Kërko

 Patriku Ekumenik Ortodoks Bartolomeu I Patriku Ekumenik Ortodoks Bartolomeu I 

Bartolomeu në Kuvendin e Napolit, jo binomit mikpritje-pushtim

Me një Letër, drejtuar Dekanit të Fakultetit Papnor Teologjik të Italisë Jugore, atë Di Luccios, shpërndarë gazetarëve, Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, bëhet i pranishëm në Kuvendin e Napolit, me pjesëmarrjen e Papës. Mikpritja e kuptuar si integrim e kurrë si sinkretizëm - në qendër të fjalëve të Tij.

R. SH. - Vatikan

Krejt i papritur për të pranishmit, lajmi i dhënë nga Dekani gjatë përshëndetjes të hapjes së Kuvendit në Napoli, për Letrën datuar 16 qershor e nënshkruar nga Patriku, që bashkohet kështu simbolikisht me Papën - i cili  e falënderoi me fjalë plot mirënjohje,  në këtë ditë kushtuar temave të paqes, të vëllazërimit, të mikpritjes, të dialogut, të respektit e të kujdesit për shtëpinë e përbashkët.

Mesdheu në të kaluarën e në të tashmen

Bartolomeu e përshëndet Papën, me të cilin e bashkojnë të njëjtat tematika, me frymë ungjillore. Ungjillore, edhe përshëndetja, me të cilën nis Letra: “Hiri i Zotit tonë Jezus Krishtit, dashuria e Hyut Atë dhe bashkimi me Shpirtin  Shenjt qoftë me ju të gjithë!”. Më pas, menjëherë, një shikim  mbi Mesdheun. “Det ndërmjet tokave”, një herë e një kohë “djep i historisë, i qytetërimit, i gjuhëve, kulturave, feve, i aftë për shkëmbime e për ndërlidhje, themelore në zhvillimin e popujve” - shkruan Bartolomeu. Mesdheu - shton - e ka parë kontributin e krishterimit, por edhe të hebraizmit e të islamit, në përpjekjen për të gjetur rrugë bashkimi e bashkëjetese në kohë, gjë që sot duket ndryshe.

Mikpritje, jo vetëm asistencë, por me vertetësi e drejtësi

Sot, në vise të ndryshme të botës, “Mare nostrum”, është bërë “kufi për të mos kaluar nga veriu në jug e pikëpyetje për konceptin e mikpritjes së të huajit, që në krishterim gjen shprehjen e vet më të plotë”. Tensionet e ndezura në një mori vendesh - vëren Patriku - pikërisht për shkak të mikpritjes së më të ligshtëve, atyre që vuajnë më shumë nga troshtitjet shoqërore, ekonomike, klimaterike, krijojnë një mori pikëpyetjesh për Kishat”. Mikpritja nuk mund e nuk duhet të jetë “vetëm asistencë”, “duhet shikuar termi i vërtetësisë dhe i drejtësisë, për të kuptuar shkaqet, për të kuruar efektet e për të dëshmuar me forcë  rrezikun e lindjes së skllavërive të vjetra e të reja të njeriut, të fshehura pas maskës së mirësisë e  koncepteve mashtruese të lirive pa cak, pasojat e të cilave kanë të bëjnë edhe me të krishterët”.

Të krijohet ndërgjegjja e re dhe ekonomia e qëndrueshme

Migrimet “shtegtime të breznive të tëra” po krijojnë - shkruan Bartolomeu - varfëri e intolerancë. Duhet një angazhim parësor i Kishave, edhe përmes  institucioneve universitare, në mënyrë që të krijohet "ndërgjegjja e re në institucionet botërore”, në të cilat kriteri i fitimit duhet t’i lëshojë vendin “ekonomisë së qëndrueshme”, e cila e respekton ambientin, që do t’ua lëmë breznive të ardhshme.  Ekonomi, që i jep dinjitet njeriut, e çliruar nga konfliktet, plot me respekt për veçoritë e popujve, me synim, përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës.

Binomi i rrezikshëm mikpritje-pushtim

Në të kundërtën, koncepti i mikpritjes ndodhet para një rreziku të madh,  atij të mosperceptimit si “këshillë ungjillore”, por si pushtim i disa popujve, nga popuj të tjerë. E pushtimi është gjithnjë koncept negativ – saktëson Bartolomeu – ndjenjë, kjo, së cilës duhet t’i kundërvihen edhe Kishat tona. Është e nevojshme të shqyrtohet me kujdes mënyra e mikpritjes e pseja e mikpritjes, por posaçërisht pseja, duke pasur parasysh edhe respektimin e popullsive vendase. Mikpritja duhet të bëhet kryesisht integrim, e kurrë sinkretizëm! Domethënë, shkrirje e elementeve ideologjike të papajtueshme!

21 qershor 2019, 14:30