Kërko

  Papa Françesku takohet me anëtarët e Shoqatës Katolike të Punonjësve të Shëndetësisë. Papa Françesku takohet me anëtarët e Shoqatës Katolike të Punonjësve të Shëndetësisë. 

Papa punonjësve të shëndetësisë: të mbrohet jeta e më të pambrojturve, pa mbivlerësuar koston.

U pritën sot, në Sallën Klementine, në Vatikan, 300 anëtarë të Shoqatës Katolike të Punonjësve të Shëndetësisë. I sëmuri nuk është numër, as makinë, ndërsa kundërshtimi për arsye të ndërgjegjes duhet bërë me respekt e dialog - porositi Papa.

R. SH. - Vatikan

“Të mbrojë e të promovojë jetën, duke u nisur nga ata, që janë më të pambrojtur a më nevojtarë për asistencë, sepse të sëmurë, pleq a të lënë pas dore, ose sepse kërkojnë të dëgjohen e të kujdeset dikush për ta”. Ky –është qëllimi i veprimtarisë së Shoqatës Katolike të Punonjësve të Shëndetësisë (Acos) - shpjegoi Papa - duke i pritur përfaqësuesit e saj në audiencë, në Sallën Klementine, me rastin e 40-vjetorit të themelimit. Shërbim i pazëvendësueshëm - e quajti Françesku - që i krijoi Acos mundësinë “të punojë në këtë kohë për të përmirësuar sistemin shëndetësor si dhe kushtet e punës të të gjithë punonjësve të shëndetësisë,  të të sëmurëve e të familjarëve të tyre, të cilëve u shërbejnë”.

Problemet etike të teknologjisë

“Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit - kujtoi Papa - sistemi i asistencës dhe i mjekimit është shndërruar rrënjësisht, duke e ndryshuar edhe mënyrën e  të kuptuarit të mjekimit dhe të marrëdhënieve mjek-i sëmurë. Teknologjia ka arritur kulme të jashtëzakonshme, fare të pamenduara, por duke nxjerrë gjithnjë më shumë në plan të parë, probleme të natyrës etike”.

Shumëkush mendon se  çdo mundësi e ofruar nga teknika është moralisht e zbatueshme por, në të vërtetë, për çdo praktikë mjekësore ose ndërhyrje mbi njeriun, duhet menduar mirë paraprakisht nëse e respekton jetën dhe dinjitetin e njeriut. Praktika e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, që sot vihet në diskutim, në rastet ekstreme, kur është në rrezik mbrojtja e jetës njerëzore, bazohet mbi kërkesa personale për të mos vepruar në një mënyrë, që nuk përkon me bindjet etike. Duke përfaqësuar edhe një shenjë për mjedisin shëndetësor në të cilin praktikohet, përveçse për vetë të sëmurin e familjarët e tij.

Respekt e dialog në rastet e kundërshtimit për arsye të ndërgjejgjes

Kundërshtimi për arsye të ndërgjegjes - pohoi Papa - duhet bërë me respekt, që të mos shndërrohet në shkak përbuzjeje a krenarie, duke krijuar situata, që çojnë në moskuptimin e shkaqeve, për të cilat bëhet. Ka shumë rëndësi të kërkohet dialogu, posaçërisht me ata, që mbajnë qëndrime të ndryshme, pa folur nga katedra, por duke u përpjekur për ta transmetuar pikëpamjen tënde, si njeri që përpiqet për të mirën e vërtetë të tjetrit. Kjo është edhe rruga për të dhënë dëshminë ndaj Ungjillit, që rrezaton mbi njeriun dritën e fuqishme të Zotit Jezus.

Të sëmurët janë njerëz, jo numra

Jezusi na bëri ta ndjejmë prekjen dhe zërin e Zotit dhe na mësoi se çdo njeri, posaçërisht i fundmi, nuk është numër, por person, unik, i papërsëritshëm.

Pikërisht për t’i trajtuar të sëmurët si njerëz, e jo si numra,  njeriu duhet  të jetë në qendër të vëmendjes të formës që ka marrë sistemi i sotëm shëndetësor. Shndërrimi tij në ndërmarrje, që vlerëson kryesisht kërkesën për pakësimin e kostos dhe racionalizimin e shërbimeve, e ka ndryshuar me fund mënyrën e trajtimit të sëmundjes e të vetë të sëmurit, duke  vënë plan të parë dobinë që, gjithnjë më shpesh e kalon në plan të dytë vëmendjen ndaj njeriut. Ndërsa nuk duhet harruar kurrë se njeriu - theksoi me forcë Papa - ka nevojë të kuptohet, të dëgjohet e të shoqërohet, po aq sa  të diagnostikohet mirë e të mjekohet me sukses.

Rëndësia e përshpirtërisë

Shërimi - kujtoi akoma Ati i Shenjtë - kalon jo vetëm përmes korpit, por edhe përmes shpirtit, prandaj i sëmuri nuk duhet trajtuar si makinë, e as sistemi shëndetësor, publik e privat, nuk mund të konceptohet si zinxhir montimi. Njerëzit nuk janë kurrë njëlloj, prandaj duhen kuptuar e mjekuar një për një. E as punonjësit e shëndetësisë nuk janë numra, që “digjen” nga turnet e punës tejet të rënda, nga stresi i urgjencave ose nga situata emotive. Ka rëndësi, prandaj, që punonjësit e shëndetësisë të kenë mbrojtjen e duhur e të investohet për formimin e  tyre, që të mos jetë vetëm studim e azhurnim, por edhe kujdes për përshpirtërinë, parë si përmasë themelore e çdo njeriu, aq më shumë e atij, që lufton për jetën!

17 maj 2019, 14:25