Papa Françesku takohet me Presidentin rus Putin Papa Françesku takohet me Presidentin rus Putin 

Më 4 korrik Papa do të presë Presidentin rus, Putin

Papa Françesku do të presë në audiencë, në Vatikan, më 4 korrik, Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin. Njoftimin e dha drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku do të presë në audiencë, më 4 korrik, Presidentin e Federatës Ruse. Është takimi i tretë i Papës me Putinin. I pari, ai i 25 nëntorit 2013. I dyti, takimi i 10 qershorit 2015.

Takimi i parë

Në vitin 2013, bisedimi privat prej 35 minutash - me grupin shoqërues pastaj dhe shkëmbimi i dhuratave. Papa i dhuroi Putinit një mozaik që paraqiste Kopshtet e Vatikanit, ndërsa iu dhurua kopja e ikonës të Zojës së Vladimirit, shumë e nderuar në Rusi. Në qendër të bisedimeve, kriza siriane. Me atë rast, Papa  nënvizoi se “duhet të merrte fund menjëherë ushtrimi i dhunës”. E “duheshin favorizuar nismat konkrete për zgjidhjen paqësore të konfliktit”.

Takimi i dytë

Në vitin 2015, biseda private, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, prej 50 minutash. Më pas, paraqitja e grupit shoqërues dhe shkëmbimi i dhuratave. Presidenti Putin i dhuroi Papës një pamje të Kishës së Krishtit Shëlbues, të qindisur në pëlhurë; Papa, medalionin e artistit Guido Veroi, që paraqet  engjëllin e paqes dhe fton për ndërtimin e një bote me solidaritet e paqe,  themeluar mbi drejtësisë si edhe një kopje të Nxitjes Apostolike Evangeli gaudium. Biseda - lexohet në një notë të Sallës së Shtypit, me atë rast - iu kushtua kryesisht konfliktit në Ukrainë dhe situatës në Lindjen e Mesme. Duke folur për Ukrainën, Ati i Shenjtë pohoi se duhej bërë një përpjekje e sinqertë për realizimin e paqes. Përsa i përket Lindjes së Mesme, Sirisë e Irakut, u pohua urgjenca për sigurimin e paqes, me interesimin konkret të bashkësisë ndërkombëtare, duke siguruar, ndërkaq, edhe kushtet e nevojshme për jetën e të gjithë anëtarëve të shoqërisë, përfshirë  pakicat  fetare e, posaçërisht, të krishterët.

Takimi me Papën Benedikti  

Papa Benedikti XVI e priti në audiencë presidentin rus Vladimir Putin në vitin 2007. Bisedimet - lexohet në notën e asokoshme të Selisë së Shenjtë - u zhvilluan në një atmosferë shumë pozitive. U theksuan kryesisht  marrëdhëniet e përzemërta ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Federatës Ruse si dhe dëshira reciproke për t’i zhvilluar më tej, edhe përmes nismave të veçanta, me karakter kulturor. Në këtë kuadër u shqyrtuan disa tema me interes dypalësh, kryesisht, lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike e Kishës Ortodokse dhe u analizuan çështje të aktualitetit ndërkombëtar, posaçërisht lidhur me Lindjen e Mesme. Në përfundim, “në qendër të vëmendjes ishin problemet e ekstremizmit e të intolerancës, rreziqet më të mëdha, që kërcënojnë bashkëjetesën paqësore ndërmjet Kombeve, duke nënvizuar nevojën për ta ruajtur paqen e për të favorizuar zgjidhjen e konflikteve me rrugë bisedimesh paqësore”.

06 qershor 2019, 12:31