Kërko

Vatican News
 Papa ndërmjet refugjatëve Papa ndërmjet refugjatëve  (ANSA)

Papa ndërmjet refugjatëve në Vrazhdebna: bota e migrantëve, kryq i njerëzimit

Papa Françesku, në vijim të vizitës së tij në Bullgari, vizitoi sot paradite një Qendër refugjatësh pranë Sofjes, ku u takua me 50 vetë, shumica të ardhur nga Siria e Iraku.

R. SH. - Vatikan

Etapa e parë e  ditës së dytë të Papës në Bullgari, ishte vizita në Qendrën e Vrazhdebnës, për strehimin e refugjatëve. Françesku, i pritur në hyrjen kryesore të strukturës nga drejtori i Qendrës dhe Drejtori i Karitasit, u takua, në mensë, me 50 refugjatë: fëmijë e prindër. Takimi u zhvillua në një atmosferë familjare e gazmore. Kështu na e përshkruan drejtori i përkohshëm i Sallës vatikanse të Shtypit, Alessandro Gisotti:

“Takimi i sotëm ishte shumë i shkurtër, e megjithatë, vetëm në 25 minuta, Ati i Shenjtë e këta fëmijë, protagonistët e vërtetë të këtij takimi në qendrën e refugjatëve, me fjalët e gjestet e tyre mishëruan pikërisht atë, që Papa vijon ta thotë, me fjalë e me gjeste, që nga fillimi i Papnisë. Afërsinë me korpin e munduar të Krishtit, periferitë ekzistenciale e, në këtë rast, me një figurë më shumë, domethënë me atë të fëmijëve: fëmijë që vijnë nga Siria e Iraku, që strehohen në këtë qendër, posaçërisht nga Karitasi e që mundën ta takojnë, plot gëzim, Atin e Shenjtë. Të dyja palët jetuan çaste prekëse. Posaçërisht ai, kur fëmijët i dorëzuan Papës vizatimet e tyre, dhuratë që Françesku e vlerësoi shumë. Vizatime, nga të cilat buronte  bukuria e gëzimi: kjo, besoj, e preku thellë Atin e Shenjtë, ashtu si na preku edhe ne. Ishin të bukura, gazmore, ashtu si edhe kori i fëmijëve, që e shoqëroi gjithë vizitën. Flasim për fëmijë në moshën e shkollës fillore, 6 deri në 10 vjeç, që krijuan një atmosferë vërtet të këndshme gjatë gjithë takimit. Papa u la për kujtim një ikonë të Zojës Bekuar, për t’u kujtuar se Maria është gjithnjë pranë tyre, në këtë vend vuajtjesh, por edhe shpresash”.

Fjalët e Papës drejtuar fëmijëve?

“Françesku nënvizoi, gjatë një përshëndetjeje të shkurtër drejtuar fëmijëve dhe prindërve të tyre, si dhe të gjithë vullnetarëve të pranishëm në qendër, se fëmijët na ndihmojnë gjithnjë ta kuptojmë më mirë atë, që ndodh rreth nesh. Aq më shumë këta fëmijë e familjet e tyre, që bënë një udhë tejet të dhimbshme për të ikur nga lufta, nga mjerimi. Që lanë atdheun. Që ecën pa e ditë se ku shkojnë. Drejt vendeve të panjohura të botës, që për ta quheshin shpresë. Pastaj Papa tha fjalë vërtet të forta: 'Sot bota e migrantëve dhe e refugjatëve është  kryq, kryq i njerëzimit, kryq i një mori njerëzish, që vuajnë'.

Në vijim Papa i falënderoi fëmijët dhe familjet e tyre për vullnetin e mirë, në këtë udhë kryqi, në këtë kohë dhimbjeje, që e mbartën me durim, edhe atje ku i zu nata, atje ku ndodhën, në viset, ku arrijnë me vështirësi të madhe e vuajtje të mëdha. U kërkoi të luten për të, fëmijëve, Papa, sepse e di mirë sa vlerë ka lutja e atij që vuan".

Si ishte pritja refugjatëve?

"Ishte shumë e përzemërt e gjëja më e bukur është se po flasim për njerëz të kombësive të ndryshme, edhe të feve të ndryshme, prandaj u ndodhëm para një pamjeje prekëse. Pamë si e përqafonin Papën burra, gra e fëmijë, të ardhur nga vise të ndryshme. Që flisnin gjuhë të ndryshme. Besonin ndryshe - por për të shpresuar, shpresonin njëlloj - e njëlloj e donin jetën, të cilën ua kujtoi sot me forcë e ëmbëlsi të veçantë, Mëkëmbësi i Krishtit, që shkeli aty ku, me ta, jeton vetë shpresa!".

Qendra Vrazhdebna e refugjatëve

E hapur në vitin 2013, në ndërtesën e vjetër të një ish-shkolle në rrethinat e Sofjes, qendra është njëri nga tre ambjentet për refugjatët në kryeqytetin bullgar, së bashku me kampet e Ovcha Kupel e Voena Rampa. Për refugjatët kujdesen organizatat ndërkombëtare, Karitasi dhe Ojq-të vendase. Kryqi i Kuq bullgar, i financuar nga Federata ndërkombëtare dhe Kryqi i kuq zviceran, shpërndajnë ushqimin, kitet hiegjienike dhe asistojnë fëmijët. Agjencia shtetërore për refugjatët, së bashku me Catholic Relief Services dhe me Unicef-in, kanë marrë një mori nismash  dhe veprimtarish për t’i ndihmuar njerëzit, të cilët dëshirojnë të integrohen në shoqërinë bullgare. Deri më 2012 Bullgaria nuk ishte cak i dëshiruar për flukset e migrantëve. Sivjet kërkesat ishin vetëm 1.387. Me përfundimin e situatës së emergjencës, në vitin 2018, migrantët klandestinë u pakësuan 85%  në krahasim me vitet e mëparshme.

06 maj 2019, 11:32