Presidenca e Comece-s pas audiencës tek Papa Presidenca e Comece-s pas audiencës tek Papa 

Krerët e Comece-s tek Papa Françesku. Hollerich: Papa e do vërtet Evropën

Papa priti në audiencë presidencën e Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Europian. Gjatë bisedimeve, njoftojnë ipeshkvijtë e Comece-s, shqetësimet për Europën, roli i Kishës, emigrantët, mbrojtja e Gjithësisë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku “e do me të vërtetë Evropën”, shqetësohet për kontinentin dhe për paqen. Këtë na thotë në një intervistë për Vatican News, kryetari i Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Europian - Comece, imzot Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut. Dje, ai dhe anëtarët e tjerë të kryesisë u takuan me Atin e Shenjtë në Vatikan. Imzot Hollerich tregon se audienca zgjati rreth gjysëm ore e kujton fjalët e Françeskut gjatë udhëtimit të fundit në Rumani: një politikan nuk duhet të mbjellë kurrë urrejtje dhe frikë, por vetëm shpresë. “Pajtohem plotësisht me Papën, – pohon kryetari i Comece-s - sepse ka politikanë tepër larg nga shqetësimet e njerëzve”, nga jeta e përditshme, nga problemet e fëmijëve, nga vështirësitë e familjeve për të arritur “në fund të muajit”. “Është e domosdoshme - vazhdon ai - që politika të përqendrohet tek njeriu, pa përdorur frikë”.

         Gjithsesi, kryeipeshkvi i Luksemburgut nuk harron të nënvizojë se edhe Kisha ka “të njëjtin problem si politikanët: nganjëherë jemi shumë larg nga njerëzit dhe shqetësimet e tyre”. Për të kumtuar Ungjillin në Evropë “duhet të jemi shumë më të përvuajtur dhe shumë më afër” njerëzve: “ka lëvizje të shkëlqyera për një farë përtëritje shpirtërore e, ndoshta, duhen kombinuar ato me çka thotë Papa për varfërinë e për impenjimin në favor të të varfërve”. Kështu, mendon imzot Hollerich, do të kemi “rilindjen e Kishës” në vendet e Bashkimit Evropian.

Migrantët dhe shtëpia e përbashkët

Ndërmjet temave të prekura në bisedën me Papën, edhe emigrantët e ekologjia sipas Enciklikës “Laudato si’”, duke pasur parasysh Sinodin e ardhshëm të Amazonës, tregon në mikrofonin tonë, njëri nga zv.kryetarët e Comece-s, imzot Franz-Josef Overbeck, peshkop i Essen-it, në Gjermani. Imzot Hollerich, i sapokthyer nga një mision si i dërguar i Papës në mesin e emigrantëve të strehuar në ishullin grek të Lesbos, thekson se në Evropë “Kishat, dioqezat e lëvizjet kishtare duhet t’i mirëpresin” sidomos të ardhurit përmes “korridoreve humanitare”. “Njerëzit që pamë në Lesbos – pohon kryetari i Comece-s - jetojnë në varfëri dhe dëshpërim të madh: por janë vetëm disa mijëra dhe Evropa është mjaft e madhe për t’i strehuar të gjithë”.

Përsa i përket përgjegjësisë ndaj Gjithësisë së krijuar nga Zoti, zv.kryetari i parë i Comece-s, imzot Mariano Crociata, ipeshkëv i Latinës, gjithnjë në mikrofonin tonë, thekson se Papa nënvizoi gjatë takimit me ipeshkvijtë, rëndësinë dhe nevojën e “impenjimit ekologjik, por edhe të impenjimit shoqëror, sepse të dyja këto gjëra janë të lidhura ngushtë: nuk mund të kujdesemi për mjedisin, pa u kujdesur për ekuilibrin dhe mirëqenien e të gjithë shoqërisë”.

Hapësirë, të rinjve

Në këtë perspektivë, imzot Crociata e përqendron vëmendjen tek të rinjtë, duke pasur parasysh zgjedhjet e fundit evropiane: “numri i të rinjve, që votuan për Europën, është rritur - thekson ipeshkvi i Latinës – e ky është një nga faktorët, që çoi në shtimin e pjesëmarrjes”. “Comece - shpjegon ai - po promovon në Evropë një platformë shoqatash rinore, jo vetëm të krishtera, për t’i dhënë hapësirë protagonizmit rinor, për të cilin ka shumë nevojë kontinenti: e ardhmja varet edhe nga aftësia jonë për t’i bërë të rinjtë protagonistë në jetën e Evropës e të Kishës”. “Pjesëmarrja më e madhe gjatë zgjedhjeve të fundit evropiane”, vijon imzot Crociata, “nxjerr në pah edhe shpresën e popujve, të cilët e kërkojnë Evropën, kanë nevojë për të. Kjo është edhe ftesë e njerëzve - që ne, në një farë mënyre, e përforcojmë me zërin tonë në Parlament, në institucionet e reja evropiane, ndër protagonistët e rinj – që t’i mbledhin këto aspirata e të përpiqen t’u përgjigjen për të mirën e përbashkët, për të mirën e të gjithë popujve tanë”.

07 qershor 2019, 13:49