Imzot Ioan Robu, kryeipeshkëv metropolit i kryedioqezës latine  të Bukureshtit Imzot Ioan Robu, kryeipeshkëv metropolit i kryedioqezës latine të Bukureshtit 

Rumania. Imzot Robu: e presim Papën me krahë hapur

Pritja e Papës në Bukuresht e në të gjithë Rumaninë, në fjalët e kryeipeshkvit metropolit të kryedioqezës latine të Kryeqytetit, imzot Ioan Robu

R. SH. - Vatikan

Ky, që fillon të premten e ardhshme, në Rumani, është shtegtimi i 30-të apostolik i Papës Françesku. Papa i dytë, që shkel në këto troje, pas Shën Gjon Palit II, i cili ishte këtu në vitin 1999. Por, ta njohim shkurtimisht Rumaninë, me 20 milionë banorë, 86% e të cilëve, ortodoksë e rreth 7,3%, katolikë. Ditën e parë Papa do ta kalojë në Bukuresht: etapë ekumenike, por edhe takim me bashkësinë katolike, pasdite vonë, në Meshën, që do të kremtohet në katedralen e Shën Jozefit. Paradite, ceremonia e mirëseardhjes nga ana presidentit të Republikës, Klaus Werner Iohannis; takimi me kryeministrin e, më pas, me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik. Pasdite, etapa ekumenike në Patriarkanën ortodokse rumune, ku një pllakë përkujtimore të sjell menjëherë në mend  takimin  e patrikut Teoctist me Shën Gjon Palin II, në vitin 1999. Këtu Françesku do të ketë një takim privat me Patrikun ortodoks rumun Daniel e, pastaj, edhe me Sinodin e përhershëm të Kishës Ortodokse rumune. Ati i Shenjtë do të shkojë edhe në katedralen e re ortodokse të Shëlbimit të Popullit, e cila, ndonëse e pakryer plotësisht, u përurua në vitin 2018, me rastin e njëqind vjetorit të formimit të të ashtuquajturës “Rumania e madhe”. Në listën e donatorëve figuron edhe emri i Gjon Palit II, që la aty një dhuratë, pikërisht gjatë shtegtimit të tij apostolik. Këtu Papa do të shqiptojë një përshëndetje dhe një Atynë. Imzot Ioan Robu, kryeipeshkëv dhe metropolit i kryedioqezës latine të Bukureshtit, nënvizon atmosferën e gëzimit e të pritjes, e cila ndjehet fuqimisht në vendin, që pret Papën Françesku.

Por, për këtë atmosferë, të dëgjojmë intervistën e imzot Robu:

“Nëse mendoj për bashkësitë tona katolike e jo vetëm, mund të them se kudo mbretëron atmosfera e gëzimit. Privilegj i madh për ne, ta kemi pranë Papën Françesku. E dimë se Ati i Shenjtë nderohet shumë në vendin tonë, e jo vetëm nga katolikët. Prandaj të gjithë e presim me krahë hapur: unë, Shteti me Presidentin, Kisha ortodokse, dioqezat, që do të vizitojë Ati i Shenjtë; të gjithë përgatiten që vizita të jetë festë e madhe për ne”.

Papa Françesku vjen në Rumani njëzet vjet pas vizitës së Gjon Palit II,   dëshmitar i së cilës jeni edhe ju, sepse që asokohe ishit prijës i kryedioqezës së Bukureshtit. Ç’ka ndryshuar në Rumani në këto 20 vjet, posaçërisht në këndvështrimin fetar?

“Nga pikëpamja fetare, Rumania nuk ka ndryshuar fare këto njëzet vjet. Ndërsa nga pikëpamja shoqërore dhe ekonomike, Papa Françesku do ta gjejë vendin më të ndarë. Por, motoja e vizitës ‘Të ecim së bashku’, shpresojmë të ketë jehonë të madhe në zemrat e të gjithëve, për unitetin tonë”.

Janë ende gjallë në kujtesë, pamjet e vizitës së Gjon Palit II, e vijon të jehojë britma mbarëpopullore: “Unitate!”- “Bashkim” - që u lartua njëzëri nga besimtarët ortodosë e katolikë. Atëhere, sipas jush, Rumania ka nevojë për të ecur në udhën e unitetit…

“Në jetën e përditshme marrëdhëniet ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve janë shumë të mira. Në kryedioqezën time, rreth gjysma e familjeve janë  të përzjera; jetojnë e punojnë së bashku, duke e respektuar njëri-tjetrin. Jam, prandaj, i bindur se britma ‘Unitate! Unitate!’ e atëhershme, nuk do të harrohet kurrë, as nga ne katolikët e as nga ortodoksët. Do t’u ushtojë në shpirt, duke u kujtuar të gjithëve fjalën e Jezusit, që të gjithë të jenë një gjë e vetme”.

Dy fjalë për vendin, që do të gjejë Françesku? Edhe në këndvështrimin shoqëror, në të cilin jeton sot Rumania. Posaçërisht në disa zona, që kanë një problem të madh: shumë njerëz shkojnë në vende të tjera, për të kërkuar punë…

“Kjo krijon një vështirësi të madhe për Rumaninë e edhe për Kishën, sepse janë bërë tashmë miliona rumunë, që punojnë jashtë, në Itali, Spanjë, në mbarë Evropën e edhe jashtë saj. Kjo u shkakton shumë vuajtje familjeve tona, sepse njerëzit ikin, duke i lënë në shtëpi  fëmijët, që rriten pa nënë pa baba. Herë u mungon njëri, herë tjetri e herë të dy, e për një kohë të gjatë. Familjet, të rinjtë, ikin për të siguruar një pagë më të mirë, një jetë më të mirë, se kjo që u siguron Rumania!”.

28 maj 2019, 12:10