Kërko

Shtegtarët nga Panamaja tek Papa Shtegtarët nga Panamaja tek Papa 

Françesku, shtegtarëve të Panamasë: pashë një popull fisnik

Gjatë audiencës në Sallën e Koncilit, Papa Françesku falenderoi shtegtarët, që kishin ardhur nga Panamaja pas DBR-së së dimrit të kaluar. Pashë një vend fisnik, tha Papa, ku ka respekt dhe dashuri për njerëzit. Pastaj, ftesa e tij për të “forcuar urën ‘gjyshër-fëmijë’”.

R.SH. - Vatikan

Fjalë të thjeshta, por të thella e, sidomos, një falenderim shumë i përzemërt. Kështu i priti Papa Françesku shtegtarët e ardhur nga Panamaja, pas Ditës Botërore të Rinisë, që u mbajt në dimër, në këtë vend. Falenderimit të delegacionit, Ati i Shenjtë iu përgjigj me falenderimet e tij, duke kujtuar se fjala “faleminderit” bën pjesë në “treshen magjike”, që ai vetë e përmend shpesh: me leje, faleminderit e më fal. Janë të vetmet, që e bëjnë martesën të lumtur, nënvizoi Papa.

         “Gjeta një vend fisnik”, vijoi të fliste ai për Panamanë, ku autoritetet civile dhe fetare nuk e flijojnë afërsinë me njerëzit në altarin e “protokollit”, duke arritur të organizojnë një DBR kushtuar më të vegjëlve e më nevojtarëve:

         “Kjo është fisnikëri, është fisnikëria e qytetit, është respekti për njerëzit, dashuria për ta. E dimë se Amerika Latine kërcënohet nga shumë gjëra, që priren ta prishin këtë fisnikëri. Por ajo na rrjedh në deje. Virgjëra na mbroftë për këtë”.

         E pasi nënvizoi se duhet forcuar dialogu ndërmjet brezave, si edhe marrëdhëniet ndërmjet gjyshërve dhe të rinjve, Ati i Shenjtë vuri në dukje një aspekt tjetër të fisnikërisë së Panamasë, atë të integrimit të afro-amerikanëve dhe të indianëve:

         “Njerëzit tanë nuk u nisën prej këndej; jo, njerëzit tanë kanë edhe rrënjë, që duhet të integrohen. Aftësia për integrim është një aspekt tjetër i fisnikërisë. Isha shumë i lumtur në Panama, isha shumë i lumtur. Ndjeja normalitetin, butësinë… diçka shumë e bukur. Faleminderit juve, që e bëtë të mundur gjithë këtë e përgatituni për Takimin e dytë, që sigurisht... njëri nga pasardhësit e mi do ta mbledhë pas 150 vjetësh… pa dyshim!”

13 qershor 2019, 16:17