Kërko

Vatican News
 Papa para Memorialit të Nënë Terezës Papa para Memorialit të Nënë Terezës  (Vatican Media)

Papa është për integrimin e Ballkanit në BE – domethënë për një njeri të lirë, si Nënë Tereza.

Nga Maqedonia e Veriut, ku sapo kreu shtegtimin e tij apostolik, Papa Françesku bëri thirrje të fuqishme për integrimin e gjithë Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian. Ballkan, që i përket njerëzve me të vërtetë të lirë, si Nënë Tereza!

R. SH. - Vatikan

Nga Maqedonia e Veriut, ku sapo kreu shtegtimin e tij apostolik, Papa  Françeku bëri një thirrje të fuqishme për integrimin e gjithë Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian.

Karakteristikat e veçanta të Maqedonisë së Veriut, falë përbërjes shumetnike e shumëfetare - kujtoi në fjalimin e tij drejtuar autoriteteve në Pallatin presidencial të Shkupit - flasin qartë për udhën e integrimit më të ngushtë  me Vendet evropiane. Uroj që ky integrim të shtrihet pozitivisht në mbarë rajonin e Ballkanit perëndimor, si dhe që e gjithë kjo të bëhet duke respektuar larmitë  e të drejtat  themelore. Ati i Shenjtë Françesku – Papa i parë që vizitonte ish-Republikën jugosllave - nënvizoi se furra maqedonase, në të cilën u shkrinë kultura dhe përkatësi të ndryshme etnike e fetare, krijoi një bashkëjetesë paqësore e të qëndrueshme, në të cilën identitetet e ndryshme ditën e mundën  të shpreheshin e të zhvilloheshin,  pa i mohuar e pa i diskriminuar të tjerat. Endën kështu, një pëlhurë të vërtetë marrëdhëniesh e situatash, që mund të bëhen shembull për bashkëjetesën paqësore  dhe respektin reciprok në mbarë botën.

Françesku i lavdëroi edhe përpjekjet e fisme, të bëra nga Republika e Maqedonisë së Veriut, për pritjen e emigrantëve. Por çka lavdëroi më shumë, ishte figura e Nënë Terezës, lidhur ngushtë me lirinë e çdo njeriu për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit e për të shkuar atje ku e kërkon!

“Me të drejtë jeni krenarë për këtë grua të madhe, që e bëri bamirësinë ndaj të afërmit, ligjin më të lartë të jetës së saj. Këtë grua, që nuk njohu kufij - kujtoi Papa. - Gruas, që nuk mundi ta pengonte asnjë mur a gardh, për të shkelur në vendet më të zhvilluara e për të kaluar, prej tyre, në më të izoluarat. Duke hyrë, më në fund, edhe në Atdheun e gjakut, që i rridhte në dej, ende të rrethuar me tela ferrc.  Për këtë grua ballkanike, Ballkani ishte pa kufij, ashtu si pa kufij ishte mbarë bota. Ajo, bijë e një familjeje të fisme shqiptare, u bë bijë e familjes së madhe njerëzore. E Botës, së ëndërruar nga brezni të tëra njerëzish, që shpesh flijuan, e flijojnë edhe jetën, për të shkelur lirisht, pa e mohuar atdheun, në të gjitha shtigjet e saj, për t’u bërë të mirë e për të bërë mirë! Kjo, edhe dëshira e Papës për Ballkanin e ballkanikët, bij në shpirt të Nënë Terezës, e cila nga Tereza e Shkupit, u bë Tereza e Kalkutës, duke mbetur gjithnjë bijë e shqiptarëve, natyrisht!

I lindur në troje maqedonase, Aleksandri i Madh i zgjeroi, me shpatë, kufijtë e botës, duke përkundur ëndrrën për krijimin e kozmopolitizimit perandorak.

E lindur në troje maqedonase, shekuj më vonë, duke shkelur këmbëzbathur pikërisht mbi trojet e pushtuara nga Maqedonasi,  Nënë Tereza zgjeroi, me Kryq, kufijtë e botës, për krijimin e kozmopolitizimit të dashurisë e të bamirësisë njerëzore, në emër të Krishtit!

 

10 maj 2019, 17:59