2019.05.02 Plenaria Pontificia Accademia Scienze Sociali 2019.05.02 Plenaria Pontificia Accademia Scienze Sociali 

Papa: përforcojeni solidaritetin ndërkombëtar në shoqëritë e sotme

Papa Akademisë së Shkencave Shoqërore:"Ju inkurajoj të vazhdoni në kërkimin e proceseve që synojnë t’i kapërcejnë elementet që i ndajnë kombet dhe propozojnë shtigje të reja bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e sfidave të reja që paraqesin ndryshimet klimatike dhe format e reja të skllavërisë, le të afirmohet e të propozohet ajo e mirë sociale e shkëlqyer që është paqja".

R.SH. - Vatikan

"Kisha vëren me shqetësim një ri-shfaqje, pothuajse kudo në botë, të rrymave agresive ndaj të huajve, posaçërisht ndaj emigrantëve, si dhe rritjen e një lloj nacionalizmi që nuk e përfill të mirën e përbashkët". Fjalët që shqiptoi sot paradite Ati i Shenjtë Françesku, para anëtarëve të Akademisë Papnore të Shkencave Sociale, mbledhur në asamblenë e tyre plenare, shprehin thelbin e fjalimit papnor dhe të vetë Plenares së Akademisë së Shkencave Sociale, që këtë vit ka zgjedhur një temë të rëndësishme: "Kombi, Shteti; Shteti Komb”. Në fakt, sot konstatohet se "disa Shtete kombëtare po i zhvillojnë marrëdhëniet e tyre më shumë sipas një fryme kundërshtimi sesa bashkëpunimi".

Ideja e popullit: territori, ligjet dhe mënyra e zakonshme e jetesës

Papa Françesku, në fjalimin e tij, theksoi "se kufijtë e Shteteve nuk përputhen gjithmonë me demarkacionin e popullsive homogjene dhe se shumë tensione vijnë pikërisht nga pretendim i tepruar i sovranitetit nga ana e Shteteve" dhe kujtoi idenë e një populli në Shën Tomën,  i cili ka një nocion të bukur për atё se çka ёshtё një popull: "Ashtu si Senna qё nuk është një lumë i përcaktuar nga uji qё rrjedhë, por nga origjina dhe shtrati i saktë i lumit, kështu që gjithmonë konsiderohet i njëjti lumë, megjithëse uji qё rrjedhë është i ndryshëm, po kështu një popull është identik jo saje tё identitetit tё një shpirti apo të njerëzve, por në saje të identitetit të territorit, apo edhe më shumë, të ligjeve dhe tё mënyrës së jetesës, siç thotё Aristoteli në librin e tretë të Politikës" (Krijesat Shpirtërore, a.9, ad 10).

Kisha gjithmonë ka nxitur dashurinë ndaj popullit të vet, ndaj atdheut, respektimin e thesarit të shprehjeve të ndryshme kulturore, të dokeve e zakoneve dhe të mënyrave të drejta të jetesës të rrënjosura ndër popuj. Në të njëjtën kohë, Kisha ua ka tërheq vëmendjen njerëzve, popujve dhe qeverive për devijimet nga kjo lidhjeje, kur vërehet  përjashtimi dhe urrejtja ndaj të tjerëve, kur nacionalizmi shndërrohen në konflikte që ngrehin mure, madje edhe në racizëm apo antisemitizëm.

Migranti nuk është kërcënim, kërkon të integrohet

Dihet se "Shteti është në shërbim të personit dhe të grupimeve natyrore të njerëzve - vazhdoi Papa Françesku - por shumë shpesh, megjithatë, Shteti i nënshtrohen interesave të një grupi dominues, kryesisht për arsye të fitimit ekonomik". Dhe vuri në pah se nga mënyra se si një Shtet e menaxhon fenomenin e emigracionit, "tregon vizionin e tij që ka për dinjitetin njerëzor dhe marrëdhëniet e tij me njerëzimin".

Papa ripohoi edhe një herë se: "Çdo person njerëzor është anëtar i njerëzimit, i familjes njerëzore dhe ka të njëjtin dinjitet" si të gjithë njerëzit tjerë. Pastaj, duke përmendur katër parimet e njohura, rreth të cilave artikulohen detyrimet tona ndaj migrantëve si: mirëpritja, mbrojtja, promovimi dhe integrimi, pohoi:

Migranti nuk është një kërcënim për kulturën, zakonet dhe vlerat e kombit pranues. Edhe ai ka një detyrë, atë të integrimit në kombin pritës. Integrimi nuk nënkupton asimilimin, por bashkëndarjen e stilit të jetës në atdheun e tij të ri, ku jeton duke ruajtur veten si person,  si bartës të historisë së tij biografike. Në këtë mënyrë, emigrantët mund të paraqesin vetveten, të pranohen dhe të vlerësohen si një mundësi që e pasuron popullin ku integrohen.

 "Ju inkurajoj të vazhdoni në kërkimin e proceseve që synojnë, nga njëra anë, t’i kapërcejnë elementet që i ndajnë kombet dhe në anën tjetër, propozojnë shtigje të reja bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e sfidave të reja që paraqesin ndryshimet klimatike dhe format e reja të skllavërisë, e le të afirmohet e të propozohet e mira sociale e shkëlqyer që është paqja". Kjo, pra, ftesa e Papës drejtuar pjesëmarrësve të asamblesë plenare të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, të cilët i priti sot në audiencë.

02 maj 2019, 14:00