Kërko

 Papa lutet para figures të Zojës së Nesebar Papa lutet para figures të Zojës së Nesebar 

Françesku i lutet Zojës së Nesebar: Bullgaria qoftë tokë takimi!

“Krishti jeton” dhe është pranë secilit, për t’i dhënë forcë e shpresë. Këto fjalë të Papës, para lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në Sheshin e madh Shën Aleksander Nevskij, janë inkurajim për një popull të pasur me barinj shenjtorë e me histori të gjatë ekumenizmi.

R.SH. - Vatikan

“Regina Coeli, laetare, alleluja!”. Lutja mariane u lartua nga sheshi i madh Shën Aleksandër Nevskij i Sofjes, përballë ikonës më të dashur për këtë tokë, figures  të Zojës së Nesebarit, rrethuar nga mijëra besimtarë, të cilëve Papa u kujtoi, para lutjes, etapat kryesore të kësaj paraditeje në Sofje:

“Jemi pranë kishës së lashtë të Shën Sofisë e edhe pranë Kishës patriarkale të Shën Aleksandër Nevskijt, ku u luta pak më parë, në kujtim të Shën Çirilit e Metodit, ungjillëzues të popujve sllavë. Me dëshirën që t’i shpreh nderimin e dashurinë time kësaj Kishe të nderuar, Kishës ortodokse të Bullgarisë, pata edhe gëzimin të përshëndes e të përqafoj, pak më parë, sivëllain tim, Shenjtërinë e tij, Neofit, ashtu si dhe Metropolitin e Sinodit të Shenjtë”.

Krishti jeton e të do të gjallë

“Krishti u ngjall!”- “Vërtetë u ngjall!”: këto fjalë, me të cilat që nga kohët e lashta të krishterët-ortodoksë e katolikë, në trojet e Bullgarisë shkëmbejnë urimet në Kohën e Pashkëve – i shqiptoi të parat Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në Sheshin Shën Aleksandër Nevskij, pikërisht aty, ku Gjon Pali II, në vitin 2002 u prit nga Autoritetet e nga Patriku Maxim e ku pati drejtuar edhe përshëndetjen e parë, në shenjë paqeje.

Shprehin, kështu - kujtoi Papa - gëzimin e madh të fitores së Jezusit mbi të keqen e mbi vdekjen - gjë që dëshmon zemrën e fesë sonë: “Krishti jeton!”. Prandaj fjalët e para që dua t’i drejtoj  secilit - kujtoi Françesku - janë:

“Ai jeton e të do të gjallë! Ai është në ty. Është me ty e nuk të braktis kurrë. Sado të largohesh, do ta kesh pranë të Ngjallurin. Ai të thërret. Ai të pret për të rifilluar. Edhe kur të të lërë këmba e dora,  do ta kesh pranë, për të të dhënë forcë e shpresë” (Christus vivit, 1-2)”.

Në vijim Françesku kujtoi se kjo fe në Krishtin shpallet që prej dymijë vjetësh në të katër anët e tokës, përmes misionit fisnik të shumë besimtarëve, të thirrur për t’ua dhënë të gjithëve lajmin ungjillor, pa e mbajtur vetëm për vete.

Nga Bullgaria, intuita ekumenike e Gjobit XXIII

Duke kujtuar edhe përhapjen e këtij Lajmi, Papa u ndalua posaçërisht në Bullgarinë, që pati barinj të dalluar për shenjtërinë e jetës.  Ndërmjet tyre - kujtoi Françesku - më pëlqen të kujtoj paraardhësin tim, që ju e quani ‘shenjti bullgar’, Shën Gjonin XXIII, shenjt bari, kujtimi i të cilit është posaçërisht i gjallë në këto troje, ku ai jetoi ndërmjet viteve 1925 -1934:

“Këtu mësoi të çmojë traditën e Kishës Lindore, duke krijuar lidhje miqësie me konfesionet e tjera fetare. Përvoja e tij diplomatike e baritore në Bullgari, la një gjurmë aq të fortë në zemrën e tij baritore, sa ta shtynte të favorizonte në Kishë perspektivën e dialogut ekumenik, që pati ndikim të ndjeshëm mbi Koncilin II të Vatikanit, të dëshiruar pikërisht nga Papa Roncalli. Në një farë mënyre duhet ta falënderojmë këtë tokë për intuitën e urtë e frymëzuese të ‘Papës së Mirë’”.

Të adoptohet kultura e dialogut

Duke ecur mbi këto gjurmë në udhë ekumenike, Papa kujtoi se nesër do të takohet me Konfesionet fetare të Bullgarisë, të cilën, ndonëse vend ortodoks, e quajti udhëkryq i shprehjeve të ndryshme fetare. Kujtoi edhe dy Kishat aty pranë, atë të Shën Sofisë dhe atë patriarkale të Shën Aleksandër Nevskijt, ku u lut në kujtim të Shën Çirilit e Metodit, ungjillëzues të popujve sllavë, si dhe përqafimin, pak më përpara, me patriarkun Neofit dhe Metropolitët e Sinodit të Shenjtë.

Lutja drejtuar Marisë

Më pas, lutja drejtuar Marisë, Mbretëreshë e qiellit dhe e dheut, që të ndërmjetësojë pranë Zotit të ngjallur për t’i dhuruar kësaj toke të dashur   hirin të jetë tokë takimi në të cilën, përtej ndryshimeve kulturore, fetare ose etnike, të gjithë të mund të vijojnë të njihen e të nderohen si bij të të njëjtit Atë.

Në përfundim, fjalët prekëse, me ngjyrime të thella dashurie vëllazërore:

“Thirrja jonë shprehet me lutjen e lashtë të Mbretëreshës Qiellore. Lutemi këtu, në Sofje, para ikonës së Zojës së Nesebarit, që do të thotë ‘Porta e Qiellit’, tejet e dashur për paraardhësin tim, Shën Gjonin XXIII,  që nisi ta nderojë këtu, në Bullgari dhe e pati me vete deri në fund të jetës”.

Në përfundim, kënga Mbretëresha qiellore u lartua drejt qiellit në kor, nga Sheshi, zemër e Sofjes. Pastaj në tribunë, përbri Papës, u ngjitën dhjetë përfaqësues të konfesioneve të ndryshme fetare të Bullgarisë, për t’i shtrënguar dorën Mikut të dashur! Kjo ishte edhe pamja e fundit, para se Françesku të largohej nga Sheshi e të kthehej, me makinë, në Nunciaturë,  për të drekuar privatisht.

05 maj 2019, 13:41