Kërko

2019-05-16-comunita--dei-fratelli-delle-scuol-1558002828385.JPG

Papa, lasalianëve: mësuesia nuk është thjesht zanat, është mision

Papa Françesku pret 300 Vëllezër të Shkollave të Krishtera, bashkëpunëtorët laikë dhe studentët e tyre, në 300-vjetorin e vdekjes së themeluesit shën Gjon Pagëzuesit de La Salle, pajtor i mësuesve. U kërkon të imitojnë “pasionin e tij për të fundmit dhe të përjashtuarit” e, përmes edukimit, t’u japin shpresë atyre, që e kanë humbur udhën.

R.SH. - Vatikan

        Imitoni “pasionin e themeluesit tuaj, shën Gjon Pagëzuesit de La Salle, për të fundmit e të përjashtuarit”. Kështu u tha Papa Françesku rreth 300 Vëllezërve të Shkollave të Krishtera, edukatorëve laikë dhe nxënësve të tyre nga e gjithë bota, të cilët i priti në audiencë në Vatikan. Ata përfaqësojnë 3500 rregulltarë, 90 mijë edukatorë laikë dhe një milion nxënës, që këtë vit, kremtojnë 300-vjetorin e vdekjes së shenjtit francez, pajtor i mësuesve.

Shën de La Salle, novator gjenial dhe krijues

Papa i pati autorizuar lasalianët të shpallnin një Vit Jubilar për këtë përkujtim, duke e konsideruar shën Gjon Pagëzuesin de La Salle, “novator gjenial dhe krijues në këndvështrimin e tij për shkollën, në konceptimin e mësuesit dhe në mënyrat e mësimdhënies”. Mesazhi i tij është aktual edhe sot, nënvizoi Ati i Shenjtë:

“Këndvështrimi i tij për shkollën e bëri të bindej gjithnjë e më shumë se arsimi është një e drejtë për të gjithë, edhe për të varfërit. Për këtë, ai nuk ngurroi të hiqte dorë nga kanonikati (një lloj të ardhure, caktuar nga familje të pasura për Kishën) dhe nga trashëgimia e pasur e familjes së tij, për t’iu përkushtuar tërësisht arsimimit të shtresës shoqërore më të ulët”.

Murgjër laikë, edukatorë, pa qenë meshtarë

         Shën de La Salle, kujtoi Papa Françesku, i dha jetë një bashkësie të përbërë vetëm nga laikë, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk mund të jenë meshtarë. Janë rregulltarë, që interpretojnë në mënyrë të re rolin e “murgjërve laikë”, të zhytur në realitetin e kohës. Gjithashtu, shenjti ndryshoi edhe konceptimin e mësuesit, duke e konsideruar shkollën një “realitet serioz, për të cilin nevojiten njerëz të përgatitur”. Kujtojmë se në kohën e tij (1651-1719), shkolla kishte akoma nevojë për rregulla dhe forma. Shën de La Salle nënvizoi se mësuesia nuk është thjesht zanat, por mision:

         “Prandaj, u rrethua nga njerëz të përshtatshëm për shkollën popullore, të frymëzuar nga krishterimi, me cilësi pozitive dhe të natyrshme për edukim. I kushtoi gjithë energjinë e tij formimit të tyre, duke u bërë shembull dhe model për ata, që duhej të përgatiteshin për një shërbim kishtar dhe shoqëror njëkohësisht, duke punuar fort për të promovuar çka shenjti e quante ‘dinjiteti i mësuesit’”.

Metoda të reja: jo latinishtes, po gjuhës vendase

Për t’iu përgjigjur nevojave të kohës, vazhdoi Papa, “Gjon Pagëzuesi de La Salle ndërmori reforma të guximshme në metodat e mësimdhënies”, me “realizëm të jashtëzakonshëm pedagogjik”.

“Vendosi gjuhën franceze në vend të latinishtes, e cila përdorej zakonisht në mësimdhënie; i ndau nxënësit në grupe homogjene për një punë më të frytshme; ngriti seminare për mësuesit e fshatit, pra, për të rinjtë që donin të bëheshin mësues, pa u bërë pjesë e ndonjë institucioni fetar; themeloi Shkollat e së Dielës për të rriturit dhe dy Pensionate, një për të rinjtë, që i kishin zhyer duart në krime e, tjetrin për rikualifikimin e të burgosurve”.

Një milion nxënës në 83 vende të botës

Rehabilitimi i të burgosurve bëhej përmes studimit e punës. Ati i Shenjtë i nxiti lasalianët të ndjekin shembullin e themeluesit, figurë gjithnjë aktuale, që i nxit bijtë e tij ta ndihmojnë Kishën në ungjillëzimin e ri të botës. Nëse “format e kumtimit të Ungjillit kërkojnë përshtatje me gjendjen konkrete”, përfundoi Papa Françesku, “kjo do të thotë se nevojitet një përpjekje për t’i qëndruar besnik origjinës, që stili apostolik i veçantë i Familjes suaj rregulltare të vijojë t’i përgjigjet pritshmërisë së njerëzve”. Sot, Familja Lasaliane përbëhet nga 3500 rregulltarë, të cilët, së bashku me 90 mijë edukatorë laikë, u japin mësim rreth 1 milion nxënësve të çdo shtrese shoqërore, në njëmijë qendra edukative, në 83 vende të botës.

16 maj 2019, 14:48