Kërko

Françesku: bashkësitë kishtare e civile duhet të jenë pranë refugjatëve

Pas Meshës, kremtuar në Sheshin e Cavour, lutja e Engjëllit të Tënzot. Papa kujtoi Ditën Botërore të Refugjatit, që do të kremtohet më 20 qershor si dhe figurën e së Lumes Edvige Carboni

R. SH. - Vatikan

Në prag të Ditës Botërore të Refugjatit, themeluar nga OKB-ja, Papa Françesku i ftoi bashkësitë kishtare e civile të jenë pranë refugjatëve, t’i ndihmojnë e t’i mbështesin. “Kjo ditë na fton të gjithëve për solidaritet me burrat, gratë e fëmjët në ikje nga luftërat, persekutimet, shkeljet e të drejtave themelore”-  këtë theksoi Papa, në përfundim të Meshës, kremtuar në Sheshin Cavour të Camerino-s e para lutjes së Engjëllit të Tënzot.

Përshëndetja e Papës drejtuar besimtarëve

Më pas Françesku përshëndeti jo vetëm njerëzit, që morën pjesë në Meshën Shenjte, por edhe të sëmurët, të moshuarit, të burgosurit si dhe të gjithë ata që, përmes radios e televizionit, u bashkuan shpirtërisht me banorët e San Severino Marche, të cilët Françesku do t’i përshëndesë edhe nga lart, gjatë fluturimit të helikopterit, kur të rikthehet në Vatikan.

Dëshmia e Shenjtorëve markixhanë

Duke folur për të Lumen Edvige Carboni “grua e thjeshtë e popullit, që në jetën e saj të përvuajtur, të përditshme, rroku Kryqin, duke dhënë një dëshmi të lartë feje e dashurie të krishterë, lumnuar në Sardenjë”, Papa kujtoi edhe dëshmitë e shenjtërisë, me të cilat Marche dhe zona e Camerinos janë shumë e pasura. Mendoj - vijoi Françesku - për Shën Venanzion, Shën Severinin, Shën Ansovinon, Shën Nikollën e Tolentinos, Shën Paqësorin, të Lumen Battista Varano… “E mendoj edhe për figurat e shumta të shenjtorëve të portës kundruall, që nuk janë as të lumnuar e as të shenjtëruar, por i mbështetën, i mbëshetesin e i shdërrojnë bashkësitë me forcën e jetës së tyre të krishterë”.

Vizita në Kishën Santa Maria in Via

Pa lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u ndalua për disa çaste para kishës Shën Maria in Via, për t’ia besuar Asaj mbarë bashkësinë dioqezane.

16 qershor 2019, 13:51