Kërko

-1558952921862.JPG

Papa: Karitasi nuk është biznes, por takim me Krishtin

Papa Françesku takon Caritas Internationalis, i cili, më 28 maj, përfundon Asamblenë XXI të Përgjithshme. Bamirësia, tha Ati i Shenjtë, është “përqafimi i Zotit për njerëzit”, sidomos për të fundmit e të vuajturit. Jo, veprimtarëve të Karitasit, që “organizojnë Forume, duke shpenzuar kot shumë para”.

R.SH. - Vatikan

Bamirësia nuk është për t’u dukur e as “ofertë e thjeshtë”, për të qenë në rregull me ndërgjegjen, por është “përqafimi i Zotit për çdo njeri, veçanërisht për të fundmit dhe të vuajturit”. Nuk është as “ilaç qetësues” për ndërgjegjen. Nuk mund të flasësh për bamirësi dhe të jetosh në luks, ose të organizosh “Forume për bamirësinë, duke harxhuar më kot shumë para”. Bamirësia është “takim me Krishtin”. Audienca me 400 pjesëmarrës në asamblenë e 21-të të Caritas Internationalis i dha mundësinë sot Papës Françesku të sqarojë mirë ç’do të thotë “bamirësi”.

Një shërbim, tri fjalë: bamirësi, zhvillim i gjithanshëm, bashkim

         Duke u folur pjesëmarrësve në asamblenë e Konfederatës së Karitaseve në botë, mbledhur deri më 28 maj, në Romë, Papa u ndal në tri fjalë: bamirësi, zhvillim i gjithanshëm, bashkim. Bamirësia, nënvizoi, e ka zanafillën në vetë Zotin:

         “Nëse do ta shihnim bamirësinë si punë, Kisha do të kthehej në agjenci humanitare e shërbimi bamirës në ‘repartin e saj logjistik’. Por Kisha nuk është asgjë nga kjo, është diçka e ndryshme e shumë më e madhe: është, në Krishtin, shenjë e mjet i dashurisë së Zotit për njerëzimin e për krejt gjithësinë, shtëpinë tonë të përbashkët”.

Zhvillimi i gjithanshëm është edhe kujdes shpirtëror

         Duke folur për zhvillimin e gjithanshëm, Papa kujtoi se të varfërit, të cilëve u drejtohet bamirësia e Kishës, janë njerëz, që kanë fytyrën e Krishtit e ne e kemi për detyrë t’i gjejmë edhe në periferitë më të skajshme e t’i trajtojmë me delikatesë dhe ëmbëlsi:

         “Duhet të kujdesemi për promovimin e gjithanshëm të njeriut e të të gjithë njerëzve, që ata të jenë autorë e protagonistë të zhvillimit të tyre. Prandaj, shërbimi bamirës duke të zgjedhë logjikën e shërbimit të gjithanshëm si ilaç kundër kulturës së hedhurinave dhe të indiferencës. E duke iu drejtuar juve, që jeni të Karitasit, dua të theksoj se ‘diskriminimi më i keq, që i bën të vuajnë të varfërit, është mungesa e vëmendjes shpirtërore’”.

Bashkimi në Krishtin e mbështet shërbimin bamirës

         Fjala e tretë, që vuri në dukje Ati i Shenjtë, ishte “bashkim”, bashkimi i Krishtit me Kishën, bazë për shërbimin bamirës të saj. I nxiti anëtarët e Karitasit të kenë marrëdhënie personale me të varfërit, që nuk janë numra. Duke jetuar me ta, nënvizoi Papa, mësojmë të bëjmë mirë, duke prekur edhe xhepin tonë, por sidomos, e shprehim këtë bamirësi me zemër, me shpirt, me gjithë qenien tonë. Bamirësia nuk është lëmoshë e thjeshtë, tërhoqi vëmendjen Françesku, Karitasi nuk është organizatë filantropike. Bamirësia është dashuri ungjillore:

         “Duke qenë se dashuria është virtyti më i lakmuar, që mund të dojë njeriu për të imituar Zotin, kur shihen veprimtarë, që e shndërrojnë bamirësinë në biznes, krijohet shkandull: flasin shumë për bamirësinë, por jetojnë në luks, ose në shthurje; organizojnë Forume për bamirësinë, duke harxhuar para më kot. Të vjen keq kur sheh se disa veprimtarë të Karitasit shndërrohen në funksionarë e burokratë. Ja pse dua të përsëris se bamirësia nuk është ndonjë ide apo ndonjë ndjenjë e përshpirtshme, por është përvojë takimi me Krishtin”.

27 maj 2019, 15:56