Françesku në audiencën e përgjithshme: shëlbimi nuk blihet, dhurohet!

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa filloi një cikël të ri katekizmi, kushtuar Librit biblik “Veprat e Apostujve”, që na tregon lidhjen e ngushtë të Fjalës së Zotit me Shpirtin Shenjt.

R. SH. - Vatikan

Fjala njerëzore nuk e fiton vlerën përmes retorikës, artit të të shprehurit, aftësisë për të folur bukur, por përmes Shpirtit Shenjt, që është “dynamis” i Zotit, domethënë, forca e Tij. Shpirti ka pushtetin ta pastrojë fjalën, ta bëjë mbartëse të jetës. Këtë pohoi Papa Françesku sot, në fillim të audiencës së përgjithshme, duke nënvizuar edhe se fjala mund të hapë rrugë të reja, mund të bëhet “dinamit”, që i shpartallon të gjitha pengesat.

Fjala, me Shpirtin Shenjt, shndërrohet në dinamit

Fjala, e vizituar nga Shpirti, i hedh në erë të gjitha skemat, kundërshtimet, përçarjet:

“Kur Shpirti Shenjt e viziton fjalën njerëzore, ajo bëhet dinamike, bëhet si ‘dinamit’, e aftë për t’i ndezur zjarr zemrat e për t’i hedhur në erë të gjitha skemat, kundërshtimet, muret ndarëse e për të hapur udhë të reja e kufij të rinj për popullin e Zotit”.

Ai iu duk atyre i gjallë

Me katekizmin e sotëm, Papa Françesku nisi një cikël të ri, frymëzuar nga Libri kushtuar Veprave të Apostujve, udhë, që filloi me këtë fragment biblik:

“Ai iu duk atyre i gjallë, pas mundimeve[…]U dha urdhër të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin përmbushjen e premtimit të Atit, ‘atë - u tha - që ju e dëgjuat prej meje; Gjoni pagëzoi me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt’”.

Fjala dhe Shpirti

Libri i Veprave të Apostujve, i shkruar nga Shën Luka Ungjilltar - kujtoi Ati i Shenjtë në vijim - përshkruan “shtegtimin e Ungjillit nëpër shtigjet e botës”, duke na treguar lidhjen e ngushtë të Fjalës së Zotit me Shpirtin Shenjt, një çift plot me gjallëri e fryt. Ai - nënvizoi Papa - që i jep tingëllim prekës dhe energji fjalës sonë njerëzore, fjalës së brishtë, dredharake, të aftë deri për të gënjyer e për t’u bërë bisht përgjegjësive tona, është vetëm Shpiti Shenjt”.

Shëlbimi është dhuratë

Pagëzimi në Shpirtin Shenjt - shtoi Françesku - është përvojë, që na mundëson të marrim pjesë në vullnetin shëlbues e universal të Zotit:

“Nuk është fjala, prandaj, të luftosh për ta fituar ose për ta merituar dhuratën e Zotit. Gjithçka jepet falas e në kohën e vet. Zoti fal, gjithnjë gjithçka. Shëlbimi nuk blihet, nuk paguhet: është dhuratë. Falet!”.

Jo, fabrikues misioni

Papa i nxiti besimtarët të jenë mjete të vërteta të shëlbimit. “T’i kërkojmë Zotit - vijoi Françesku - hirin për të mos qenë fabrikues, por mjete të veprës shëlbuese të Tij”:

“I Ngjalluri i fton të tijtë  të mos e 'fabrikojnë' misionin sipas mendjes së e tyre, por të presin që Ati t’ua dinamizojë zemrat me shpirtin e vet,  që të  mund të marrin pjesë në një dëshmi misionare, të aftë për ta rrezatuar  dritën nga Jeruzalemi - në Samari e për t’i kapërcyer kufijtë e Izraelit, duke arritur deri në skajet më të humbura të botës”.

Lutje, me ngulm

“Si duhet ta presim  Shpirtin - pyeti në fund Papa - si, forcën e Tij?

“Duke u lutur së bashku, me këmbëngulje. Vetëm me lutje mund të  fitojmë mbi vetminë, mbi tundimin, mbi dyshimin. E vetëm me lutje mund t’i hapim zemrat për bashkimin. Prania e grave dhe e Marisë, Nënës së Jezusit, e bën gjithnjë më të thellë këtë përvojë: Zoti ua mësoi pikërisht atyre, të parave, si ta dëshmonin besnikërinë e dashurisë dhe forcën e bashkimit, që fiton mbi çdo frikë”.

29 maj 2019, 13:04