Kërko

 Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Françesku: lëvizje, gatishmëri e vendosmëri, për ta kumtuar Ungjillin

Ndjekja e Jezusit nuk pranon keqardhje: këtë theksoi Papa Françesku sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot. Të jesh dishepull i Mësuesit, do të thotë të jesh si Ai, i vendosur e gjithnjë në lëvizje. Edhe Kisha “nuk rri e ngrirë, e qetë pas gardhit të vet” – pohoi. Më pas, mendimi për Korenë dhe urimi, drejtuar të gjithëve, për pushime të gëzuara verore.

R. SH. - Vatikan

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku komentoi Ungjillin, që propozohej nga liturgjia e kësaj së dieleje. Domethënë, rrëfimin e Shën Lukës për udhëtimin e fundit të Jezusit drejt Jeruzalemit, ku do ta kryente misionin e tij. Në këtë fragment ungjillor takohemi me tre vetë, “tre raste thirrjeje”- i quajti Papa – që na tregojnë ç’i kërkohet atij, i cili dëshiron ta ndjekë Jezusin deri në fund të fundit.

Guximi për të lënë çdo lloj sigurie

I pari i premton bujarisht Jezusit se do ta ndjekë pas kudo, por Krishti i kujton se i Biri i Zotit nuk ka ku të mbështesë kokën, sepse ka hequr dorë nga çdo gjë, për të kumtuar Mbretërinë e Hyut. E Françesku vijoi:

“Kështu na tregon edhe ne, dishepujve të Tij, se misioni ynë në botë nuk mund të jetë statik, po dinamik, gjithnjë. I krishteri është endacak. Kisha, për vetë natyrën e saj, është gjithnjë në lëvizje, nuk rri kurrë e ngrirë, e qetë, brenda gardhit të vet. Shkon drejt horizonteve të pafundme, dërgohet për ta çuar Ungjillin udhëve e për të arritur periferitë njerëzore dhe ekzistenciale”.

Zoti, gjithnjë në krye të vendit

I dyti, si dëgjoi thirrjen e Jezusit, i lypi leje të shkojë më parë e të varrosë babain e vdekur. Kërkesë e ligjshme - kujtoi Françesku - e megjithatë, Jezusi i përgjigjet: “Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet”:

“Me këto fjalë, të thëna me qëllim provokues, Ai  dëshiron të pohojë parinë e ndjekjes e të kumtimit të Mbretërisë së Zotit, duke e vënë edhe mbi realitetet më të rëndësishme, si familja. Urgjenca për të kumtuar Ungjillin, që copëton zinxhirët e vdekjes e përuron jetën e pasosur, nuk duron asnjë vonesë, kërkon gjithnjë gatishmëri”.

Ndjekja e Jezusit e përjashton keqardhjen

Së fundi, personi i tretë, e siguron Jezusin se dëshiron ta ndjekë, por do të mund ta bëjë këtë vetëm pasi të jetë përshëndetur me familjarët. E merr nga Krishti përgjigjen: “Kushdo që vë dorën në parmendë dhe sillet e shikon mbrapa, nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Hyjit!”. Ndjekja e Jezusit i përjashton keqardhjet, kërkon vendosmëri - pohoi Papa - për të përfunduar me fjalët:

“Vlera e këtyre kushteve, që vë Jezusi - lëvizje, gatishmëri  e vendosmëri - nuk ka të bëjë me një seri mohimesh, për gjërat e mira e të  rëndësishme  të jetës. Nuk u thotë ‘jo!’. Theksi do vënë mbi qëllimin kryesor: dëshirën për të qenë dishepull i Krishtit! Zgjedhje e lirë dhe e vetëdijshme! E bërë për dashuri, për t’ia shpërblyer Zotit hirin e paçmueshëm, e jo për të vënë në pah vetveten. E trishtuar, kjo. Mjerë ata, që mendojnë ta ndjekin Jezusin, për të bërë karrierë, për ta ndjerë veten të rëndësishëm ose për të zënë vende nderi. Jezusi na do të apasionuar për Të e për Ungjillin. Me pasion që buron nga zemra, për t’u shndërruar në gjeste konkrete afërsie ndaj vëllezërve më nevojtarë, gjeste mikpritjeje e kujdesi. E për të jetuar, ashtu si jetoi Ai vetë!”.

 Gëzuar pushimet verore!

Në përfundim Papa përshëndeti shtegtarët, mbledhur në një Shesh të përvëluar nga dielli i fortë i ditës së vapët të verës. E u uroi të gjithë punëtorëve të gëzojnë një periudhë prehjeje. Së fundi, përshëndetja për njerëzit, që kalojnë çaste të vështira, në këtë periudhë:

“Lutem për ata që, në këto ditë, vuajnë nga pasojat e vapës së madhe: për të sëmurët, të moshuarit, njerëzit që duhet të punojnë në mjedise të hapura, në kantiere. Uroj që askush të mos braktiset a të shfrytëzohet”.

 

30 qershor 2019, 14:10