Papa: i keqi është si luan i tërbuar, po Jezusi na çliron nga pushteti i tij

“Po na liro nga i keqi!”: kjo, lutja e fundit e Atynës, së cilës Papa i kushtoi katekizmin e kësaj së mërkureje. Përballë pranisë së ankthshme të të keqit në botë, të krishterët provojnë se Jezusi, Ai që nga kryqi u dhuroi të gjithëve falje e paqe, është ‘përkrah nesh’”.

R. SH. - Vatikan

Përhapjes së frikshme të së keqes nëpër botë e në zemrën tonë: këtij realiteti shqetësues ia kushtoi Papa Françesku katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, duke përfunduar ciklin e reflektimeve kushtuar Atynës, nisur më 27 shkurtin e kaluar. Shtatë kërkesa, drejtuar Atit, përmes kësaj lutjeje - pati kujtuar Papa. - E sot arritëm tek e fundmja. Tek “Po na liro nga i keqi”..

Lutje, jo foshnjore, e birit drejtuar Atit

Kush lutet - shpjegoi Françesku - nuk kërkon vetëm të mos braktiset në kohën tragjike të tundimit, por lutet edhe që të çlirohet nga i keqi e nga e keqja! E pranon praninë e të keqit, duke e ndjerë frikshëm kërëcënimin, që i vjen prej tij:

 “Lutja e krishterë nuk i mbyll sytë, për të mos e parë jetën. Është  bijnore, jo fëmijënore. Njeriu nuk është aq i ekzaltuar nga atësia e Zotit, sa të harrojë se udha e njeriut është  përplot me vështirësi. Po të mos ishin versetet e fundit  të “Atynës”, si do të mund të luteshin mëkatarët, të përsekutuarit, të dëshpëruarit, njerëzit në grahmat e vdekjes? Peticioni i fundmë lartohet drejt Atit pikërisht kur jemi në pikë të hallit”.

Historia: katalog përplot me dështime

E keqja në jetën tonë është prani e pakundërshtueshme - pohoi Papa - mjafton të shfletojmë librat e historisë. Janë katalog pikëllues, që na tregon se jeta njerëzore në këtë botë s’është tjetër, veç aventurë dështake. Aq sa, nganjëherë, prania e të keqit dhe e së keqes, që nuk është vepër e Zotit, “të duket, madje,  më e qartë se mëshira e Atit”. Prani gjithnjë më e padurueshme, që e ndeshim në natyrë, në histori e deri në zemrën tonë, aq sa të na duket në kontradiktë me vetë misterin e Zotit:

“Britma e fundme e Atynës sulet kundër së keqes, që përfshin nën çadër përvoja nga më të ndryshmet: vdekjet, dhimbjen e pamat, skllavërinë, shpërdorimin e tjetrit, vajin e foshnjave të pafajshme. Të gjitha këto ngjarje ngrenë zërin në zemër të njeriut e bëhen fjala e fundit  e lutjes së Jezusit”.

Edhe Krishti e provoi forcën e së keqes  

Papa Françesku kujtoi se edhe vetë Jezusi e provoi “plotësisht shporimin prej të keqit” në orën e Mundimeve të Tij. E edhe Ai iu lut Atit: ‘Abbà! Atë! Për ty nuk ka asgjë të pamundur: largoma nga buzët këtë kelk!’ Jezusi vdiq, e vdiq mbi kryq, duke provuar shijen tejet të hidhur të vetmisë, të përbuzjes, të poshtërimit, të mizorisë:

“Ja, pra, ç’është njeriu: qenie e lindur për të jetuar, që ëndërron dashurinë e të mirën, por që, më pas, e ekspozon vetveten e të tjerët para së keqes deri në atë pikë, sa të tundohemi për ta humbur fare besimin në të”.

Zoti është përkrah nesh e na jep paqen

I krishteri e njeh mirë forcën e së keqes - vijoi Françesku - por e di mirëfilli edhe se Jezusi është nga ana jonë, se na ndihmon. I Biri i Zotit na çliroi nga i keqi. Ai, që në orën e dyluftimit të fundit, i jep urdhër Pjetrit ta shtjerë shpatën në mill e hajdutit të mirë i siguron Parajsën; Ai, që lutet: fali, o Atë, pse nuk dinë çfarë bëjnë”:

“Prej ndjesës së Jezusit mbi kryq buron paqja; prej atje vjen paqja e vërtetë. Dhuratë e të Ngjallurit është paqja, dhuratë, që na e jep vetë Jezusi. Mos harroni se përshëndetja e parë e Krishtit të ngjallur është ‘paqja qoftë me ju!’, qoftë me shpirtin tuaj, me zemrën tuaj, me jetët tuaja! Zoti na jep paqen, na jep faljen, por ne duhet  t’i lutemi edhe ‘lirona nga i keqi”, për të mos rënë në prehërin e së keqes. Kjo është shpresa jonë. Forca, që na jep Jezusi, Krishti i ngjallur, i cili është këtu, mes nesh; është këtu!”.

15 maj 2019, 14:47