Kërko

 Papa arriti në Rumani: ceremonia e pritjes Papa arriti në Rumani: ceremonia e pritjes 

Papa Françesku arriti në Rumani

Filloi shtegtimi i 30-të apostolik i Papës Françesku në Rumani, ku do të jetë deri më 2 qershor. Vizita, me moton “Të ecim së bashku”, është e dyta e një Pape në vend, pas asaj të Shën Gjon Palit II, ndërmjet 7 e 9 majit 1999.

R. SH. - Vatikan

Filloi dita e parë e shtegtimit të Françeskut në Rumani e në Bukuresht. I nisur drejt Rumanisë në orën 8.16, Papa arriti në Bukuresht në orën 10.18 me orën italiane. Në  telegramnin drejtuar presidentit Mattarella, Papa i uroi paqe Italisë. E, pak para se të largohej nga Vatikani, Ati i Shenjtë u takua me 15 të pastrehë me origjinë rumune, që jetojnë në Romë.

Papa Françesku është në Rumani

Papa Françesku arriti në Rumani. Filloi, kështu, shtegtimi i tij i 30-të apostolik. Para se të nisej, me  avionin e Alitalia-s, Airbus A321, përshëndeti autoritetet civile e fetare, që kishin dalë për ta përcjellë.

Programi i ditës së parë

Në Bukuresht u prit nga presidenti Klaus Werner Iohannis dhe bashkëshortja. Te këmbët e shkallës së avionit, edhe dy fëmijë me veshje tradicionale e me tufa lulesh, dhurata e parë e Rumanisë për mikun e  shumëpritur. Papa u rrethua menjëherë nga një atmosferë tejet mikpritëse, plot me flamuj valëvitës të Vatikanit e të Rumanisë e me tinguj këngësh. Një kor prej 400 këngëtarësh i uroi mirëseardhjen. Më pas, Roja e nderit. E në përfundim të pritjes zyrtare në aeroportin ndërkombëtar “Henri Coanda-Otopoeni”, Papa u largua, i shoqëruar nga Nunci Apostolik në Rumani, imzot Miguel Maury Buendía, kryeipeshkëv titullar i Italica, për të shkuar në Pallatin presidencial Cotroceni, ku u mbajt ceremonia e mirëseardhjes, pasuar nga vizita e mirësjelljes presidentit të Rumanisë Klaus Werner Iohannis dhe takimi me kryeministren Viorica Dancila.

Programi i shtegtimit parashikohet të vijojë me një sërë takimesh, duke nisur nga ai me autoritetet, shoqërinë civile e trupin diplomatik, gjatë të  cilit Papa do të mbajë edhe fjalimin e parë.

Pas drekës në nunciaturë, Ati i Shenjtë do të shkojë në Patriarkanën ortodokse, ku do të takohet me Patrikun Daniel, e pastaj edhe me Sinodin e përhershëm. Në katedralen ortodokse, në orën 17.00 (16.00 me atë italiane), do të thotë Atynën. Menjëherë pas do të shkojë në katedralen katolike të Shën Jozefit, ku do të kremtojë Meshën (18.00, me orën vendase).

Në përfundim të ditës së parë të shtegtimit, takimi privat i Papës me Jezuitët e pranishëm në vend.

31 maj 2019, 11:34