Kërko

Papa, në Mbretëreshën Qiellore: Shpirti Shenjt e frymëzoftë Kishën e lirë nga mendësia e botës

Në lutjen e sotme të Mbretëreshës Qiellore, Françesku e nxiti Kishën të mos jetë kurrë “e amullt”; e udhëhequr nga Shpirti Shenjt, duhet të përpiqet pambarimisht që të gjithë t’i kuptojnë sa më thellë mësimet e Jezusit. E të ndriçojë fytyra e saj “e bukur dhe e shndritshme”, ashtu si e deshi Krishti.

R. SH. - Vatikan

Një Kishë e çliruar nga “leqet e mendësisë së botës”, jo e amullt. Një Kishë, në të cilën çdo besimtar e lë Shpirtin Shenjt ta mësojë e t’i prijë, Kjo, figura që propozoi sot Papa gjatë lutjes drejtuar Mbretëreshës Qiellore në këtë të Diel VI të Pashkëve, në të cilën Ungjilli i Gjonit  na çon në Darkën e Mbrame, duke u ndaluar tek fjalët e Krishtit, drejtuar Apostujve, në këto çaste kaq dramatike.

Veprimi Shpirtit Shenjt

Krishti - kujtoi Françesku - flet për veprimin e Shpirtit Shenjt, të cilin Ati  do ta dërgojë, në emër të të Birit, duke bërë edhe një premtim:

“Ndërsa afrohet koha e kryqit, Jezusi i siguron apostujt se nuk do të mbeten kurrë vetëm: me ta do të jetë gjithnjë Shpirti Shenjt, Parakliti, që do t’i ndihmojë në misionin për ta çuar Ungjillin në mbarë botën. Në gjuhën origjinale greke termi “Paraclito” do të thotë ai që e ke pranë,  që të ndihmon e të ngushëllon. Jezusi kthehet tek Ati, por vijon t’i mësojë e t’i frymëzojë dishepujt e Tij përmes veprimit të Shpirtit Shenjt”.

Misioni i Kishës

Gjatë jetës së tij tokësore  - shpjegoi Papa - Jezusi e transmetoi gjithçka dëshironte t’u besonte apostujve, duke e përmbushur plotësisht Zbulesën hyjnore, domethënë “e tha gjithçka që Zoti dëshironte t’i thoshte njerëzimit me mishërimin e të Birit:

“Detyra e Shpirtit Shenjt është t’i kujtojë, t’i bëjë plotësisht të kuptueshme e t’i vërë konkretisht në jetë mësimet e Jezusit. E pikërisht ky është edhe misioni i Kishës, të cilin e realizon përmes një stili të mirëpërcaktuar të jetës, që ka disa kërkesa: besimin në Zotin e zbatimin e fjalës së Tij;  bindjen ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt, që e bën vazhdimisht të gjallë e të pranishëm Zotin e Ngjallur; mirëpritjen e paqes së tij e dëshmimin e saj, me zemër të hapur e me dëshirën për t’u takuar me tjetrin”.

Ndihma e gjithë të pagëzuarve

Për ta realizuar këtë mision, Kisha - vërejti Papa - nuk mund të jetë e amullt, nuk mund të rrijë e  ngrirë:

“Duhet të çlirohemi nga lidhjet me mendësinë e botës, nga këndvështrimet tona, strategjitë tona, synimet tona, të cilat shpesh peshojnë rëndë në rrugën e fesë, e të vihemi në dëgjimin plot bindje të Fjalës së Zotit. Kështu Shpirti Shenjt do të na prijë ne e Kishës, që të shkëlqejë fytyra e saj e vëtetetë ‘e bukur dhe e ndritshme', ashtu si e deshi Krishti”.

Dashuri mikpritëse

 E kjo edhe ftesa, që na drejton Zoti: “Ta hapim zemrën për dhuratën e Shpirtit Shenjt, që të na prijë në shtigjet e historisë”:

“Ai, ditë për ditë, na edukon me logjikën e Ungjillit, logjikën e dashurisë mikpritëse, duke na mësuar gjithçka, e duke na kujtuar gjithçka na tha vetë Zoti. Maria, që gjatë gjithë këtij maji e nderuam e iu lutëm me devocion të posaçëm, si nënës sonë qiellore, e mbrojtët gjithnjë Kishën dhe mbarë njerëzimin”.

Përshëndetjet e përfundimtare

Menjëherë pas lutjes mariane, Françesku përshëndeti romakët dhe shtegtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një qiell të ngarkuar me re e shi vjeshtarak, që pak e aspak të kujtonte se jemi në prag të qershorit. Një përshëndetje e veçantë, për një mori fëmijësh të sapokrezmuar në Gjenovë, sot të pranishëm në audiencë e dje, në një takim të paharrueshëm me Papën, në Shtëpinë e Shën Martës. Pastaj, bekimi për shtegtarët polakë, që marrin pjesë në shtegtimin e madh  në Shenjtëroren mariane të Piekari Slaskie. E, me rastin e “Ditës së Lehtësimit”, u drejtoi një përshëndetje të posaçme të gjithë atyre, që ishin mbledhur në Poliklinikën Gemelli, për të promovuar “nismën e vëllazërimit me të sëmurët”.

26 maj 2019, 13:46