Kërko

Papa ne lutje para Zojës se Bekuar Papa ne lutje para Zojës se Bekuar 

Papët, për Virgjërën Mari

Të gjithë Papët e kanë përshkruar, sipas ndjenjave të tyre, lidhjen bijnore me Nënën e Zotit. Në ditën e festës të Zojës së Fatimës, që luajti një rol të dorës së parë në jetën edhe shërbesën papnore të Gjon Palit II, po kujtojmë disa iskra nga devocioni i Papëve të epokës moderne për Nënën e Krishtit.

R. SH. - Vatikan

Duke kujtuar, dje, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, festën e nënës, Papa Françesku nuk mund ta harronte “Nënën tonë qiellore”, që po e kremtojmë sot,  13 maj, me emrin Zoja e Fatimës:

“Asaj - theksoi Françesku - ia besojmë vetveten, për ta vijuar me gëzim e bujari udhën tonë”.

Aty nga mbarimi i Viti Shenjt 1950, pak vite pas përfundimit të luftës, në një botë të shndërruar në gërmadhë, ndërmjet ankthit të përgjithshëm e  dëshirës për të rilindur, Piu XII pa, në Marinë, një nga pikat më të rëndësishme të mbështetjes për njerëzimin e përhumbur e të çorientuar:

“Përmes planit të pashqyrtueshëm hyjnor, mbi njerëzit e breznisë së sotme, kaq të tronditur e të plagosur, të përhumbur e të zhgënjyer, por edhe në kërkim të shqetë të së mirës së bjerrun, hapet një kind i ndritshëm në qiell, me bardhësi vezulluese, me shpresë, jetë të lume, atje ku rri Maria, Mbretëresha e Nëna, pranë Diellit të drejtësisë”.

“Dritë, në mes të errësirës së kohës sonë”. Kjo metafora e përdorur nga Gjoni XXIII, në sa i drejtohej, përmes radios, qytetit  të Tortonës, me rastin e ndezjes së impiantit të ndriçimit të shtatores së Marisë, mbi kullën e shenjtërores të Zojës së Rojes. Maria u duk, kështu, si dritë e vërtetë, në natën e kohëve:

“Ju e doni Virgjërën e Shenjtërueshme në majë të mendimeve tuaja e të ndjenjave tuaja! E doni Mbretëreshën e ëmbël të shpirtrave tuaj, prijësen e  sigurt të vullneteve tuaja, mbështetjen e hapave, frymëzuesen e lartë për t’i përngjarë Krishtit, modelin e shenjtërimit tuaj; e dëshironi edhe që, nga atje lart, t’i shikojë shtëpitë tuaja e t’i mbrojë familjet tuaja, t’i mbushë bijtë tuaj me dëshira qielli e me propozime pastrie, t’i ndjekë ëmbëlsisht, siç uronte Don Orioni, edhe hapat e të ngutshëmve, që nuk hyjnë në Kishë,  të shtyrë nga interesat kalimtare të një jete të varfër e, së fundi t’u tregojë të gjithëve gjënë e vetme, të nevojshme, për shpëtimin e shpirtit: ta duan Zotin, duke u lëshuar plotësisht në krahët e mëshirës së Tij e të dëshirave të Tij të urta”.

Nga një metaforë, në tjetrën: Maria, paraqitet si dritë për njerëzimin, por edhe si portë, për të hyrë atje ku rri Krishti. Ja leximi teologjik i Palit VI, në festën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, 1977:

“… jeta e Zojës! Është Zoti, që bëhet njeri e gjen një portë të pastër, të rindërtuar, pas rënies së Evës, sepse Zoti dëshiron të vëllazërohet me ne, të hyjë ndërmjet nesh. E kjo portë “ianua caeli”, është Zoja, kryevepër e mirësisë dhe e urtisë së Zotit, prania e tij e dëshiruar në jetën e botës. Për të krijuar Kishën, Zoti krijoi një nënë, Nënën e Krishtit dhe i dhuroi Marisë lumninë e përvujtërisë, për një detyrë të kësaj natyre, të kësaj rëndësie. Mister, që e kemi fare pranë, që i flet shpirtit të secilit prej nesh, sepse Zoja është edhe Nëna jonë. Zoti  deshi, përmes saj, të afrohej, të përzjehej me turmën njerëzore. Deshi të ishte njëri nga ne, përmes pranisë së Bekuar, që nuk mund të kremtohet kurrë aq sa meriton, të Marisë”.

Por më mariani ndërmjet Papëve, ishte pa dyshim Gjon Pali II, që pati kujtuar, në moton e tij  papnore, se i përket plotësisht Nënës së Krishtit: “totus tuus” – “jam krejt yti!”. Jetim që në moshë të njomë, Karol Wojtyla gjeti tek Virgjëra yllin e tij polar, për të mos folur për atentatin e 38 vjetëve më parë, atë të 13 majit 1981, ditë feste e Zojës së Fatimës, kur Papa vetë shprehu bindjen se vetë dora e Zojës e kishte dredhuar plumbin  nga pikat jetike të trupit të tij. Ky plumb, që një vit më pas iu dhurua shenjtërores së Fatimës, u rikthye në Itali, i ngërthyer në kurorën që stoliste kokën e Shtatores së Marisë, në vitin 1984, kur Zoja vizitoi disa dioqeze që mbanin emrin e saj. Nësa bëhej gati të rikthehej në shtëpinë e vet, më 25 mars të vitit 1984, Gjon Pali II i drejtohej drejtpërdrejt Zojës. E, me respekt të thellë, i kërkonte falje për… trazimin e krijuar gjatë lëvizjeve të kësaj vizite:

“Si ipeshkëv i Romës, dëshiroj të të falënderoj ty, Nënë e Krishtit, Zoja jonë e Fatimës, për vizitën tënde në Bazilikën e Shën Pjetrit, në një ditë kur Bazilika e ky Shesh, përplot me shtegtarë të Vitit Shenjt të Shëlbimit,  mundën të asistojnë në një akt solemn, thellësisht të ndjerë, madje do të thosha tronditës, gjatë të cilit ia besuan vetveten Zemrës sate të papërlyer e, nëpërmjet kësaj zemre, edhe Birit  tënd, Shëlbuesit të njeriut! Ia besojmë gjithë vetveten zemrës sate të panjollë, zemrës amtare, zemrës në të cilën e mbajte Zotin! Ia besojmë vetveten kësaj zemre amtare, sepse me këtë zemër ti i përqafon të gjithë dishepujt e tu, madje, të gjithë njerëzit(…). Duam ta përhapim hirin tënd në të gjitha mjediset e qytetit të madh, dioqezës së Papës!”.

Edhe Benedikti XVI e falënderoi Marinë. Kryesisht me rastin e Festës së Zojës së Papërlyer të 2005-së, në 40-vjetorin e mbylljes së Koncilit II të Vatikanit kur, Papë vetëm prej pak muajsh, Jozeph Ratzinger vinte tek këmbët e shtatores, në zemër të Romës, ankthet e trazirat e mbarë njerëzimit të kohës së tij, por jo pa shikuar edhe horizontet e kohëve, që do të vinin:

“Kujtoj ngjarjet e shumta të 40-vjetëve të kaluara. E si mund të mos i rijetojmë sot çastet e ndryshme, që lanë gjurmë në udhën e Kishës në këtë periudhë? Zoja i ndihmoi gjatë këyre katër dhjetëvjeçarëve Barinjtë e, në radhë të parë, Pasardhësit e Shën Pjetrit në shërbesën e tyre kërkuese në shërbim të Ungjillit; i priu Kishës drejt kuptimit dhe zbatimit të dokumenteve koncilare. Prandaj, duke u bërë zë i mbarë bashkësisë së  krishterë, dëshiroj ta falënderoj Virgjërën e Shenjtnueshme e t’i drejtohem  asaj me të njëjtat ndjenja, që frymëzuan etërit konciliarë, të cilët ia kushtuan pikërisht Marisë kapitullin e fundit të kushtetutës dogmatike Lumen gentium, duke nënvizuar lidhjen e pazgjidhshme, që bashkon Virgjërën, Nënën e Zotit e Nënën tonë të shumëdashur me Kishën. Po, duam të të falënderojmë për ndërmjetësimin tënd në favor të Kishës. Ti, që duke përqafuar pa asnjë ngurrim vullnetin hyjnor, iu kushtove me të gjitha energjitë Vetjes e veprës së Birit tënd, na mëso t’i ruajmë në zemër e t’i meditojmë në heshje, ashtu si bëre ti, misteret e jetës së Krishtit”.

13 maj 2019, 16:19