetë liturgjike të vërtetë e të mirëfilltë”.

 Ngulmimi i bashkësisë në lidhjen e vërtetë me Zotin e me vëllezërit - vijoi Françesku - bëhet edhe garanci për rritjen e forcës tërheqëse, që mahnit e fiton shumëkënd. Prandaj në përfundim porositi:

“Ta lusim edhe ne Shpirtin Shenjt, që t’i bëjë bashkësitë tona vende ku pranohen e praktikohen jeta e re dhe veprat e solidaritetit e të bashkimit; vende në të cilat liturgjitë janë takim i vërtetë me  Zotin dhe bashkim me vëllezërit e motrat; vende, që janë portat e hapura të Jeruzalemit qiellor”.

26 qershor 2019, 13:24