Kërko

Njëzet vjet para Françeskut, shtegtimi i Gjon Palit II në Rumani

Të premten e ardhshme Papa Françesku do të fillojë shtegtimin e apostolik në Rumani, njëzet vjet pas vizitës së Gjon Palit II në vend. Duke u kthyer me kujtime njëzet vjet mbrapa, po ecim mbi gjurmët e Gjon Palit II, me shkimin e ngulur mbi shtegtimin e ri, atë të Françeskut

R. SH. - Vatikan

Bukuresht, maj 1999. Nga Parku Podul Izvor, pas Meshës, lartohet papritmas një britmë e fuqishme: “Unitate, unitate” (unitet, unitet). Është britma, që shpërthen vetvetiu nga gjokset e besimtarëve katolikë e ortodoksë, ndërsa para tyre kalojnë Papa Gjon Pali II së bashku me Patrikun  e Kishës ortodokse rumune, Teoctist. E ndoshta kjo është një nga pamjet më  prekëse, që mbeti në kujtesë nga shtegtimi i një Pape, në një vend me shumicë ortodokse.

Ekumenizmi

Ishte një shtegtim me shije të fortë ekumenike, dhjetë vjet pas shembjes së Murit të Berlinit. Që ditën e parë, të premten, më 7 maj të vitit 1999, Gjon Pali II dhe Teoctisti vizituan së bashku Katedralen Patriarkale. E bashkë ishin edhe gjatë përshëndetjes, në prag të Selisë Patriarkale. Përsëri bashkë, të shtunën, për takimin me Sinodin e Shenjtë. E akoma, mëngjesin e së dielës, në Sheshin Unirii të Bukureshtit, për Liturgjinë Hyjnore, kremtuar nga Patriku së bashku me Anëtarët e Sinodit të Shenjtë, në praninë e Papës, e edhe pasdite, për Meshën e kremtuar nga Gjon Pali II, në parkun Podul Izvor, në praninë e patrikut Teoctist. Çaste të paharrueshme, që nisën me një përqafim paqeje e u vulosën me britmën e besimtarëve për bashkim! E fortë dhe e shprehur shumë herë dëshira e Wojtylës për unitetin, ashtu si dhe urimi i tij për bashkimin e plotë të besimtarëve në Krishtin. Dëshirë, që do t’ua linte amanet pikërisht të rinjve, në ceremoninë e lamtumirës:

“Këto ditë Shpirti Shenjt ju dorëzon ju, të rinj, ‘ëndrrën e Zotit’: që të gjithë njerëzit të bëjnë pjesë në një familje të vetme e të gjithë të krishterët të jenë një gjë e vetme. Hyni me këtë ëndërr në mijëvjeçarin e ri!”.

Martirizimi

Ishte shtegtim në një vend, i cili vetëm dhjetë vjet më parë kishte dalë nga tuneli i diktaturës komuniste, me barrën e rëndë të persekutimit mbi shpinë. Barrë e padurueshme sidomos për Kishën greko-katolike, nxjerrë jashtë ligji nga partia komuniste, që më 1948. Gjon Pali II shkoi personalisht në varrezën Belu e u ndal një copë herë para varreve të ipeshkvit Vasile Aftenie e të kardinalit Iuliu Hossu, të dy viktima të persekutimit të cilët - së bashku me shtatë ipeshkvij greko-katolikë martirë, do të lumnohen pikërisht nga Françesku gjatë shtegtimit të tij apostolik. U vranë nga urrejtja për fenë, në vise të ndryshme të Rumanisë, ndërmjet viteve 1950-1970. Gjatë Meshës, kremtuar në Katedralen e Shën Jozefit, në Bukuresht, Gjon Pali II kujtoi:

“Po vij këtë çast nga varreza katolike e këtij qyteti: mbi varret e pak martirëve të njohur e mbi eshtrat e shumë të tjerëve, të cilët nuk patën as nderimin e një varrimi të krishterë, po u kalben në gropa të përbashkëta, u luta për ju të gjithë e u kërkova martirëve e dëshmitarëve tuaj të fesë, të ndërmjetësojnë për ju pranë Atit, që është në qiell. Ju luta posaçërisht ipeshkvijve, sepse vijojnë të jenë barinjtë tuaj nga qielli: Vasile Aftenie e Ioan Balan, Valeriu Traian Frentiu, Ioan Suciu, Tit Liviu Chinezu, Alexandru Rusu”. Kujtova edhe kardinalin Iuliu Hossu, i cili ndenji këtu deri në vdekje, duke hequr dorë nga mundësia e shtegtimit në Romë, për të marrë kësulën kardinalore, sepse kjo do të thoshte të largohej nga toka e tij e dashur”.

 Një përshëndetje prekëse Papa i drejtoi kardinalit Alexandru Todea që, gjatë kohës së regjimit komunist, kishte kaluar 16 vjet në burg e 26, në arrest shtëpiak.

Virgjëra Mari dhe uniteti

Papa Françesku shkon në Rumani, njëzet vjet pas shtegtimit të Gjon Palit II. Gjithnjë në maj, muaj i lidhur tradicionalisht me Marinë. Nuk do të shkelë vetëm në Bukuresht, por do të vizitojë edhe Shenjtëroren Sumuleu-Ciuc, vend shtegtimi që nga gjysma e shekullit XVI, në një zonë me shumicë maxhare. E akoma, qytetin Iasi e Blaj. Në Bukuresht do të takohet me Patrikun e Kishës Ortodokse të Rumanisë, Daniel e me Sinodin e përhershëm. Do të takojë besimtarët katolikë të riteve të ndryshme, të pranishëm në Rumani: të ritit latin, bizantin e armen. Nuk është e rastit motoja e vizitës së Françeskut “Ecim së bashku”. Ndjehet fort në të nevoja për unitet e këtij vendi të pasur me tradita të ndryshme e urë ndërmjet kulturës latine e asaj sllave, si dhe theksimi i fortë i devocionit marian. Nëse asokohe, në vitin 1999, Gjon Pali II e quajti këtë tokë të bukur “kopsht i Nënës së Zotit”, sipas një formule të dashur për të gjithë besimtarët, logoja e shtegtimit apostolik të Papës Françesku e bën edhe më të dukshme këtë lidhje ndërmjet Marisë dhe unitetit, duke treguar popullin e Zotit, që ecën së bashku nën mantelin e Virgjërës.

Tornielli: dëshmi ekumenizmi “nga poshtë”

Në Meshën e asaj dite, kur në Bukuresht lartohej britma “unitate, unitate”, ishte edhe Andrea Tornielli, drejtor editorial i Dikasterit për Komunikimin. Në një intervistë me don Adrian Danca-n, Tornielli kujton pikërisht shpresën që lindi në fushën ekumenike nga prania e Gjon Palit II e edhe britmën e lartuar atë ditë, që sot tingëllon si përshpejtim i thirrjes së Papës Françesku, i cili na mëson ta shikojmë edhe ekumenizmin që duhet të nisë “nga poshtë”. Sepse kështu të krishterët do të mund të japin së bashku, dëshmi në favor të të fundmëve, të të varfërve, të drejtësisë! Kjo britmë për bashkim ishte, prandaj, dëshmi e një ekumenizmi nga poshtë, shumë i rëndësishëm edhe për Evropën e sotme!

26 maj 2019, 17:44