Mbretëresha Qiellore: i Lumi Giedrojć dhe Sudani, në zemër të Papës
R. SH. - Vatikan
Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të së dielës së Rrëshajëve, Papa Françesku kujtoi figurën e të Lumit Michal Giedrojć, lindur në vitin 1420, në një familje fisnike lituane i cili, me veprimtarinë e tij e me thirrjen e tij rregulltare, ushqeu fenë e popullit polak, duke kapërcyer kufijtë e kombeve:
“Dje, në Krakovi, u kremtua Mesha e falënderimit për Lumnimin e Michal Giedrojć, në të cilën morën pjesë ipeshkvijtë e Polonisë e të Lituanisë. Kjo ngjarje i inkurajon polakët dhe lituanët t’i forcojnë lidhjet nën shenjën e fesë e të nderimit të përbashkët për të Lumin Mihal, që jetoi në Krakovi në shekullin XV e u bë model përvujtërie e dashurie ungjillore për popujt e të dy kombeve”.
Lutja për Sudanin
Ati i Shenjtë, më pas, i ftoi besimtarët të luten për Sudanin, vendin afrikan, të kapërthyer nga një krizë e rëndë politike, që po shkakton qindra viktima, për shkak të shtypjes nga ana e ushtrisë, nisur pas largimit nga detyra, në prill, të ish-presidentit Omar al-Bashir:
“Shkaktojnë dhimbje e shqetësim lajmet, që arrijnë këto ditë nga Sudani. Lutemi për këtë popull, që të marë fund dhuna e të kërkohet e mira e përbashkët, me rrugë dialogu”.
T’ia hapim shpirtin tonë, Shpirtit Shenjt
Së fundi, Papa i përshëndeti dhe i inkurajoi të gjithë shtegtarët, ardhur nga të katër anët e botës, që morën pjesë në kremtimin e Solemnitetit të Rrëshajëve:
“I inkurajoj të gjithë t’i hapin zemrat për veprimin e Shpirtit Shenjt, duke i ofruar botës, në varietetin e karizmave, figurën e vëllazërisë në bashkim. Na e nxjerrtë këtë hir Nëna e Shenjtë e Zotit, ndërmjetësimit të së cilës ia besojmë vetveten, me dashuri bijnore”.