Kërko

 Audienca e fretërve konventualë Audienca e fretërve konventualë 

Papa konventualëve: Të kapërcehet logjika e suksesit, për të ndërtuar paqen

Papa Françesku i nxiti fretërit e vegjël konventualë të jenë shërbyes të mëshirës, duke nënvizuar rëndësinë e dëgjimit të Ungjillit e dhuratën e vëllazërimit. I nxiti edhe të bëhen shërbëtorë e t’i shoqërojnë edhe të tjerët në rrugët që çojnë tek Zoti: vetëm kështu - theksoi - do të jetë e mundur të ndalohet “hemorragjia” e braktisjeve të jetës meshtarake e rregulltare.

R. SH. - Vatikan

“Nuk ka paqe, pa pajtim, pa falje, pa mëshirë. Vetëm kush e ka zemrën të pajtuar, mund të jetë shërbyes i mëshirës e ndërtues i paqes!” Këtë nënvizoi Papa Françesku, duke pritur, në Sallën Klementine, anëtarët e Kapitullit të përgjithshëm të Urdhërit të fretërve të vegjël konventualë, rreth 150 rregulltarë, kryesuar nga eprori i ri i përgjithshëm, vëllai Carlos Trovarelli.

Në gjurmët e Krishtit

Në fjalimin e tij Papa, duke kujtuar Rregullën e re, miratuar  nga ana e Selisë së Shenjtë verën e kaluar si edhe miratimin e Statuteve të reja, nënvizoi se këto përbëjnë elementet themelore të jetës vëllazërore e misionare: formimin, ndërkulturësinë, ndarjen e përbashkët e transparencën në mbarështimin ekonomik:

“Kjo punë është e lodhshme, por lodhje që ia vlen. Rregulla është mjet i nevojshëm për të ruajtur trashëgiminë karizmatike të një Instituti e edhe për të siguruar transmetimin e saj të ardhshëm. Ajo shpreh mënyrën konkrete për t’u vënë në ndjekje të Krishtit, propozuar nga Ungjilli, rregull absolute e jetës për gjithë të kushtuarit e posaçërisht për ndjekësit e Shën Françeskut të Asizit të cilët, kur bëjnë kushtet, zotohen të jetojnë sipas formës së Ungjillit Shenjt. Më prek shumë kjo këshillë, që Shën Françesku u jep vëllezërve të tij: ‘Predikojeni Ungjillin e, nëse do të jetë e nevojshme, edhe me fjalë’. E kjo është mënyrë e të jetuarit”.

Ungjilli, doracak

Jeta françeskane, në të gjitha shprehjet e saj - vuri në dukje Papa - lind nga dëgjimi i Ungjillit Shenjt, ashtu si e tregon përvoja e porosia e Shën Françeskut:

“Ungjilli për ju, të dashur vëllezër, është ‘rregull jete’, e misioni juaj nuk është tjetër, veçse të jeni Ungjill i gjallë”.

Gjurma e Zotit

Françesku u ndalua edhe tek aspektet e vëllazërimit, të paqes e të fomimit. Vëllazërimi - kujtoi - është dhuratë që duhet marrë me mirënjohje, pa përjashtuar e pa u përjashtuar. Në të nuk ka “konsumatorë” por ndërtues.

Dashuri e dëgjesë

Papa i nxiti fretërit konventualë ta ushqejnë gjithnjë vëllazërimin me frymën e uratës e të devocionit, duke cituar edhe Rregullën e Shën Françeskut, që i porosit sivëllezërit:

“Në këtë mënyrë jeta juaj në bashkësi bëhet formë e profecisë së Kishës në botë; shkollë bashkimi, për t’u ushtruar gjithnjë në lidhje dashurie e bindjeje me Barinjtë”.

Tundimi i  pushtetit

Porosi tjetër e Papës, për fretërit konventualë: të mos e kërkojnë kurrë suksesin, të mos i dëshirojnë vendet e para, të mos kujtojnë se janë zotërinj. Françesku - nënvizoi - ju kërkon të jeni të vegjël, të ecni në gjurmët e Krishtit, që na kujton: ‘Kush dëshiron të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj e kush dëshiron të jetë i pari, do të jetë skllav i të gjithëve’. Të jetë kjo, e vetmja ambicje, e vetmja dëshirë: të bëheni shërbëtorë! T’i shërbeni njëri-tjetrit. E jetuar kështu, jeta juaj do të jetë profeci në këtë botë, ku ambicja për pushtet është një nga tundimet më të mëdha”.

Porositë e fundit të Papës për rregulltarët konventualë françeskanë: “Predikoni paqen, duke u pajtuar me vetveten, me Zotin, me të tjerët e me krijesat. Jetoni në harmoni, duke u nisur për çdo gjë që bëni, nga zemra  e Zotit, nga zemra e Krishtit. Jini lajmëtarë të paqes, së pari me jetë, pastaj me fjalë”.

Së fundi Papa kujtoi sa i nevojshëm është formimi i gjithanshëm, i personalizuar e i përhershëm. Formimi i zemrës, në radhë të parë, që ta ndryshon mënyrën e të menduarit, të sjelljes, të marrëdhënieve.

Të ndalohet hemorragjia e braktisjes

 këto rrethana - vërejti në përfundim Papa  - ndjehet nevoja për formues   të fortë, specialistë në dëgjim e në rrugët që të çojnë tek Zoti, të aftë për t’i shoqëruar të tjerët në këtë rrugë, njohës të artit të shqyrtimit e të shoqërimit:

“Vetëm kështu do të mund ta ndalojmë, të paktën pjesërisht, hemorragjinë e braktisjeve, që godet jetën meshtarake e rregulltare”.

Jeta e Urdhërit gjatë këtyre viteve

Në këtë këndvështrim, eprori i ri, fra Trovarelli, siguroi se në disa vende, sidomos në Jug të botës, po lulëzojnë thirrjet e reja. Foli edhe për krijimin e Universitetit Françeskan në Romë, nga Papa që - kujtoi - e dëshiron shumë si shenjë e unitetit të familjeve françeskane.

17 qershor 2019, 15:00