Kërko

Papa, popullit të Rumanisë: vij në mesin tuaj, për të ecur së bashku

Videomesazh i Papës Françesku me rastin e udhëtimit të ardhshëm apostolik, nga 31 maj deri më 2 qershor: “Që tani ndjej gëzimin e takimit me Patrikun dhe me Sinodin e përhershëm të Kishës Ortodokse Rumune, si edhe me meshtarët dhe besimtarët katolikë”.

R.SH. - Vatikan

“Vij në Rumani, vend i bukur dhe mikpritës, si shtegtar e si vëlla”. Këto janë fjalët e para të Papës Françesku në videomesazhin për popullin rumun, me të cilin do të takohet gjatë vizitës së tij apostolike nga 31 maji deri më 2 qershor. Duke pasur parasysh se do të përqafojë bashkësinë katolike, por edhe Patrikun e Sinodin e përhershëm të Kishës Ortodokse Rumune, Ati i Shenjtë kujton “lidhjet e fesë” e, në veçanti, “lidhjen që bashkonte Pjetrin me Andreun”, apostullin, që solli krishterimin në këto troje:

“Vëllezër të një gjaku, ata mbetën të tillë edhe kur e derdhën gjakun për Zotin. E, ndërmjet jush, ka shumë martirë, madje, edhe gjatë kohëve të fundit, si shtatë ipeshkvijtë greko-katolikë, që, me gëzim, do t’i shpall të Lum. Gjithçka, për të cilën vuajtën derisa flijuan edhe jetën, është trashëgimi tejet e çmuar, që s’duhet harruar. Është trashëgimi e përbashkët, e cila na bën thirrje të mos distancohemi nga vëllai, që e ndan atë me ne”.

Papa Françesku, duke e këshilluar gjithë popullin rumun të ruajë rrënjët dhe familjen, shpjegon arsyet e shtegtimit në Rumani:

“Vij në mesin tuaj për të ecur së bashku. Ecim së bashku, kur mësojmë t’i ruajmë rrënjët dhe familjen, kur kujdesemi për të ardhmen e bijve dhe të vëllezërve, që kemi pranë, kur shkojmë përtej frikës dhe dyshimit, kur i lëmë të bien barrierat, që na ndajnë nga të tjerët”.

Në përfundim të videomesazhit, Ati i Shenjtë falenderon të gjithë ata, që po përgatisin shtegtimin e tij apostolik dhe siguron lutje për secilin.

29 maj 2019, 11:37