Kërko

 Kisha australiane në mbrojtje të aborigjenëve Kisha australiane në mbrojtje të aborigjenëve 

Ipeshkvijtë australianë: t’u vihet pritë vetëvrasjeve.

Ipeshkvijtë katolikë australianë bëjnë thirrje, në mesazhin e tyre vjetor të së dielës kushtuar aborigjenëve, domethënë popullsive autoktone të Ngushticës së Torres e të ishujve, që do të kremtohet më 7 korrik: t’i jepet fund vetëvrasjes, tejet të përhapur në vend.

R. SH. - Vatikan

“Vetëvrasja është shpesh pika e fundit në kupën e mbushur përplot me helm, me fatkeqësi e dhembje të padurueshme”. Popullsitë aborigjene australiane dhe banorët e ishujve të ngushticës të Torres, kanë provuar gjithë të zezat në jetën e tyre të stërmundimshme. Grabiten, internohen, dhunohen me të gjitha tipet e dhunës, që mund të ushtrohet mbi njeriun. Kështu shumë prej tyre vendosin të bëjnë çka u duket më pak e dhimbshme në jetë: të vetëvriten! Është udha, që zgjedhin zakonisht njerëzit e dëshpëruar në kulm, që nuk shikojnë asnjë rreze dielli në të ardhmen. Gjithçka për ta është e zezë. Si vdekja! Është pa rrugëdalje. Si dhimbja pa fund. Është - apo duket, sepse njeriu në çaste fatkeqësie e shikon çdo udhë të mbyllur para vetes.

Po një realitet i tillë, për të krishterin është  plotësisht i papranueshëm. “Ne, të krishterëve, Jezusi, që u flijua për të na sjellë jetë me begati, na bën thirrje të punojmë së bashku me dashuri e respekt. E ta ndihmojmë njëri-tjerin në çaste të vështira”. Këtë deklarojnë ipeshkvijtë katolikë australianë në mesazhin e tyre vjetor për të dielën, kushtuar aborigjenëve e ishullorëve, që do të kremtohet të dielë, më 7 korrik.

Ipeshkjvijtë kërkojnë më shumë bashkëpunim, për t’i vënë fre humbjes së shumë njerëzve, që përfundojnë për ditë të vetëvrarë, sepse nuk panë rrugë tjetër para vetes. As mbi tokë! E as në qiell. Jeta tejet e mjerë mbi tokë, nga njëra anë, mungesa e besimit në një jetë më të mirë, që i pret në duart e mëshirshme të Zotit, nga ana tjetër, i nxit t’u japin fund vuajtjeve të padurueshme. Të flejnë në varr, pa pritur vijimin e stërmundimit!

Prej këndej ipeshkvijtë nuk mjaftohen vetëm me thellimin e edukimit të tyre fetar, por kërkojnë të përmirësohen urgjentisht kushtet e jetesës së këtyre njerëzve. Sepse dhimbja vdekjeprurëse nuk mund të lehtësohet vetëm me fjalë! Sado ngushëlluese të jenë!  E vdekjes nuk mund t’i vësh pritë me një “duhet duruar”. E kërkojnë me shkrim, e edhe përmes një videoje, për të nxitur ndjeshmërinë ndaj këtij fenomeni tragjik e për t’ia prerë rrugën humbjes së jetëve të pafajshme, të njerëzve të thjeshtë, që kanë të drejtë të plotë ta jetojnë me fund jetën tokësore, para se të nisen atje ku, pas natës së errët, i pret drita e amshuar e Zotit. Që vetëvrasësi rrezikon ta humbasë përgjithmonë. Sepse Zoti nuk do që njeriu të vetëvritet, por të jetojë, deri ditën kur Ai vetë ta thërrasë për një jetë tjetër! Ku nuk ka më rrezik vetëvrasjeje!

21 qershor 2019, 19:11