Kërko

Mesha e Dritës e imzot Kalengës. Françesku: jeta na mëson të ndahemi

Papa Françesku kryesoi Meshën e Dritës për kryeipeshkvin Léon Kalenga Badikebele, nunc apostolik në Argjentinë, që ndërroi jetë më 12 qershorin e kaluar. Në kremtim ishin të pranishëm diplomatët papnorë, të thirrur nga Ati i Shenjtë për takimin, mbajtur të enjten e kaluar, në Vatikan

R. SH. - Vatikan

T’i thuash lamtumirë vëllait, do të thotë ta lësh të niset e të shkojë tek Zoti. Do të thotë ta lëshosh në duart e Zotit, më të bukurat duar, sepse “të plagosura nga dashuria”. E përqendroi tek çasti tejet prekës i lamtumirës së fundit Papa, homelinë e mbajtur gjatë Meshës së Dritës të imzot Léon Kalenga Badikebele , pranë Altarit të Katedrës, në Bazilikën e Vatikanit.

Dëshmia

Bariu - pohoi Ati i Shenjtë - ndahet nga populli i vet, ashtu si Shën Pali në Milet, para se të nisej për Jeruzalem. Të gjithë - kujtoi në vijim - qanin para se Apostulli i Popujve të hipte në anije. Bariu ndahet me dëshminë e vet:

“Bariu ndahet duke i bërë njerëzit ta shikojnë se jeta  e tij ishte jetë e kaluar duke iu bindur plotësisht Zotit. ‘E ja, tani, i thirrur nga Shpirti Shenjt, unë po shkoj në anën tjetër. Shpirti më solli këtu, e Shpirti po më çon atje!’”.

Ndarja

Lamtumira është edhe ndarje. Eshtë  dëshmi  e njeriut, të mësuar për të mos u lidhur fort me pasuritë e kësaj jete, për të mos jetuar me mendësinë e botës. Bariu, duke u ndarë - shtoi Françesku - ua beson të tjerëve detyrat, që duhen kryer, udhën e gjatë, që duhet vijuar. Eshtë njësoj sikur të thoshte:

“Ruajeni vetveten e gjithë grigjën. Vigjiloni e luftoni; jini të pjekur. Po ju lë vetëm,  po ju mos u ndalni. Vijojeni rrugën!”.

Profecia e lutja

Ndarja e bariut nga jeta është profetike: tregon udhën, të mëson si të mbrohesh. Bariu - vërejti Papa - të nxit të jesh gjithnjë gati, sepse pas nisjes sate vijnë “ujqërit grabitqarë”. E në fund, bariu lutet e duket sikur dëshiron të thotë:

“Tani po ju lë në dorë të Zotit’. Kjo – kujtoi Ati i Shenjtë - është ndarja a lamtumira e bariut, që  Shën Pali e jetoi fuqimisht në Milet”.

Shpresa

Përveç ndarjes së Apostullit të Popujve, Papa foli edhe për një ndarje apo lamtumirë tjetër: atë të Jezusit, që ishte ndarje shprese. Jezusi - kujtoi Ati i Shenjtë -na thotë: “Po shkoj t’ju përgatis një vend”. Jeta - pohoi më tej - “na mëson të ndahemi”, të bëjmë hapa të vegjël, para hapit të madh, ndarjes së fundme:

“Zoti na e dhashtë këtë hir: të mësojmë për t’u ndarë, gjë që është hir i Atij të Lumit”.

15 qershor 2019, 13:29