Kërko

Vatican News
 Papa, gjatë takimit me ipeshkvijtë argjentinas Papa, gjatë takimit me ipeshkvijtë argjentinas 

Papa ipeshkvijve argjentinas: kumtojeni Krishtin të gjallë!

Sot Françesku priti në audiencë grupin e parë të ipeshkvijve argjentinas, në Romë, për vizitën e tyre “ad Limina”. Prelatët e ftuan Papën në Argjentinë. Gjatë takimit, Ati i Shenjtë i porositi ipeshkvijtë të jenë gjithnjë pranë të rinjve, duke u kujtuar edhe kujdesin e posaçëm për thirrjet e reja. Vatican News intervistoi imzot Alberto Germán Bochatey.

R. SH. - Vatikan

Zgjati plot dy orë biseda, gjatë së cilës u shkëmbyen mendime për sfidat kryesore në Argjentinë, nga ungjillëzimi - tek edukimi; nga mungesa e punës - tek grindjet, për të mos thënë ndeshjet, ndërmjet grupeve të ndryshme politike, në gjirin e shoqërisë, pa harruar dëmet e shkaktuara këto ditë nga përmbytjet, posaçërisht në provincat veriore Chaco, Corrientes, Misiones e Formosa. Ky - sipas imzot Alberto Germán Bochatey, ipeshkëv-ndihmës i La Platës e kryetar i Komisionit për Baritorinë e shëndetit, pranë Konferencës Ipeshkvnore argjentinase - ishte takimi vëllazëror dhe dialogu, tejet i përzemërt i Papës Françesku me grupin e parë të ipeshkvijve argjentinas, rreth 30 vetë, pritur sot në audiencë, në Vatikan, me rastin e vizitës së tyre “ad Limina”.

  Fjala e parë, që shqiptuan ipeshkvijtë, ishte “ftesë”. E ftuan Papën të kthehet “në shtëpinë e vet” ku, që prej gjashtë vjetësh, ndjehet fort mungesa e tij. Françesku u kujtoi programin e shtegtimeve papnore gjatë muajve të ardhshëm, të ngarkuar sa më s’ka, duke u kujtuar se, në radhë të parë, dëshiron të vizitojë vendet me urgjenca baritore, politike e shoqërore e duke shtuar: “Por do të vij një ditë!” – kujtoi  ipeshkvi-ndihmës i la Platës.

Ndërmjet njerëzve, me të rinjtë e seminaristët

Dhjetë vjet pas vizitës së fundit ad Limina të episkopatit argjentinas, në bisedën e sotme - që i parapriu audiencave të dy grupeve të tjera të ipeshkvijve, më 10 e 16 maj - Papa Françesku  na  krijoi një atmosferë  thellësie të pamasë, duke na ftuar të lutemi e të kundrojmë të Shenjtnueshmin Sakrament e, njëherësh - vijon imzot Bochatey në bisedën me Watican News, me rastin e takimit, që patën ipeshkvijtë me Dikasterin për komunikimin - për ta shikuar sy më sy “tjetrin”, duke parapëlqyer takimin personal. Papa na ftoi “të mos kemi frikë”, edhe si ipeshkvij, që nganjëherë jepemi në tepri pas angazhimeve administrative ose zyrtare, të takohemi me njerëzit, për të dialoguar, për të ndarë të mirë e të keqe, për të arritur në thellësitë e fakteve të jetës.

Papa, njeri që i është dhuruar plotësisht forcës së Shpirtit Shenjt - shtoi kryetari i Komisionit Baritor të Konferencës ipeshkvnore të argjentinës për shëndetin - u ndalua, më pas, tek dy tema të veçanta: ajo e të rinjve dhe ajo e thirrjeve e, duke i lidhur me një urë, i nxiti prelatët “ta paraqesin Krishtin të gjallë, si në “Nxitjen Apostolike pas sinodale Christus Vivit”. Prej këndej, porosia për lidhjen e ngushtë të Krishtit me jetën, dy vlera themelore, vlera fetare e njerëzore, duke u dorëzuar të rinjve vlerën  e vetë jetës. Përsa u përket seminaristëve, i këshilloi prelatët të jenë shumë kërkues: të rinjtë e sotëm duhet ta kuptojnë - vijoi - se të jesh meshtar është angazhim i fortë e i plotë, për të arritur në thellësi të përshpirtërisë,  domethënë, për të formuar një shpirt të aftë, që e kthen përmbys mendësinë e botës. Pa harruar kurrë se meshtari është dëshmitar, që i tërheq të tjerët drejt Jezusit!

Drama e shpërdorimeve

Edhe Kishës së Argjentinës iu desh të përballonte dramën e shpërdorimeve mbi të miturit, kryer nga anëtarë të klerit: Konferenca ipeshkvnore mori masa urgjente për t’i inkurajuar viktimat t’i denoncojnë fajtorët, duke nënvizuar me forcë se shpërdorimi seksual mbi të miturit “është krim, përveçse shenjë, që tregon qartë mungesën e thellë së fesë” - shtoi imzot Bochatey - e duke shtuar se ipeshkvijtë e theksuan në bisedën me Papën, edhe këtë argument të mprehtë. Ndonëse Argjentina është vend shumë katolik, me besim të thellë në Zojën e Bekuar – u theksua gjatë bisedës -  sfida kryesore e Kishës është të rikthehet tek kumtimi i Ungjillit, ashtu si dishepujt e parë, të ecë në një udhë, shndritur kohët e fundit, nga lumnimi i Martirëve të la Rioja, vrarë në vitin 1976, gjatë periudhës së diktaturës ushtarake: imzot Enrique Angel Angelelli, ipeshkëv dioqezan; Carlos de Dios Murias, françeskan konventual; Gabriel Longueville, meshtar francez fidei donum dhe Wenceslao Pedernera, katekist. Këta martirë të fesë u persekutuan për shkak të drejtësisë dhe të dashurisë ungjillore - rikujtoi Papa, duke e përfunduar takimin me urimin: “Dëshmia e tyre i ndihmoftë të gjithë ata, që punojnë për një shoqëri  më të drejtë e më solidare”.

03 maj 2019, 13:04