Kërko

Papa në Bullgari: të ndihmohen të rinjtë, që të mos detyrohen të emigrojnë

Papa përshëndeti, në Sheshin Burov të Sofjes, autoritetet civile e fetare të Bullgarisë.Vend-urë ndërmjet lindjes dhe perëndimit të Evropës, me pakësim të popullsisë e flukse të dendura emigrantësh.

R. SH. - Vatikan

“Bullgaria është vend takimi ndërmjet një mori kulturash e qytetërimesh, urë ndërmjet Evropës së lindjes e asaj të jugut, portë e hapur për Lindjen e Afërme. Tokë me rrënjë të lashta të krishtera, që favorizojnë  takimin  si me fetë, ashtu edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Këtu larmia, duke respektuar tiparet e veçanta të secilit, shikohet si pasuri e jo si shkak kundërvëniesh”. Me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku autoriteteve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik të Bullgarisë, në fjalimin e parë  të shtegtimit të tij në vend.

Dimri demografik i Evropës

Takimi i parë u mbajt në Sheshin e Sofjes, kushtuar politikanit opozitar Atanas Burlov i cili - kujtoi Papa - u persekutua nga një regjim, që nuk mund ta duronte lirinë e mendimit. Tridhjetë vjet pas përfundimit të sundimit komunist, Françesku preku nervat e situatës në vend. Nga njëra anë, emigracioni, që vitet e fundit i detyroi më se dy milionë bullgarë të kërkojnë strehë gjetiu; nga ana tjetër, pakësimi i ndjeshëm i lindjeve, për shak “të dimrit demografik”, perde akulli e rënë mbi gjithë Evropën, si pasojë e humbjes së besimit në të ardhmen.

Mikpritja e migrantëve dhe mbështetja e të rinjve

Veç kësaj - kujtoi Papa - Bullgarisë i duhet të ballafaqohet me fenomenin e atyre, që kërkojnë të hyjnë brenda kufijve të saj, për të ikur nga luftërat, konfliktet e mjerimi, në përpjekjen për të arritur në vendet më të pasura të Kontinentit evropian. Papa i bëri thirrje presidentit për t’i mikpritur këta njerëz e për t’i ndihmuar posaçërisht të rinjtë:

“E njoh angazhimin e qeveritarëve të këtij vendi të cilët, prej vitesh, përpiqen t’u krijojë, posaçërisht të rinjve, kushtet e nevojshme, që të mos detyrohen të emigrojnë. Dëshiroj t’i inkurajoj të ecin në këtë rrugë, që të rinjtë të mund t’i investojnë energjitë e tyre të freskëta e ta programojnë ardhmërinë e tyre personale e familjare, duke i gjetur në atdhe kushtet e nevojshme për një jetë të denjë! E edhe të mos ua mbyllin portat, atyre që trokasin në to”.

Fetë, së bashku për respektimin e njeriut

Papa përshëndeti edhe Patrikun bullgar Neofit, të gjithë besimtarët e Kishës ortodokse bullgare, e edhe të asaj katolike të cilët - kujtoi - vij t’i përforcoj në fe e t’i inkurajoj në udhën e përditshme të jetës e të dëshmisë së krishterë. Duke u ndaluar tek dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi, shkurtin e kaluar, Papa u kujtoi më pas, anëtarëve të bashkësisë hebraike e asaj islamike, t’i mbrojnë vlerat e paqes:

“Të përfitojmë nga mikpritja, ofruar nga populli bullgar, që çdo fe, e thirrur për të promovuar paqen e harmoninë, të ndihmojë për zhvillimin e një kulture e të një ambienti plot respekt për njeriun e dinjitetin e tij, duke krijuar, kështu, lidhje jetike ndërmjet qytetërimeve, ndjeshmërive e traditave të ndryshme e duke e refuzuar çdo tip dhune. Kështu  do të pësojnë disfatë të pashmangshme të gjithë ata, që kërkojnë, me çdo mjet, ta manipulojnë e ta instrumentalizojnë fenë”.

Kujtim i Gjonit XXIII

Papa Françesku kujtoi, më pas, edhe vizitën e Gjon Palit II, në vitin 2002  si dhe praninë, në Sofje, për gati dhjetë vjet, të Angelo Roncalli-t- Papës së ardhshëm Gjoni XXIII.

Shenjtorët Çirili e Metodi

Nuk mungoi, natyrisht, edhe kujtimi i Shenjtorëve Çirili e Metodi, që ungjillëzuan popujt sllavë, luajtën një rol të dorës së parë në zhvillimin e gjuhës e të kulturës së tyre e, sidomos, sollën fryte të begata të dëshmisë dhe shenjtërisë  së krishterë:

“Bekuar qofshin Shenjtorët Çirili e Metodi, bashkëpajtorë të Evropës, që me lutjet, gjeninë dhe përpjekjet e tyre apostolike, ishin, dhe mbeten, edhe pas një mijë vjetësh, frymëzues të dialogut të frytshën, të harmonisë e të takimit ndërmjet Kishave, shteteve e popujve”.  

Bekimi i Papës

Në përfundim të takimit, bekimi:

“Zoti e bekoftë Bullgarinë, e ruajtë paqësore e mikpritëse, i dhashtë begati e lumturi. Bëftë që kjo tokë, e kufizuar nga lumi i madh i Danubit dhe nga brigjet e Detit të Zi, e bërë pjellore përmes punës së përvuajtur të breznive, e hapur për shkëmbimet kulturore e tregtare, e integruar në Bashkimin Evropian e me lidhje të shëndosha me Rusinë e Turqinë, t’u ofrojë bijve të saj një ardhmëri plot me shpresë!”.

05 maj 2019, 12:40