Kërko

 Fëmijë emigrantë Fëmijë emigrantë 

Papa: të interesohesh për migrantët, do të thotë të interesohesh për ne të gjithë!

“Nuk është fjala vetëm për migrantët”: ky, titulli i mesazhit të Papës Françesku për Ditën Botërore të Migrantit dhe Refugjatit 2019, që do kremtohet më 29 shtator. Migrantët - shkruan - na ndihmojnë t’i lexojmë shenjat e kohëve. Përmes tyre Zoti na bën thirrje të pendohemi e të çlirohemi “nga indiferenca dhe nga kultura e hedhurinës”.

Shkapërderdhja e njerëzimit, padrejtësitë e diskriminimet, frika nga tjetri e, posaçërisht ftesa për të mos u dorëzuar para logjikës së botës “që e justifikon shpëdorimin e detyrës për interesat personale ose të grupit”,  e, prej këndej, e vë veten në plan të parë! Këto, temat që prek Françesku, në Mesazhin për Ditën Botërore të Migrantit dhe Refugjatit 2019, me temë “Nuk është fjala vetëm për migrantët”. Në të, Ati i Shenjtë nënvizon me forcë: “Motoja e vërtetë e të krishterit nuk është 'i pari jam unë' por 'të parët, janë të fundmit!'".

Gjykimi për migrantët, kumbonë alarmi

Ndahet në shtatë pjesë, Mesazhi papnor. Reflektimi i Atit të Shenjtë niset nga globalizimi i indiferencës, për të na kujtuar se më të varfërit e më fatzinjtë janë ata që paguajnë haraçin e luftërave, të padrejtësive, të diskriminimeve. Ata, viktimat e trafikut, janë bërë emblemë e përjashtimit sepse, përveç vështirësive që u duhet të kapërcejnë për shkak të gjendjes së tyre, shpesh shikohen me sy të shtrembër, gjykohen keq e konsiderohen si shkaktarë të të gjitha plagëve shoqërore

Sjellja ndaj tyre tingëllon si kumbonë alarmi, duke të kujtuar qartë zvetënimin moral  të shoqërisë, që i hap udhën kulturës së hedhurinës:

“Duke u interesuar për ta, interesohemi edhe për vetveten, për të gjithë; duke u kujdesuar për ta, rritemi të gjithë; duke i dëgjuar, i japim zë edhe  pjesës sonë, që ndoshta e mbajmë të fshehur, sepse sot nuk shikohet me sy të mirë”.

Frika jonë

Françesku nënvizon se frika nga i panjohuri, i përjashtuari, i huaji, është shëmtimi i kohës sonë. Frika - nënvizon - është e ligjshme, sepse mungon përgatitja për këtë takim, ndërsa vijojnë kushtëzimet dhe paaftësia për ta takuar qetësisht atë, që është i ndryshëm prej meje:

“Problemi krijohet kur këta faktorë kushtëzojnë mënyrën tonë të mendimit e të veprimit deri në atë pikë, sa të na bëjnë intolerantë, të mbyllur, ndoshta , pa e kuptuar fare, edhe racistë”.

Bamirësia e vërtetë është ajo, që  bëhet pa pritur shpërblim

“Nuk është fjala vetëm për migrantët; është fjala për vetë bamirësinë” - nënvizon Papa - sepse feja jonë dëshmohet pikërisht përmes veprave të mira!

Të bëhemi njerëzorë

Nga bamirësia, kalohet tek mëshira, që prek kordat më të ndjeshme të humanitetit tonë, duke na dhënë shtytjen të bëhemi i afërmi i njeriut në çaste të vështira. Për Papën:

“Bamirësia më e lartë ushtrohet ndaj atij, që nuk është i zoti të ta kthejë e, ndoshta, as të të falënderojë”.

Armë, që shiten nga ata që vrasin, por nuk pranojnë

Në botën “mizore plot me të përjashtuar”, ka akoma shumë vende të pazhvilluara, që vijojnë të jenë viktima të grabitjes së burimeve të tyre më të mira natyrore e njerëzore, në dobi të pak tregjeve të privilegjuara, por  zhvillimi i vërtetë kalon përmes përfshirjes, jo përjashtimit, për të mirën e breznive të ardhshme:

“Luftërat shpërthejnë vetëm në disa zona të botës, por armët për t’i bërë prodhohen e shiten në zona të tjera, të cilat pastaj nuk duan t’ia dinë fare për refugjatët, pasojë e këtyre konflikteve. Ata që paguajnë haraçin, janë gjithnjë të vegjlit, të varfërit, të ligshtët, të cilët nuk lejohen të ulen në sofrën e botës! Atyre u lihen vetëm thërrimet e gostisë. Që bien poshtë tryezës së begatë!”.

Të parët duhet të jenë të fundmit

Duhet përmbysur logjika e botës, për të cilën “i pari jam unë”. E “pastaj vjen tjetri”. Duhet përmbysur fryma individualistike, “tokë pjellore  për rritjen e indiferencës ndaj të afërmit, që të nxit ta trajtosh tjetrin si të ishte mall tregu":

“Nuk është fjala thjesht për migrantët: është për t’i vënë të fundmit në krye të vendit. Motoja e vërtetë e të krishterit është ‘më parë, të fundmit’”.

Njeriu, në qendër

Zemra e misionit të Jezusit - shkruan Papa - është që të gjithë të marrin dhuratën e jetës, e ta marrin me begati:

“Në çdo veprimtari politike, në çdo program, në çdo aksion baritor - nënvizon akoma - duhet ta vëmë gjithnjë në qendër njeriun, në të gjitha përmasat e tij, duke përfshirë edhe atë shpirtërore. E kjo vlen për të gjithë njerëzit, të cilëve u duhet njohur barazia  themelore”.

Viktima të një gënjeshre të madhe

Për Papën, të ndërtosh qytetin e Zotit e të njeriut do të thotë  ta shikosh migrantin e refugjatin “jo vetëm si problem, që duhet përballuar, por kryesisht si vëlla e si motër, që duhet mikpritur, duhet respektuar, duhet dashur. Ta shikosh si rast, që të jep Provania për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë. Sfida, që krijojnë migracionet bashkëkohore mund të përmblidhet me katër folje: “të mikpresësh, të mbrosh, të promovosh, të integrosh”.

Migrantët, për të lexuar shenjat e kohëve

Kthesa dhe çlirimi nga kultura e hedhurinës kalon përmes fytyrës së të varfërve, migrantëve e refugjatëve. Duhet një zemër e re, për të ndërtuar botën, që i përgjigjet më shumë planit të Zotit:

“Migrantët, e posaçërisht ata më të ligshtit, na ndihmojnë t’i lexojmë ‘shenjat e kohëve’. Përmes tyre Zoti na bën thirrje për kthesë, për t’u çliruar nga çdo prirje për përjashtim, nga indiferenca e nga kultura e hedhurinës”.

 

27 maj 2019, 14:13