Takimi i Papës me misionarët e Pime-s Takimi i Papës me misionarët e Pime-s 

Papa për Pime: ungjillëzimi është dëshmi, jo prozelitizëm

Papa Françesku takoi në Vatikan, krerët e Institutit Papnor të Misioneve të Jashtme, mbledhur nga 28 prilli deri më 23 maj në Romë, për asamblenë XV të përgjithshme. Vijoni - kjo ftesa e Atit të Shenjtë - ta “vini misionin në qendër”, që çdo strukturë të bëhet “kanal i përshtatshëm për ungjillëzimin e botës aktuale”.

R.SH. - Vatikan

Ungjillëzues mund të jesh vetëm nëse të thërret Zoti: po qe se nuk e ke marrë këtë thirrje, “rri në shtëpi”. Kështu u tha Papa Françesku rreth 50 misionarëve të Institutit Papnor për Misionet e Jashtme (Pime), të cilët i priti sot në Vatikan. Ungjillëzim do të thotë ta dëshmosh Jezusin me vetveten e me qëndrimin, që mban, por ai nuk duhet ngatërruar me prozelitizmin, u theksoi Ati i Shenjtë misionarëve, që janë mbledhur në Romë, nga 28 prilli deri më 23 maj, për Asamblenë XV të përgjithshme.

19 martirët e një “familje apostujsh”

         Papa kujtoi udhën e gjatë të Institutit, i cili ka gati 170 vite jetë, që nga themelimi i tij në Milano. Rregulltarët e këtij Instituti ia kushtojnë krejt jetën veprimtarisë misionare. Vërtet, që në fillim, ata u përhapën në Oqeani, Indi, Bangladesh, Mianmar, Hong Kong e Kinë. E pas Luftës II Botërore, edhe në Brazil, në Amazonë, në SHBA-të, Japoni, Filipine, Tajlandë, Kamboxha, Meksikë e në shumë vende të tjera. Kanë shenjtorë në gjirin e tyre, si “martirët shën Alberico Crescitelli, i Lumi Giovanni Battista Mazzucconi, i Lumi Mario Vergara, si edhe rrëfyesit e lum Paolo Manna dhe Clemente Vismara.

         “Ndër misionarët tuaj, ka 19 martirë, që dhanë jetën për Krishtin e për popullin e tyre, pa rezerva e pa llogari personale. Jeni një “familje apostujsh”, një bashkësi ndërkombëtare meshtarësh e laikësh, që jetojnë në bashkim jete e veprimtarie”.

Misioni vjen vetëm nga Krishti

Papa Françesku përmendi Nxitjen Apostolike “Evangelii nuntiandi” të Papës shenjt Pali VI, duke e quajtur “dokumenti baritor më i rëndësishëm pas Koncilit”. “Vetëm nga Krishti - shkruhet në të – merr kuptim jeta dhe misioni ynë, pasi ‘nuk ka ungjillëzim të vërtetë, nëse nuk do të kumtohen emri, mësimi, jeta, premtimet, Mbretëria, misteri i Jezusit të Nazaretit, Birit të Zotit”. Misioni pra, rrjedh natyrshëm nga Hiri i Tënzot, nënvizoi Papa Françesku:

“Nuk ka ndonjë shkollë për t’u bërë ungjillëzues; ka ndihma, por ka edhe diçka tjetër: është thirrje, që e keni prej Zotit. O je, o s’je ungjillëzues e, nëse nuk e ke marrë këtë hir, këtë thirrje, rri në shtëpi. Është diçka e madhe, që të bën të ecësh përpara”.

Tetori 2019 do të jetë muaj i jashtëzakonshëm misionar

         Papa kujtoi se, me rastin e 100-vjetorit të Letrës Apostolike “Maximum illud” të Papës Benedikti XV, e ka shpallur tetorin e këtij viti Muaj të Jashtëzakonshëm Misionar, me temë “Të pagëzuar e të dërguar: Kisha e Krishtit me mision në botë”. E tërhoqi vëmendjen mbi një aspekt të misionit: “të mos ngatërrohet ungjillëzimi me prozelitizmin”, nëvizoi Françesku. “Ungjillëzimi – theksoi më tej – është dëshmi e Jezu Krishtit, të vdekur e të ringjallur… Është Ai, që tërheq, prandaj Kisha rritet për shkak të kësaj joshjeje e jo për prozelitizëm, siç thoshte Benedikti XV”. Prania e misionarëve në vende të ndryshme nuk synon të tërheqë “ortakë të rinj në këtë lloj shoqërie katolike”, theksoi Papa, por të dëshmojë Krishtin.

         “Prandaj ju them: ‘Të mos kemi frikë të marrim, me besim në Zotin e me shumë guxim, vendime misionare të afta ta shndërrojnë çdo gjë, që zakonet, stilet, oraret, gjuha dhe çdo strukturë kishtare të kthehet në kanal të përshtatshëm për ungjillëzimin e botës aktuale”.

20 maj 2019, 14:39