Kërko

Françesku, të rinjve të Fe y Alegria: ju jetoni mistikën e përfshirjes

Papa Françesku u drejtoi një video-mesazh të shkurtër anëtarëve, shumica të rinj, të Federatës Ndërkombëtare Fe y Alegria, pas audiencës në Vatikan, më 17 qershorin e kaluar. “Ju jeni e ardhmja e njerëzimit - u thotë - përmes videomesazhit - duke i inkurajuar ta jetojnë kulturën e përfshirjes, në atmosferën e së cilës askush nuk trajtohet si hedhurinë.

R. SH. - Vatikan

“Rolin më të rëndësishëm në Fe y Alegria nuk e luan drejtuesi, as organizatorët. Roli kryesor ju përket ju, të gjithëve!”. Këtë thekson, në një videomesazh të shkurtër, Papa Françesku që, të hënën e kaluar priti në audiencë, Këshillin e Administratës së Federatës Ndërkombëtare  Fe y Alegria, Lëvizje e edukimit të gjithanshëm popullor dhe e promovimit shoqëror, që merret me zhvillimin e burrave e të grave, të cilët jetojnë posaçërisht në zonat më të humbura, duke u nisur nga premisa se edukimi duhet ta shndërrojë realitetin e t’i bëjë njerëzit më humanë.

Protagonizmi i të rinjve, burra e gra

Shumica e anëtarëve të Federatës janë burra e gra, të gjithë të rinj, prandaj “Rolin më të rëndësishëm në Fe y Alegria e kanë të rinjtë” - thekson Papa, duke iu drejtuar anëtarëve - e shton: “Është në duart tuaja”. E  në duart e të rinjve - sipas Papës - është jo vetëm Federata, por mbarë njerëzimi:

“Ose do të jeni ju, që do ta çoni përpara, ose e ardhmja ka marrë fund! Ju jeni e ardhmja, por edhe e sotmja e duhet t’i merrni punët  sot e t’i çoni përpara me këtë entuziazëm, me këtë frymë rinore, me këtë aftësi për t’i pëfshirë të gjithë”.

Kultura sotme e flak tutje gjithçka e shqetëson

Papa vëren, më tej, se kultura e sotme ka prirjen të përjashtojë gjithçka, që i krijon çrregullime:

“Shumë fëmijë përjashtohen e prandaj nuk ka shkolla, pleqtë  përjashtohen, sepse shqetësojnë, nuk janë më në gjendje të prodhojnë… të sëmurët përjashtohen… Gjithçka nuk vlen për zhvillimin ekonomik, financiar teknologjik, sot përjashtohet”.

Fe y Alegria nuk përjashton askënd

Në kundërshtim me këtë atmosferë, Fe y Alegria i përfshin të gjithë e gjithçka:  

“Të panevojshmen? Edhe të panevojshmen? Të gjithë. E kush është i panevojshëm?’. Ndonjëri nga ju? Nëse është, të na e thotë! Nuk ka të panevojshëm në Fe y Alegria, gjithkush përfshihet, e gjithçka”.  

Është pakëz “mistika e përfshirjes”, që  të ketë sa më shumë njerëz, sa më shumë ‘Fe y Alegria’”.

19 qershor 2019, 14:54