Papa me  misionarët afrikanë Papa me misionarët afrikanë 

Papa misionarëve: lutje për atë Maccalli-n dhe për ata, që rrezikojnë jetën në shërbim të Ungjillit

Françesku u takua sot, në Vatikan, me pjesëmarrësit në Kapitullin e përgjithshëm të Shoqërive të Misioneve Afrikane. U lut për atë Macalli-n, rrëmbyer në Niger, dhe të gjithë ata, që rrezikojnë jetën për të kumtuar Ungjillin. Misionarëve u kujtoi se duhet të jenë gjithnjë në shërbim të të fundmëve, të jenë shërbëtorë të kulturës së dialogut e takimit.

R. SH. - Vatikan

Papa lutet për atë Pierluigi Macalli-n, meshtarin misionar, famullitar i Bomoanga-s, rrëmbyer më 17 shtatorin e vitit 2018, në kufirin ndërmjet Nigerit e Burkina Faso-s nga një grup njerëzish të armatosur, ende të paidentifikuar, që hyri brutalisht natën në shtëpinë e tij. Françesku e kujtoi, duke pritur në Vatikan, pjesëmarrësit e Shoqërisë së Misioneve Afrikane, me rastin e Asamblesë së përgjithshme, duke siguruar se Selia e Shenjtë e ndjek me vëmendje të veçantë këtë ngjarje:

“Ju falënderoj për zellin misionar, plot guxim, që ju nxit të dilni për t’ua ofruar të gjithëve jetën e Jezu Krishtit, duke vënë nganjëherë në rrezik edhe jetën tuaj, në gjurmët e themeluesve. Dëshiroj të bashkohem me lutjen për sivëllain, atë Pierluigi Macalli, rrëmbyer prej disa muajsh në Niger e t’ju siguroj se Selia e Shenjtë e ndjek me kujdes e vëmendje të madhe këtë situatë shqetësuese”.

Ungjillëzoni, duke prekur korpin, që vuan  

Papa i falënderoi misionarët afrikanë të cilët, së bashku me rregulltaret e laikët, formojnë një “familje gazmore”, që i kushtohet punës së madhe të ungjillëzimit, posaçërisht në gjirin e popullsive fshatare më të largëta, atje ku bashkësia e krishterë është ende e brishtë ose e papërfillshme, si dhe  ndërmjet emigrantëve, në përpjekjen për të shkelur në të gjitha periferitë, që kanë nevojë për kumtimin e Ungjillit. Ungjillëzimi - pohoi Papa - është bërë gjithnjë nga bashkësi të cilat ndikojnë, përmes veprave dhe gjesteve, në jetën e përditshme të të tjerëve, shkurtojnë distancat e ulen përvujtërisht, po të jetë nevoja, për të prekur korpin e munduar të Krishtit në popull”.

Shërbëtorë të kulturës së dialogut

Prej këndej, Papa i nxiti misionarët në viset e pafundme të Afrikës, të jenë shërbëtorë të kulturës së takimit dhe të dialogut, të kujdesen për  të vegjlit e të varfërit, duke dhënë, kështu, ndihmesën në krijimin e vëllazërimit të vërtetë ndërmjet njerëzve:

“Ju inkurajoj edhe të ngulmoni në impenjimin tuaj, në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e feve dhe të institucioneve të tjera, në shërbim të fëmijëve e të njerëzve më të ligshtë, viktimave të luftërave, të sëmundjeve, të trafikut. Sepse zgjedhja e të fundmëve, atyre, të cilët shoqëria i flak skutave, është  shenjë e qartë, që e tregon konkretisht praninë dhe kujdesin e Krishtit të mëshirshëm”.

Të hapen rrugë të reja

Papa vijoi të ngulmone mbi dëshminë e dashurisë dhe nevojën për t’i gjetur në jetën sakramentale e në shërbimin të vëllezërve, mjetet për ta përtërirë takimin personal me Krishtin. Së fundi, i inkurajoi misionarët afrikanë të hapin, pa frikë, udhë të reja, për të shkuar përtej së njohurës, drejt periferive e kufijve ende të panjohura.

17 maj 2019, 12:42