Papa, gjatë liturgjisë hyjnore në Blaj Papa, gjatë liturgjisë hyjnore në Blaj 

Dita e fundit për Papën Françesku në Rumani

Ati i Shenjtë ndodhet sot në Blaj, në rrafshnaltën transilvane, etapë përfundimtare e udhëtimit të tij të pestë ndërkombëtar gjatë këtij viti.

R.SH. - Vatikan

Liturgjia hyjnore me lumnimin e 7 ipeshkvijve martirë greko-katolikë dhe takimi me bashkësinë rom të Blaj-it: këto janë ngjarjet e ditës së fundit të Papës Françesku në Rumani, ku mbërriti më 31 maj, për shtegtimin e tij të 30-të apostolik, me temë: “Të ecim së bashku”. 20 vjet pas vizitës së shën Gjon Palit II, Ati i Shenjtë përshkoi pjesën më të madhe të vendit, për të mbërritur sot në Blaj, duke kaluar më parë në Sibiu.

Kujtimi i martirëve

         Në Fushën e Lirisë, në zonën lindore të Blaj-it, në orën 11.00 vendase (10.00 në trevat shqiptare), u kremtua liturgjia hyjnore me lumnimin e shtatë ipeshkvijve martirë greko-katolikë: imzot Iuliu Hossu, imzot Vasile Aftenie, imzot Ioan Bălan, imzot Valeriu Traian Frenţiu, imzot Ioan Suciu, imzot Tit Liviu Chinezu, imzot Alexandru Rusu. Në këtë vend, më 15 maj 1848, u mblodhën më se 40 mijë vetë për të kërkuar njohjen e popullit rumun si komb, me liri e të drejta të barabarta me kombet e tjera. Po këtu, ruhet edhe kujtesa e martirizimit të katolikëve gjatë diktaturës komuniste.

Takimi me bashkësinë rom

         Pasdite, takimi i Papës me bashkësinë rom të Blaj-it. Ati i Shenjtë shkon në lagjen më të lashtë të qytetit të Transilvanisë, për të përqafuar ata që, sipas regjistrimit të fundit, përbëjnë 9% të popullsisë. Kisha greko-katolike rumune merret prej kohësh me kujdesin baritor dhe me ndihmën shoqërore për këtë bashkësi.

“Roma e vogël”

E ngritur në pikën e takimit ndërmjet dy lumenjve Tarnava, Blaj bëhet qendra e katolikëve rumunë të Transilvanisë më 1737, pas transferimit të selisë ipeshkvnore nga Făgăraş, vendosur nga ipeshkvi Ioan Inochentie Micu Klein. Duke u nisur nga trinomi Kisha-shkolla-kombi, më 1754, ipeshkvi greko-katolik Petru Pavel Aron hapi shkollat e para sistematike rumune në Transilvani, që formuan traditën e njohur si “Shkolla Transilvane”, shprehje e Iluminizmit Rumun. Shkrimi Shenjt u përkthye për herë të parë në rumanisht në vitin 1795, duke hyrë në histori me emrin “Bibla e Blaj-it”, e cila u ribotua në vitin 2000 nga Tipografia e Vatikanit. Poeti rumun Eminesku e ka quajtur Blaj-in “Roma e vogël”.

02 qershor 2019, 11:59