Kërko

2019-05-24-istituto-ospedale-degli-innocenti--1558691930560.JPG

Papa Françesku: të promovojmë kulturën pro fëmijës dhe birësimit

Në sallën e Koncistorit, Ati i Shenjtë priti në audiencë drejtuesit, veprimtarët, fëmijët e Institutit të të Pafajshmëve të Firences, institucion, i cili, që prej 600 vitesh, mirëpret, ndihmon dhe promovon të vegjlit.

R.SH. - Vatikan

“Zoti ynë është Hyj i befasive” e, për të hyrë në “Mbretërinë e Qiellit”, duhet që “në një farë mënyre, të kthehemi në thjeshtësinë e fëmijëve e sidomos, në aftësinë për t’u befasuar”. Me këtë reflektim, Papa Françesku priti në Vatikan familjen e Institutit të të Pafajshmëve të Firences, një nga institucionet më të vjetra italiane kushtuar mbrojtjes së fëmijëve. Papa foli pa letër, duke theksuar urgjencën e promovimit të një “kulture pro fëmijëve” në botë.

Gjashtë shekuj veprimtari, në favor të fëmijëve

Realiteti fiorentin, i cili tashmë ka gjashtë shekuj veprimtari, është themeluar falë trashëgimisë së tregtarit nga Prato, Francesco Datini, i cili ia la me testament Kishës pasurinë e tij. Ndërsa projekti i veprës mban firmën e arkitektit të njojur të Rilindjes Italiane, Filippo Brunelleschi (1377-1446). Në këtë vend mikpritës e plot dashuri, nënat në vështirësi linin fëmijët, së bashku me një medalje të thyer përgjysëm, me shpresën për t’u bashkuar me bijtë e bijat e tyre, në kohë më të mira. Papa Bergoglio i krahasoi këto histori me ato të kohës së sotme:

“Sot në botë ka shumë fëmijë, që idealisht, kanë gjysmën e medaljes. Janë vetëm. Viktimat e luftës, viktimat e migracionit, fëmijët e pashoqëruar, viktimat e urisë. Fëmijë me gjysmën e medaljes. E kush e ka gjysmën tjetër? Nëna Kishë. Ne e kemi gjysmën tjetër. Duhet të reflektojmë dhe t’i bëjmë njerëzit të kuptojnë se jemi ne përgjegjës për këtë gjysmën tjetër dhe të ndihmojmë që sot të ngrihet një ‘shtëpi tjetër e të pafajshmëve’, më globale, përmes birësimit”.

Burokracia dhe korrupsioni në çështjet e birësimit

Për fat të keq, nënvizoi Papa, ka shumë vështirësi, që i pengojnë fëmijët të përqafohen nga familja adoptive. E këto e kanë emrin “burokraci” e, nganjëherë, edhe “korrupsion”:

“Më ndihmoni për këtë: t’i ndërgjegjësoni njerëzit se ne e kemi gjysmën tjetër të medaljes së atij fëmije. Shumë e shumë familje, që nuk kanë fëmijë, me siguri do të dëshironin ta birësojnë njërin prej tyre: të ecim përpara, duke krijuar një kulturë birësimi, sepse fëmijët e braktisur, të vetëm, viktima të luftës, janë vërtet shumë; njerëzit të mësojnë ta shohin atë gjysmë të medaljes dhe të thonë: ‘E kam unë gjysmën tjetër’. Ju kërkoj të punoni për këtë”.

24 maj 2019, 15:00