Cerca

Vatican News
 Papa takohet me Federatën  Evropiane të Bankave Ushiqimore Papa takohet me Federatën Evropiane të Bankave Ushiqimore   (Vatican Media)

Papa Françesku: shpërdorimi është shprehja më çnjerëzore e hedhurinës

Papa u takua sot me Federatën Evropiane të Bankave Ushqimore, me rastin e 30-vjetorit të themelimit: “T’i sigurosh bukën, atij që ka uri, nuk është asistencializëm, por shoqërim drejt udhës së shpërblimit”- u kujtoi.

R. SH. - Vatikan

Papa i falënderoi anëtarët vullnetarë të Food Bank të Evropës, të cilët i priti sot paradite në audiencë, plot me admirim për punën e vazhdueshme prej 30 vjetësh, gjest konkret në ndihmë të më nevojtarëve. Është fjala për një angazhim - nënvizoi Papa - të ngritur me mençuri, që të rikujton “Rrënjët solidare të Evropës”.

Ka rëndësi që e mira të bëhet për së mbari. Kështu duhet, sepse nuk mund të jetë improvizim. Kërkon urti, planifikim, vazhdimësi. Ka nevojë për një vizion të përbashkët. Ngaqë është vështirë të bësh mirë, pa u dashur mirë:

“Është gjë e bukur të shikosh gjuhë, besojma, tradita e drejtime të ndryshme, të mbledhura së bashku jo për të mbrojtur secili interesat e veta, por për të mbrojtur dinjitetin e të tjerëve”.

Kjo që bëni, pa fjalë të tepërta, shndërrohet në mesazh: e ardhmja nuk mund të ndërtohet duke kërkuar përfitime vetëm për vete; progresi i të gjithëve rritet duke shoqëruar atë, që mbetet mbrapa:

“Merreni atë, që shkon në rrethin veskeq të shpërdorimit e vëreni në rrethin virtuoz të mirëpërdorimit! Bëni pakëz si pemët, që thithin ajrin e prishur e kthejnë oksigjenin”.

Shpërdorimi, ashtu si hedhurina, është refuzim i tjetrit - theksoi Papa- pa harruar të japë përgjigje edhe për atë, që duhet bërë.

Çfarë duhet bërë?

Përballë një ekonomie, e cila në vend që t’i shërbejë njeriut, e skllavëron, duke përdorur mekanizma financiare përherë më larg nga jeta reale e gjithnjë më të vëshira për t’u qeverisur, Françesku propozon një udhë konkrete e solidare drejt së mirës së përbashkët:

“Duhet të bashkohemi, për të bërë mirë, duke e ditur se e keqja është në botë si në shtëpi të vet. E kështu, me ndihmë të Zotit e me vullnetin e mirë të shumëkujt, realiteti mund të pëmirësohet”.

Duhet ndihmuar ai që dëshiron t’i ndryshojë gjërat për mirë, të favorizojë modele rritjeje, të bazuara mbi barazinë shoqërore, mbi dinjitetin e njerëzve, mbi familjet, mbi ardhmërinë e të rinjve, mbi respektin ndaj ambientit. Ekonomia qarkulluese nuk mund të shtyhet për më vonë. Shpërdorimi nuk mund të jetë më fjala e fundit, e lënë trashëgim nga pak pasanikë, ndërsa pjesa më e madhe e njerëzimit vuan e hesht:

“Është gjithnjë e lehtë të flasësh për të tjerët, vështirë është t’u japësh të tjerëve. Po është pikërisht kjo që vlen”- përfundoi Papa.  

 

 

18 maj 2019, 15:48