Kërko

Vatican News
 Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa në audiencë: të bëhemi të vegjël kur lutemi, e Shpirti Shenjt do të na prijë

Papa Françesku e përfundoi ciklin e katekizmit të audiencës së përgjithshme kushtuar “Atynës”, duke nënvizuar edhe se lutja e krishterë lind nga guximi për ta thirrur Zotin “Atë”. Duke kujtuar se është Shpirti Shenjt Ai, që lutet në ne. Pa forcën e Tij, nuk do të mund të luteshim.

R. SH. - Vatikan

“Për t’u lutur, duhet të bëhemi të vegjël, që Shpirti Shenjt të zbresë në zemrat tona e t’i prijë lutjes sonë”. “Nuk do të mund të luteshim kurrë, pa forcën e Shpirtit Shenjt. Është Ai, që lutet në ne e që na vë në lëvizje, kur duhet të bëjmë mirë”. Me këto fjalë Papa Françesku e mbylli ciklin e katekizmit kushtuar “Atynës”. Lutjes, që lind nga guximi për ta quajtur Zotin me emrin e “Atit”. Nuk është e lehtë t’i thuash Zotit “Atë”. Duhet guxim!

Kur lutet, Jezusi e thërret shpesh emrin e Atit

Jezusi - vijoi Papa - është ai, që na e dëfton Atin e na krijon edhe familjaritetin me Të. Për të cituar, më pas, Katekizmin e Kishës katolike, duke kujtuar se Mësuesi “nuk na lë një formulë për ta përsëritur mekanikisht!”. Çdo lutje e thënë me zë, e ka zanafillën në Fjalën e Zotit, që Shpirti Shenjt ua mëson bijve, për t’ia drejtuar Atit. Në Ungjijtë gjejmë shpesh lutje të Jezusit drejtuar Atit, që na kujtojnë tekstin e Atynës.

Në Gjetseman, lutja “u bëftë çka do Ti!”

Françesku u ndalua, sidomos, tek lutja e Gjetsemanit, sipas Ungjillit të Shën Markut. Kur Jezusi i thotë Atit: “… jo çka dua unë, por çka do Ti”, duke nënkuptuar mundimet, fare pranë - shpjegoi - nuk mund të mos shikojmë në këtë lutje, edhe pse e shkurtër, skicën e Atynës! Në mes të errësirës, Jezusi e thërret Zotin me emër ‘Abba’, plot me besim bijnor e, ndonëse e kapërthejnë frika e ankthi, i kërkon të bëhet vullneti i Tij.

Falni, që edhe Ati t’ju falë!

Në pjesët e tjera të Ungjillit - vijoi Papa - Jezusi ngul këmbë që dishepujt ta kultivojnë shpirtin e lutjes:

“Lutja duhet të jetë ngulmuese e duhet të kujtojë vëllezërit, posaçërisht kur kemi marrëdhënie të vështira me ta. Thotë Jezusi: ‘Kur të luteni, nëse keni ndonjë gjë kundër ndokujt, faleni. Kështu edhe Ati juaj që është në qiell, do t’i falë fajet e gabimet tuaja’”.

Shpirti Shenjt, protagonist i çdo lutjeje të krishterë

Edhe në këto shprehje - komentoi Papa - shikojmë bashkëtingëllimin me Atynën. Por - sqaroi - protagonisti i parë i çdo lutjeje të krishterë, është Shpirti Shenjt:

“Ne nuk mund të lutemi kurrë, pa forcën e Shpirtit Shenjt. Është Ai, që lutet në ne e na vë në lëvizje për të bërë mirë. Mund t’i kërkojmë Shpirtit që të na mësojë si të lutemi, sepse Ai është protagonisti; Ai, që e bën lutjen e vërtetë në shpirtin tonë. Ai e frymëzon zemrën e secilit prej nesh, që jemi dishepujt e Jezusit. Shpirti Shenjt na bën të aftë të lutemi si bij të Zotit, siç jemi në të vërtetë, përmes Pagëzimit. Shpirti na bën të lutemi  në  hullinë  e hapur nga Jezusi, për ne”.

Mbi kryq: “Zoti im, pse më lëshove dore?”

Ky - shpjegoi Françesku - është misteri i lutjes së krishterë: përmes hirit, tërhiqemi në këtë dialog dashurie të së Shenjtnueshmes Trini. Ndonëse herë të tjera Jezusi përdor shprehje të tjera, sigurisht shumë larg nga teksti i Atynës. Mbi kryq, për shembull, përsërit fjalët, me të cilat nis Psalmi 22: “Zoti im, Zoti im, pse më braktise!”. “Thua mund ta brakstisë Ati qiellor të Birin?" - komentoi Papa - Jo, sigurisht! E pra, dashuria për ne, mëkatarët, e çoi Krishtin deri në këtë pikë: derisa të provonte braktisjen e Zotit, largimin, sepse mori mbi vete të gjitha mëkatet tona”. Por edhe në britmën, ngarkuar me ankth, mbeten fjalët: “Zoti im, Zoti im”, e në këtë “im” – sqaroi Papa Françesku - është bërthama e marrëdhënies së Birit me Atin, bërthama e fesë dhe e lutjes:

“Ja pra, pse, duke u nisur nga kjo bërthamë, i krishteri mund të lutet në çdo situatë. Mund t’i bëjë të vetat të gjitha lutjet e Biblës, të Psalmeve posaçërisht; po mund të lutet edhe me të gjitha lutjet, që gurruan gjatë shekujsh nga zemra njerëzore. E Atit nuk pushojmë kurrë s’i treguari punët e vëllezërve e të motrave tona, që asnjë prej tyre, të varfërit posaçërisht,  të mos mbeten pa një ngushëllim e një pjesëz të dashurisë”.

Lumni të qoftë, ty, o Atë, “që ua zbulove këto gjëra të vegjëlve!

Në përfundim të ciklit të katekizmit kushtuar “Atynës”, Papa i ftoi besimtarët të përsërisin lutjen e Jezusit:

“Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto sende të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve!’. Për t’u lutur, duhet të bëhemi të vegjël, që Shpirti Shenjt  të vijë në ne e të jetë Ai prijës i lutjes sonë”.

I lutem vazhdimisht të Ngjallurit për paqen në Ukrainë

Duke përshëndetur besimtarët e Ukrainës, ndërmjet të cilëve, ushtarakët  që morën pjesë në shtegtimin vjetor në Lurdë, Françesku kujtoi, në përfundim, se i lutet vazhdimisht Zotit të ngjallur t’i mbushë me dashuri e prehje zemrat e ukrainasve e t’i japë gjithë vendit, paqen e Tij!

22 maj 2019, 13:31