Kërko

Katedralja e Shën Jozefit në Bukuresht Katedralja e Shën Jozefit në Bukuresht  

Rumania

Disa të dhëna për vendin, që po viziton Papa Françesku

R. SH. - Vatikan

Rumania ndodhet në Evropën Lindore. Kufizohet, në jug, me Bullgarinë e veriut; në lindje, me Ukrainën; në perëndim, me Hungarinë e Serbinë; në lindje, me Moldovën e në jug-lindje, del në Detin e Zi.

Kryeqyteti: Bukuresht (1. 877.155 banorë)

Sipërfaqja:  238.391 kmk;

Popullsia: 19.644.000 banorë

Dendësia: 82 banorë/kmk;

Gjuha: rumune

Grupet kryesore etnike: rumunë (89%), hungarezë (7%), rom (2%), gjermanë (1%), të tjerë(1%).

Feja: ortodoksë (87%;); katolikë (7%), të tjerë(6%)

Forma e qeverisë: Republikë gjysëmpresidenciale

Njësia monetare: leu rumun (1.00 EUR= 4,76 RON)

Pjesëmarrja në organizatat ndërkombëtare: anëtare Këshillit të Evropës, EBRD, NATO, ONU, OSBE, UE, WTO, Vëzhguese OAS.

Pakëz histori:

E përshkuar nga malet Karpate, që lidhin rajonet tradicionale të Moldavisë, Vllahisë e Transilvanisë, Rumania e ruajti në shekuj identitetin e saj kombëtar, fryt i integrimit të qytetërimit të lashtë autokton dak e atij romak, çimentuar nga gjuha e përbashkët me bazë latine, krejt e ndryshme nga gjuha e popujve të tjerë të Evropës qendro-lindore. Në historinë moderne të vendit lindin aspiratat për të fituar autonominë si entitet kombëtar, një herë nga Turqia, pastaj nga Hungaria fqinje. Fomacionet e para politike  rumune  nisin në Mesjetën e vonë, e pikërisht në shekullin XIV, kur rumunët nisën të grupohen në “Vojvodatet e mëdha” të Vllahisë e të Moldavisë, ndërsa Transilvania pati një evolucion të ndryshëm, pas  depërtimit të maxharëve dhe bashkimit të mëtejshëm me Mbretërinë e Hungarisë (Shek XII), që zgjati, me ndërprerje, për disa shekuj. Në të tre rajonet, rumunët ruajtën e zhvilluan një kulturë krejt të veçantë, në lidhje të ngushtë me botën bizantine.

Rumania u formua si shtet në vitin 1862, kur Moldavia dhe Vllahia u bashkuan në një principatë të vetme (Romanya Prensliği), duke u detyruar t’i paguajnë haraç Perandorisë Otomane deri në vitin 1877. E lidhur, gjatë Luftës I Botërore, me Aleancën Tripalëshe, pas shembjes së Perandorive qendrore pushtoi trojet e afërta të Transilvanisë, Crisanas, Maramures, Banato, Bukovinës dhe Besarabisë, duke i bashkuar të gjithë rumunët në një shtet të vetëm.

Periudha ndërmjet dy luftërave qe plot me tensione të dhunshme e qeveri diktatoriale, që i zunë vendin njëra-tjetrës. Një rol tejet të rëndësishëm në këtë kohë nisën të luajnë Rojet e Hekurta, organizatë paraushtarake me prirje fashiste e anti-semite, themeluar në vitin 1930. E lidhur me Gjermaninë naziste gjatë Luftës II Botërore, në vitin 1947 Rumania u shpall Republikë Popullore, duke hyrë në orbitën sovjetike, nga e cila u distancua formalisht pas marrjes së pushtetit nga ana e Nicolae Ceaușescu-t, që ndoqi një politikë më të pavarur nga Moska. Por distancimi nga Moska nuk e zbuti aspak rreptësinë e autoritarizmit të regjimit që, me kalimin e kohës, mori gjithnjë më shumë karakter totalitarist. Vështirësitë ekonomike në rritje dhe keqësimi i mëtejshëm i kushteve të jetesës së popullsisë, njëherësh me shtypjen policore dhe izolimin ndërkombëtar, shkaktuan, gjatë viteve ’80, rritjen e vazhdueshme të pakënaqësisë popullore. Kjo pakënaqësi arriti kulmin në dhjetor 1989, me revoltën e mirënjohur, gjatë së cilës Ceaușescu dhe bashkëshortja e tij pësuan fatin e qindramijëra të pushkatuarve për shkak të disidencës kundër regjimit të tyre, të shumëngjashëm me atë të vendeve satelite të Moskës. Në vitin 1990 u formua një qeveri garancie, me në krye ish-udhëheqësin komunist,  Ion Iliesku (Psdr), që fitoi zgjedhjet në vitet 1996 e 2000.

Që asokohe pushteti kaloi herë në dorë të forcave të qendrës së djathtë e herë asaj të qendrës së majtë. Në vitin 2004 vendi hyri në Nato. Sivjet është president turni i Bashkimit Evropian, ku u pranua më 2007. Në zgjedhjet e fundit politike të vitit 2016 u ndje fort ndikimi i Partisë Socialdemokratike (Psd), e cila që më 2018-tën formoi qeverinë e re të koalicionit, udhëhequr nga Viorica Dăncilă. Qeveria po vë në jetë reformën gjyqësore, kritikuar edhe në selinë komunitare për ndikimin negativ në luftën kundër korrupsionit e në përpjekjen për pavarësinë e magjistraturës.

Në Rumaninë e pasur me burime natyrore, posaçërisht me naftë e gaz natyror, pas rënies së regjimit të Ceaușescu-t, në vitet 2000-2010 u trifishua prodhimi industrial, falë edhe investimeve të jashtme. Megjithatë, prodhimi i punës mbetet nga më ultët në BE sepse, pavarësisht nga financimet komunitare, modernizimi i infrastrukturave, i domosdoshëm për zhvillimin e frytshëm të ekonomisë, ecën me hapa shumë të ngadalshme.

Pavarësisht nga rritja e prodhimit të brendshëm brut,  këto vitet e fundit, një nga problemet më të mprehta në vend mbetet varfëria, njëherësh me korrupsionin. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2016, Rumania zë vendin e parë në Bashkim për numrin e njerëzve që rrezikohen të mbushin radhët e të varfërve (25,3%). Statistikat flasin për 85 mijë rumunë të larguar nga vendi vetëm vitet e fundit. Ndërmjet viteve 2015- 2016, më se 10 mijë fëmijë hynë në sistemin e mbrojtjes shtetërore, sepse prindërit e tyre u larguan nga vendi e 10%  e tyre u transferuan nga sistemi asistencial i posaçëm, tek familjarët. Ndërkaq, ikja e prindërve, në kërkim të një pune më të mirë jashtë vendit, vijon! Migrim, që u shtua edhe më shumë pas hyrjes së vendit në BE.

31 maj 2019, 10:02