Kërko

Papa Françesku hapi asamblenë e Konferencës Ipeshkvnore Italiane Papa Françesku hapi asamblenë e Konferencës Ipeshkvnore Italiane 

Papa hap asamblenë e ipeshkvijve italianë. Argumentet: sinodaliteti, procesi martesor dhe marrëdhëniet me meshtarët

Për një çerek ore, Papa Françesku u përqendrua në tri argumente kryesore: kolegjialiteti brenda Kishës italiane; reforma e paplotësuar e proceseve martesore dhe marrëdhëniet ndërmjet ipeshkvijve dhe meshtarëve në çdo dioqezë.

R.SH. - Vatikan

“Sinod i mundshëm për Kishën në Itali”. Papa Françesku e përmendi sot haptas këtë mundësi, në fillim të punimeve të asamblesë së 73-të të përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, e cila është mbledhur që sot e deri të enjten, në Sallën e Sinodit në Vatikan. “Kohët e fundit kam dëgjuar të flitet për këtë: zëra, që kanë arritur deri në Shtëpinë e Shën Martës”, pohoi Ati i Shenjtë.

         Për një çerek ore, Papa Françesku u përqendrua në tri argumente kryesore: kolegjialiteti brenda Kishës italiane; reforma e paplotësuar e proceseve martesore dhe marrëdhëniet ndërmjet ipeshkvijve dhe meshtarëve në çdo dioqezë.

Procesi sinodal e kolegjialiteti

         Papa Françesku kërkoi që gjatë ditëve të asamblesë, të shkruhet “kartela klinike e shëndetit të Kishës italiane dhe e veprimtarisë së saj baritore e kishtare”, duke “i bërë ballë mungesës së kolegjialitetit e të pjesëmarrjes në drejtimin e Konferencës Ipeshkvnore, si në caktimin e planeve baritore, ashtu edhe në impenjimin programatik ekonomiko-financiare”.

         E Papa shpjegoi: “Përsa i përket sinodalitetit, ka dy drejtime: nga poshtë lart, pra, kujdesi për funksionimin e mirë të dioqezave, të këshillave, të famullive, të pjesëmarrjes së laikëve, duke u nisur nga baza; e, nga lart poshtë, në përkim me Kuvendin kombëtar të Firences, mbajtur në vitin 2015, që është akoma në fuqi e duhet të na shoqërojë në këtë udhë. Nëse ndokush mendon të mbledhë një Sinod të Kishës italiane duhet të fillojë kështu, nga poshtë lart e nga lart poshtë: Kjo kërkon kohë, por do të ecim me siguri e jo vetëm me ide”, theksoi Ati i Shenjtë.

E pazbatuar, reforma e pavlefshmërisë së martesës

         Papa kujtoi se ipeshkvijtë italianë kanë parashikuar, që prej katër vitesh, reformën e regjimit administrativ të gjykatave kishtare në çështjet martesore. “Por – nënvizoi Bergoglio – më vjen keq të vërej se reforma, pas më se katër vitesh, është larg zbatimit, në shumicën e dioqezave italiane”. Ati i Shenjtë ka shkruar dy Motu proprio për këtë qëllim, të cilat uroi të zbatohen sa më shpejt. “Reforma e procesit martesor – theksoi – bazohet mbi afërsinë me familjet ‘e plagosura’, pa vonesë e zvarritje të kota; si edhe mbi procesin falas, në mënyrë që prononcimi kishtar mbi pavlefshmërinë të mos kërkojë kosto të larta, që njerëzit në vështirësi nuk mund t’i paguajnë. Kërkesa për t’i lehtësuar procedurat ka çuar në thjeshtimin e procesit martesor të zakonshëm, me vendimin e dyfishtë konform të detyrueshëm; tani e tutje, nëse apelimi nuk bëhet në kohën e parashikuar, vendimi i parë, që deklaron pavlefshmërinë e martesës, bëhet ekzekutiv”.

Procesi “i shkurtër”, sqaron më tej Ati i Shenjtë, zbatohet në rastet kur pavlefshmëria e martesës kërkohet nga të dy bashkëshortët, në përkim me njëri-tjetrin. Në rastet kur pavlefshmëria është më se e qartë e mund të dëshmohet me prova të padyshimta, për të mund të pronocohet edhe ipeshkvi, “pasi përmasa baritore e ipeshkvit përfshin dhe kërkon edhe funksionin e tij personal si gjykatës”.

Së fundi, paralajmëron Papa, “rezultatet e mira të reformës kalojnë domsdoshmërisht përmes ndryshimit të strukturave dhe të njerëzve. Prandaj, të mos lejojmë që interesat ekonomike të disa avokatëve, ose frika mos ndonjë vikar i gjykatës humbet pushtetin, ta frenojnë apo ta vonojnë reformën e proceseve martesore”.

Marrëdhëniet ndërmjet ipeshkvijve dhe meshtarëve

         Më tej, Papa Françesku u kërkoi ipeshkvijve italianë të kujdesen më shumë për marrëdhëniet me meshtarët, “pa diskriminime e pa preferenca”. “Dashuria pa kushte, dëshmuar nga Jezusi në kryq, është rregulli i vetëm i vërtetë i sjelljes” dhe i qëndrimit.

         “Nuk duhet të biem në tundimin për të afruar pranë vetes vetëm meshtarët simpatikë, ose lajkatarë, duke shmangur ata, që sipas ipeshkvit, janë antipatikë e të sinqertë; për t’u dhënë përgjegjësi vetëm meshtarëve të gatshëm, ose karrieristë, duke shkurajuar meshtarët pak të mbyllur në vetvete, të butë e të druajtur, ose ata problematikët. Të jeni etër për të gjithë meshtarët; të interesoheni e t’i kërkoni të gjithë; t’i vizitoni të gjithë; të gjeni kohë për t’i dëgjuar sa herë që ua kërkojnë, ose kanë nevojë për këtë; në mënyrë që secili të ndihet i vlerësuar dhe i inkurajuar nga ipeshkvi ‘i vet’”.

         Meshtarët, nënvizoi Papa, sulmohen gjithnjë nga media, ose përqeshen e dënohen, për shkak të gabimeve e të krimeve të disa prej tyre, prandaj kanë nevojë për inkurajimin e ipeshkvit e ta konsiderojnë atë si vëllain e madh, ose babain. Në përfundim, Ati i Shenjtë u dha fjalën të pranishmëve, që i bënë lirisht pyetje.

20 maj 2019, 19:14