Papa Françesku në Rumani Papa Françesku në Rumani 

Gëzimi i njerëzve për vizitën e Papës në Rumani

E fuqishme, jehona e udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Rumani e jo vetëm për katolikët. Ky dhe aspekte të tjera të vizitës në Rumani, në intervistën me imzot Claudiu Pop, ipeshkëv i Kuries së kryeeparkisë së Kishës Greko-Katolike të Rumanisë në Blaj dhe përgjegjës i Konferencës Ipeshkvnore të Rumanisë për media.

R.SH. - Vatikan

Katolikët e Rumanisë sapo përjetuan tri ditë intensive me Papën Françesku, i cili gjatë vizitës së tij apostolike përshkoi zona të ndryshme të vendit. Nga Bukureshti në Sumuleu Ciuc, nga Iasi deri në Blaj, Ati i Shenjtë u takua me bashkësitë katolike, u lut me to, bisedoi me Patrikun ortodoks Daniel dhe i foli Sinodit të përhershëm të Kishës Ortodokse. Në katedralen e re të kësaj Kishe, në Bukuresht, në praninë e të krishterëve të bashkuar, tha lutjen “Ati ynë”. Çaste të paharrueshme për një vend, pas vizitës së shën Gjon Palit II, 20 vjet më parë. Le të përshkojmë disa faza të udhëtimit të Papës në Rumani me ipeshkvin e Kuries së kryeeparkisë së Kishës Greko-Katolike të Rumanisë në Blaj, imzot Claudiu Pop, përgjegjës i Konferencës Ipeshkvnore të Rumanisë për media:

         Në një Rumani, që ende po lufton për të kapërcyer kontradiktat e ndryshme shoqërore e për të shëruar plagët, Papa solli me të vërtetë një puhi ajri të freskët, jo vetëm për ne, por edhe për njerëzit e thjeshtë. Sot në mëngjes, dikush më thirri dhe më tregoi për një fëmijë ortodoks, që lëviz me vështirësi, sepse është operuar në këmbë, prandaj ecën me paterica. E megjithatë, bëri 400 kilometra për të parë Papën, të cilin, më në fund, e takoi. Mendoj se ishte një gëzim i papritur për këtë fëmijë e për familjen e tij! Papa që takon këtë fëmijë, Papa që shkon për të takuar romët, Papa që i bën të largëtit t’i afrohen Zotit dhe Kishës, duke parë shembullin e Atit të Shenjtë.

Ç’domethënie ka lumnimi i 7 ipeshkvijve martirë të komunizmit, në kuadrin aktual të Rumanisë?

Nga një këndvështrim i caktuar, është një e vërtetë që del në pah përmes vizitës së Atit të Shenjtë. Papa erdhi në Blaj për t’i shpallur të lumë këta martirë, e nxorri në dritë këtë të vërtetë, por, nga ana tjetër, përmes mënyrës së veçantë të Papës Françesku për të folur mbi të vërtetën e për t’i shpjeguar gjërat, edhe ne rizbulojmë kuptimin e vërtetë të martirizimit: në librat, që tregojnë për jetën e martirëve, ose në autobiografitë e tyre, nuk ka gjurmë mllefi.

I gjithë udhëtimi pati karakter të fuqishëm marian, sidomos në Sumuleu Ciuc dhe në Iasi. Zoja është shumë e dashur si për katolikët, ashtu edhe për ortodoksët, prandaj ky besim e nderim për të mund t’i ndihmojë bashkësitë të ecin në të njëjtën udhë, për të mirën e vendit, apo jo?

Kisha Ortodokse dhe Kisha Katolike ndiehen shumë të lidhura me Marinë. Është si të kishim një pikë të palëvizshme drejt së cilës, ne, si pika të largëta, sa më pranë të shkojmë, aq më tepër afrohemi. Për mua, sot është koha e Marisë. Mendoj se duhet ta lemë mënjanë të kaluarën e, sigurisht, të falim: falje, duke pranuar të vërtetën, sepse nuk mund të mohohet e kaluara. E Papa Françesku, ashtu si Gjon Pali II, na mësoi shumë mënyra për të kërkuar falje. Për shembull, ai vetë kërkoi falje para romëve. U tha se shpesh, edhe katolikët, të krishterët në përgjithësi, kanë pasur gisht në diskriminimet kundër tyre: “Unë kërkoj falje”, ngriti zërin.

Dialogu me ortodoksët. Çfarë ju bëri përshtypje në takimet me Patrikun Daniel e me besimtarët ortodoksë?

Ne kemi një farë ndjeshmërie ndaj Romës, na hov zemra – ortodoksëve e katolikëve – prandaj Papa, që vjen nga Roma, u prit me vëmendjen dhe simpatinë, që e kishim në shpirt edhe më parë. U pa edhe nga mënyra si përgjigjeshin besimtarët kur Ati i Shenjtë, së bashku me Patrikun, përshëndetën: “Krishti u ngjall (Christos a inviat)”. Të gjithë iu përgjigjën.

Si mund të vijohen lidhjet baritore kishtare me romët, pas takimit të Françeskut me ta?

Përsa i përket Kishës greko-katolike, mund të them se është mjaft e impenjuar. Ipeshkvijtë tanë kanë qenë gjithnjë të pranishëm në bashkësitë rome. Ioan Suciu, një nga ipeshkvijtë martirë, shkonte të rrinte me ta pa veshjen ipeshkvnore. Të gjithë u mallëngjyen gjatë liturgjisë hyjnore. Kishte njerëz që qanin, kur fliste Papa. Fëmijët shkuan të rrinin në këmbët e Françeskut. Për romët ishte nder i madh. E ndoshta edhe thirrje që t’i rizbulojnë traditat dhe të jenë pjesë aktive në shoqëri.

Nga njëra anë, Papa Françesku bëri thirrje të rizbulohen rrënjët e, nga ana tjetër, u kërkoi rumunëve t’i shndërrojnë grindjet e vjetra në mundësi të reja për bashkim. Ndoshta, ky është çelësi për mozaikun e pasur të Rumanisë?

Mendoj se po. Me qëndrimin e me gjuhën e tij na komentoi mesazhin e Zotit dhe na nxiti të rizbulojmë rëndësinë e secilit prej nesh, të çdo guri të mozaikut.

Si ipeshkëv i Kishës greko-katolike, me çfarë emocioni e përjetuat lumnimin e 7 ipeshkvijve, që dhanë jetën gjatë komunizmit?

Jam shumë i gëzuar e plot me mirënjohje për Zotin. Shumë njerëz as që e mendonin se mund të realizohej një gjë e tillë. Si ipeshkëv, mbeta pa fjalë, sepse fjalët nuk mund ta shprehin gëzimin e zemrës. Për mua, pjesëmarrja në lumnimin e ipeshkvijve, paraardhësve të mi, është pa dyshim gëzim, por edhe thirrje e fuqishme për përgjegjësi.

03 qershor 2019, 13:58