Kërko

 Papa, mes Rojeve zvicerane Papa, mes Rojeve zvicerane 

Papa, Rojeve zvicerane: jini dëshmitarë të Krishtit e të kulturës së ngjalljes!

Papa, Rojeve zvicerane: jini dëshmitarë të Krishtit e të kulturës së ngjalljes!

R. SH. - Vatikan

Veshur me uniformat e tyre rinashimentale, që tërheqin fort vëmendjen e gjithë kalimtarëve, garantojnë sigurinë e Atit të Shenjtë dhe u prijnë, me përzemërsi e profesionalitet shtegtarëve, në hyrjet e Qytetit të Vatikanit. Duke kujtuar shërbimin e tyre të çmuar e bujar për Papën e Kishën, Françesku i nxiti rekrutët të jenë, në radhë të parë “dëshmitarë të Krishtit të Ngjallur”, të mbrojnë kulturën e ringjalljes, posaçërisht në ato  kontekste ekzistenciale, ku sundon kultura e vdekjes:

“Edhe juve ju ndodh të takoni, si gjatë shërbimit në Vatikan, ashtu edhe  në kohën që kaloni në Romë, njerëz të shtrirë, si të vdekur ‘në varret  bashkëkohore të  dhimbjes, të përhumbjes e të mjerimit’. Njerëz, që presin një rreze drite, për t’u rikthyer në jetë. Në një jetë të re. Ju nxis ju, Rojet e Vatikanit, t’u flisni një fjalë ngushëllimi a t’u dhuroni një gjest vëllazërimi, për t’u bërë dëshmitarë bindës të Krishtit të Ngjallur, të gjallë e të pranishëm në çdo kohë. Do ta jetoni, kështu, në mënyrë të frytshme thirrjen tuaj të krishterë, me rrënjët në Pagëzim, zanafillë e fesë”.

Dëshmitarë të dashurisë së Zotit  

Të jesh dëshmitar i Krishtit - nënvizoi Papa Françesku - do të thotë  edhe ta jetosh në të përditshmen tënde misionin e  krishterë:

“Gjatë qëndrimit në Romë, jeni të thirrur ta dëshmoni fenë tuaj me gëzim, në mënyrë që njerëzit e shumtë, të cilët i takoni posaçërisht në hyrjet  e Qytetit të Vatikanit, të mund të preken nga shpirti, me të cilin e kryeni punën tuaj. Secilit prej jush i kërkoj: silluni në mënyrë të tillë që ata, të cilët i takoni gjatë shërbimit të përditshëm, anëtarë të Kuries, kolegë pune në mjediset e ndryshme të Vatikanit, shtegtarë a turistë, të mund të zbulojnë, edhe përmes jush, dashurinë e Zotit për çdo njeri. Ky është Misioni i parë i çdo të krishteri”.

Të hënën e ardhshme, betimi i 23 Rojeve të reja zvicerane

Eshtë e nevojshme - shtoi Papa - të jeni të fortë, të mbështetur mbi fenë në Krishtin. Duhet të jeni dëshmitarë dhe apostuj të përtëritjes personale e komunitare, sepse njerëzit presin nga ata, të cilët janë në shërbim të Selisë së Shenjtë, përkushtim të plotë në punë e shenjtëri të plotë në jetë:

“Realiteti i kazermës - përfundoi Papa - të mëson disa parime etike e shpirtërore, që pasqyrojnë shumë nga vlerat, të cilat duhen jetuar gjithë jetën: dialogun, ndershmërinë, ekuilibrin në marrëdhëniet me të tjerët e mirëkuptimin me të gjithë”.

04 maj 2019, 13:19