Papa me Patrikun ortodoks Daniel Papa me Patrikun ortodoks Daniel 

Papa Françesku, Sinodit Ortodoks Rumun: me forcën e martirëve, të ecim bashkë drejt Rrëshajëve

“Kujtimi i hapave të bëra së bashku na nxit të ecim drejt së ardhmes – natyrisht - me vetëdijen e dallimeve, por mbi të gjitha nën dikimin e hireve të një atmosfere familjare për t’u rizbuluar, me kujtesën e bashkimit për t’u gjallëruar, që si një llambë, të rrezatojë dritë mbi hapat e udhës sonë”. Kështu i tha Papa Sinodit Ortodoks Rumun, në takimin e parë të pasdites së sotme, gjatë udhëtimit të tij të 30-të apostolik.

R.SH. - Vatikan

“Cristos a înviat! (Krishti u ngjall)”. Me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku Sinodit Ortodoks të Rumanisë, me të cilin u takua sot pasdite, pas bisedës private me Patrikun Daniel. E veçantë, selia e Patrikanës, ku 20 vjet më parë, shën Gjon Pali II u takua me Patrikun Teoktist, duke i hapur rrugën marrëdhënieve ekumenike jo vetëm me ortodoksët e Rumanisë, por me ata në të gjithë botën, siç nënvizoi edhe vetë Papa Françesku, gjatë kujtimit të atij 8 maji të vitit 2019.

Vëllazërimi i gjakut lidh katolikët me ortodoksët rumunë

Duke përvijuar një udhë për “të ecur së bashku” me ortodoksët, siç thotë edhe motoja e këtij udhëtimit të 30-të apostolik, Ati i Shenjtë kujtoi se të krishterët rumunë janë të lidhur, së pari, përmes vëllazërimit të gjakut:

“…shumë bij e bija të këtij vendi, të Kishave dhe të bashkësive të ndryshme të krishtera, pësuan të Premten e persekutimit, kaluan nëpër të Shtunën e heshtjes, jetuan të Dielën e ringjalljes. Sa martirë dhe dëshmitarë të fesë!”

Të ecim së bashku me forcën e kujtesës

 Në Patrikanën, që gjatë komunizmit u shndërrua në Kuvend Popullor, për t’iu kthyer sërish ortodoksëve në vitin 1996, Papa Françesku foli për “trashëgiminë e përbashkët”, kujtoi vizitën e Papës polak e shprehu mirënjohjen për takimin e tij me Patrikun Teoktist, pa harruar të përmendë britmën, me të cilën e pritën rumunët shën Gjon Palin II: “Unitate, unitate!”. Të ecim së bashku me forcën e kësaj kujtese, me fuqinë e rrënjëve, që nisen nga shekujt e parë të kumtimit të Ungjillit e nga martirizimet e para, deri në historitë e ngjashme të mëvonshme e në shenjtërinë e jetës së përditshme të shumë njerëzve të thjeshtë, të cilët ndajnë së bashku të njëjtin Qiell, nënvizoi Ati i Shenjtë:

“Kujtimi i hapave të bëra së bashku na nxit të ecim drejt së ardhmes – natyrisht - me vetëdijen e dallimeve, por mbi të gjitha nën dikimin e hireve të një atmosfere familjare për t’u rizbuluar, me kujtesën e bashkimit për t’u gjallëruar, që si një llambë, të rrezatojë dritë mbi hapat e udhës sonë”.

Të ecim së bashku, duke dëgjuar Zotin

 Papa kujtoi episodin ungjillor të Emausit e kërkoi që gjithë të krishterët ta dëgjojnë së bashku Fjalën e Zotit, sidomos në këto kohë të vështira:

 “Shumë kanë përfituar nga zhvillimi teknologjik dhe nga mirëqenia ekonomike, por shumica është përjashtuar prej tyre, ndërsa globalizimi homologues kontribuon në çrrënjosjen e vlerave të popujve, duke dobësuar etikën dhe jetesën e përbashkët, e cila, vitet e fundit, është cënuar nga një frikë tepër e përhapur, shpesh e nxitur artificialisht, frikë, që çon në mbyllje dhe urrejtje. Kemi nevojë ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të mos iu nënshtruar joshjes së ‘antikulturës së urrejtjes’ dhe individualizmit, të cilat, jo më ideologji si në kohën e persekutimit ateist, janë gjithsesi më bindëse dhe jo më pak materialiste”.

Papa Françesku tërhoqi vëmendjen e të krishterëve ndaj nevojës për të mbrojtur familjen, e para, që vuan nga kjo gjendje. Kujtoi bashkësitë ortodokse rumune jashtë vendit, të cilat, me kohë, kanë mësuar të bashkëpunojnë me ato katolike, në një atmosferë solidariteti e miqësie, shembull edhe për vetë Rumaninë.

Të ecim së bashku drejt Rrëshajëve

 Së fundi, përvijoi udhën e përbashkët të katolikëve dhe ortodoksëve, që sipas Bergoglio-s, kalon nga Pashkët në Rrëshajë. Duhet të mblidhemi, tha Papa, ashtu si apostujt rreth Nënës së Zotit, që Shpirti Shenjt të na shndrisë të gjithëve për ta dëshmuar Krishtin e gjallë me fjalë e me jetë:

“Të na përtërijë Shpirti Shenjt, që nuk e do uniformitetin dhe i pëlqen ta plazmojë unitetin në larminë më të bukur dhe më harmonike. Zjarri i Tij i djegtë dyshimet tona; puhia e Tij zhduktë heshtjet, të cilat na pengojnë të dëshmojmë së bashku jetën e re që Ai vetë na dhuron. Ai, protagonisti i vëllazërimit, na dhashtë hirin të ecim së bashku. Ai, krijuesi i risive, na dhashtë guximin për eksperimentimin e udhëve të reja të përbashkëta misionare. Ai, forca e martirëve, na ndihmoftë të mos e bëjmë të pafrytshëm flijimin e tyre”.

31 maj 2019, 15:45