2019.05.25 Pellegrinaggio della Diocesi di Lungro degli Italo Albanesi dell'Italia Continentale 2019.05.25 Pellegrinaggio della Diocesi di Lungro degli Italo Albanesi dell'Italia Continentale 

Françesku, arbëreshëve të Eparkisë së Ungros: të jeni dëshmitarë të vëllazërimit!

Në audiencë tek Papa Françesku, më se 6000 pjesëmarrës në shtegtimin e Arbëreshëve të Italisë Kontinentale të Eparkisë së Ungros, qytet kalabrez në provincën e Kozencës.

R. SH. - Vatikan 

“Historia e Arbëreshëve të Eparkisë së Ungros - Kalabri karakterizohet nga udha e guximshme shpirtërore dhe nga besnikëria ndaj traditave, pa marrë parasysh vështirësitë e vuajtjet”. Këtë nënvizoi Papa Françesku duke takuar, në Sallën Pali VI, pjesëmarrësit në shtegtimin e Eparkisë së Ungros, e cila numëron më se 30 mijë katolikë italo-shqiptarë të ritit bizantin, të përhapur në zona të ndryshme të gadishullit italian.

Të kujtohet e kaluara, duke ecur drejt së ardhmes

Papa Françesku kujtoi se kanë kaluar 100 vjet nga themelimi i kësaj Eparkie. Ishte 13 shkurti i vitit 1919 kur Papa Benedikti XV, ndërsa bota ishte e copëtuar nga Lufta I Botërore, themelonte, me Kushtetutën Apostolike Catholici fideles, këtë Seli  të Kishës katolike italo-shqiptare.

Kjo ngjarje e rëndësishme – nënvizoi Ati i Shenjtë Bergoglio – na krijon mundësinë ta falënderojmë Zotin për atë që  bëri në bashkësinë tuaj shekujt e fundit, me mirësinë e mëshirën e Tij:

“Prandaj ju ftoj ta jetoni këtë jubile jo aq si pikarritje, por si hov të ri e të gëzueshëm të impenjimit tuaj njerëzor e të udhës suaj të krishterë. Në këtë kuptim, është më e nevojshme se kurrë të thellohet njohja e së kaluarës e të kujtohet me mirënjohje, për të gjetur në të arsyet e shpresës e për të ecur së bashku drejt ardhmërisë që Zoti dëshiron të na e dhurojë”.

Të jetojmë si të krishterë

Françesku e nxiti bashkësinë e katolikëve italo-shqiptarë ta mirëpresë gjithnjë ndër zemra, dashurinë e Zotit, burim e  shkak i gëzimit tonë, të marrin pjesë në Sakramentet, të jenë pranë çdo familjeje, t’i kushtojnë vëmendje më të varfërve e më nevojtarëve, t’i shoqërojnë breznitë e reja në sfidën e madhe edukative, që u përket të gjithëve:

“Janë këto përmasat, në të cilat duhen ruajtur traditat tuaja - u kujtoi - ashtu si edhe përkatësia ndaj Krishtit e Kishës së Tij. Jeni të thirrur të jetoni si të krishterë, duke dëshmuar se dashuria është më e bukur se urrejtja; miqësia, më e bukur se armiqësia e vëllazërimi ndërmjet të gjithëve,  shumë më i bukur se konflikti”.

Nën mbrojtjen e Nënës Shenjte të Zotit, Odegitria

Papa  u lut, në përfundim, që arbëreshët, kudo janë, të shoqërohen në udhën e tyre të përditshme nga Nëna e Shenjtë e Zotit, Odegitria - në greqisht, “Ajo, që tregon udhën”. Është paraqitja bizantine e Marisë - kujtoi - që me dorën e djathtë tregon Krishtin Fëmijë.

Ajo, shërbëtorja e bindur, që e pranoi fjalën e Zotit  - uroi Françesku - ju bëftë gjithnjë më të  bindur ndaj vullnetit të Atit e mjete bujare të planit të Tij të shëlbimit. E në përfundim, falënderimi për vizitën dhe bekimi papnor:

“Të dashur vëllezër e motra, ju falënderoj edhe një herë për këtë vizitë e ju uroj përzemërsisht njëqindvjetorin tuaj. Duke ju kujtuar të luteni për mua, ju jap, me gjithë zemër bekimin, të cilin e shtrij me kënaqësi mbi familjet tuaja e mbi mbarë Eparkinë e Ungros”.

Mbi audiencën e arbëreshëve të Eparkisë së Ungrës me Papën Françesku, në Sallën Pali VI në Vatikan, me rastin e Jubileut të 100-vjetorit të themelimit të kësaj eparkie (dioqeze), ta dëgjojmë në mikrofonin e redaksisë shqipe të Vatican News – Radio Vatikanit dëshminë e Vikarit të Përgjithshëm të Ungrës, Papas Pietro Lanza..

Në mikrofonin e redaksisë shqipe të Vatican News – Radio Vatikanit dëshmia e Vikarit të Përgjithshëm të Ungrës, Papas Pietro Lanza..
25 maj 2019, 13:57