Kërko

 Shpella e Lurdës Shpella e Lurdës 

Lurdë: Papa dërgon një delegat për kujdesin e shtegtarëve

Papa emëron imzot Antoine Hérouard, ipeshkëv-ndihmës i Lille, për kujdesin e shtegtarëve të shumtë në Shenjtëroren e Zojës Lurdë.

R. SH. - Vatikan

Papa dërgon një delegat për kujdesin e besimtarëve të shumtë, që vizitojnë vazhdimisht Shenjtëroren e Lurdës. Është imzot Antoine Hérouard, ipeshkëv-ndihmës i Lille. Njoftimin e dha sot, në  Shenjtëroren franceze, kryeipeshkvi Rino Fisichella, Kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri.

Vendimi është në vijë me atë, që u mor në vitin 2017 për Medjugorjen:  Françesku kujdeset posaçërisht për shtegtarët dhe dëshiron që qendrat mariane të bëhen “gjithnjë më shumë vende lutjeje e dëshmish të krishtera, në përkim të plotë me kërkesat e popullit të Zotit”. Këtë lexojmë në letrën  që Papa i dërgon imzot Antoine Hérouard, ipeshkëv ndihmës i Lille, duke i komunikuar emërimin delegat “ad nutum Sanctae Sedis” (domethënë në dispozicion të Selisë së Shenjtë), për Shenjtëroren e Lurdës.

Letra papnore u lexua në qendrën e vogël të Pirenejve, vend i njërës nga dukjet mariane më popullore të historisë, përballë kapelanëve dhe drejtuesve administrativë të Shenjtërores. Lajmi u bë publik në mesditën e sotme, 6 qershor, nga kryeipeshkvi Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, dikaster i cili prej dy vjetësh është ngarkuar nga Françesku për të vlerësuar baritorinë e shenjtëroreve. Nga sa kuptohet prej letrës, vetë imzot Fisichella kreu, muajt e kaluar, një mision, si “i dërguar i posaçëm”, pranë shenjtërores, që vizitohet çdo vit nga miliona shtegtarë, ardhur nga të katër anët e botës.

Në vijim të verifikimeve, kryer nga imzot Fisichella - shkruan Papa - dëshiroj të kuptoj çfarë formash të reja, përveç atyre që ekzistojnë, mund të marrë shenjtërorja, për t’u bërë gjithnjë më shumë vend lutjeje e dëshmie të  krishterë, në përkim të plotë me Popullin e Zotit.

Mandati i ipeshkvit Hérouard, që nuk largohet nga detyra e tij në Lille, do të kufizohet vetëm në Shenjtërore, ndërsa dioqeza e Tarbes dhe e Lurdës   do të vijojë të jetë nën kujdesin e ipeshkvit Nicolas Jean René Brouwet. Për t’u kujtuar fakti se emërimi  i delegatit nuk  është i përhershëm, por  i përkohshëm, në përkim me kujdesin baritor e shpirtëor të besimtarëve. Papa Françesku, që interesohet shumë për këtë kujdes, dëshiron ta theksojë edhe një herë përparësinë shpirtërore, duke i vënë kështu, pritë tundimit për të nënvizuar tepër aspektin administrativ e financiar e dëshiron të promovojë gjithnjë më shumë ndër shenjtëroret, devocionin popullor, tradicional.

Në nxitjen apostolike “Evangelii gaudium”, Papa shkruan: “Në përshpirtërinë popullore mund të shfrytëzohet mënyra  me të cilën feja e fituar mishërohet në një kulturë e vijon të transmetohet”. Për të cituar, më pas Dokumentin e Aparesidës, me përfundimet e takimit të episkopatit latino-amerikan, mbajtur në shenjtëroren më të rëndësishme të Brazilit. Papa kujton se “Të ecësh drejt shenjtëroreve së bashku e të marrësh pjesë në manifestime të tjera të përshpirtërisë popullore, shoqëruar edhe me fëmijët ose duke ftuar njerëz të tjerë, është në vetvete akt ungjillëzimi. Nuk e kufizojmë, e as pretendojmë ta kontrollojmë këtë forcë misionare”.

06 qershor 2019, 11:23