Kërko

Lutja "Ati ynë" shqiptohet në katedralen ortodokse "Shpëtimi i popullit", në Bukuresht Lutja "Ati ynë" shqiptohet në katedralen ortodokse "Shpëtimi i popullit", në Bukuresht 

Papa, në katedralen ortodokse të Bukureshtit: “Atyna” bashkon të krishterët

"O Atë, ndërsa na dhuron bukën e përditshme, na e zgjo mallin për vëllain, nevojën për t’i shërbyer… Të kërkojmë edhe bukën e kujtesës, hirin për t’i përforcuar rrënjët e përbashkëta të identitetit tonë të krishterë": komenti i Papës Françesku për lutjen "Ati ynë", shqiptuar në katedralen ortodokse të Bukureshtit, në latinisht e në rumanisht, alternuar nga tri këngë pashkësh katolike e tri ortodokse.

R.SH. - Vatikan

Pas takimit me Sinodin Rumun, Papa Françesku shkoi në katedralen ortodokse të Bukureshtit, ku katolikët dhe ortodoksët thanë lutjen “Ati ynë”, që ua mësoi dishepujve vetë Jezu Krishti. Ati i Shenjtë nënvizoi se e tha këtë lutje “për udhën e vëllazërimit” të të krishterëve, si edhe që “Rumania të jetë gjithnjë shtëpi për të gjithë, tokë takimi, kopsht, ku lulëzon pajtimi dhe bashkimi”.

Katedralja ortodokse “Shpëtimi i Popullit”

         Katedralja, që do të përfundojë në vitin 2024, ka filluar të ndërtohet më 2018 dhe zë rreth 5 mijë besimtarë. Me një kambanore 120 metra të lartë e me mijëra dritare, sturktura është menduar t’u rezistojë tërmeteve prej 8 ballëshe të shkallës Richter. 70% e fondeve për ndërtimin e saj vijnë nga shteti, të tjerat janë private. Edhe shën Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij, 20 vjet më parë, dhuroi 200 mijë dollarë për ngritjen e katedrales ortodokse, prandaj, përmendet në listën e donatorëve.

Përshëndetja e Papës

Në këtë kornizë, Papa Françesku i përshëndeti të pranishmit, menjëherë pas Patrikut ortodoks Daniel. Ati i Shenjtë përshkoi krejt lutjen “Ati ynë”, duke theksuar se në të “përmblidhet identiteti i bijve… dhe i vëllezërve, që luten përkrah njëri-tjetrit. Lutja e Atynës përmban sigurinë e premtimit, bërë nga Jezusi dishepujve të vet: ‘Nuk do t’ju lë jetimë’”.

Ati ynë…

         Fjala “Atë”, në këtë lutje, vijoi më tej Françesku, nuk mund të kuptohet pa përemrin “ynë”. “Është ftesë – pohoi Papa – që përemri ‘imi’ të shndërohet në ‘yni’ e ky ‘yni’ të bëhet lutje. Na ndihmo, o Atë – u lut Bergoglio – ta marrim seriozisht jetën e vëllait, ta bëjmë tonën historinë e tij”.

…që je në qiell…

         “Ty – vijoi lutja e Papës – që je në qiell, në qiejt që u përkasin të gjithëve… të përgjërohemi për atë pajtim, që nuk kemi ditur ta ruajmë në tokë. Ta kërkojmë, me ndërmjetësimin e shumë vëllezërve dhe motrave në fe, që banojnë në Qiellin tënd të gjithë së bashku, pasi besuan, deshën dhe vuajtën shumë… thjesht për faktin se ishin të krishterë”.

…u shenjtëroftë emri Yt…

         “Si ata – tha Françesku – edhe ne duam ta shenjtërojmë emrin Tënd, duke e vënë në qendër të të gjitha interesave… Në mesin e shumë gjërave kalimtare, pas të cilave gulçojmë më kot, na ndihmo, o Atë, të kërkojmë çka mbetet: praninë Tënde e atë të vëllait”.

…ardhtë Mbretëria Jote…

         “Jemi në pritje që të vijë Mbretëria jote – komentoi më tej Papa lutjen ‘Ati ynë’. – Ndërsa jemi zhytur në një konsumizëm gjithnjë e më të shfrenuar, që na josh me vezullime verbuese, por jetëshkurtër, na ndihmo, o Atë, të besojmë në çka lutemi… Kështu, nuk do ta humbasim nga sytë atë Mbretëri, për të cilën Ti na fton”.

…u bëftë vullnesa Jote…

         “U bëftë vullnesa Jote, jo e jona –ngriti zërin Ati i Shenjtë. – Vullnesa e Zotit është shëlbimi i të gjithëve… Na ndihmo, o Atë, duke na dërguar, ashtu si në Rrëshajë, Shpirtin Shenjt, autorin e guximit dhe të gëzimit, që të na nxisë të kumtojmë Lajmin e Mirë të Ungjillit”.

…bukën tonë të përditshme na e jep sot…

         “Çdo ditë – vërejti Papa, para katolikëve dhe ortodoksëve, të mbledhur në katedralen ‘Shpëtimi i Popullit’ – kemi nevojë për Të, për bukën tonë të përditshme. Ai është buka e jetës, që na bën të ndihemi bij të dashur dhe na e shuan çdo vetmi e bonjakëri… O Atë, ndërsa na dhuron bukën e përditshme, na e zgjo mallin për vëllain, nevojën për t’i shërbyer… Të kërkojmë edhe bukën e kujtesës, hirin për t’i përforcuar rrënjët e përbashkëta të identitetit tonë të krishterë… Buka që të kërkojmë, me historinë e saj të gjatë nga mbjellja deri në lidhjen e kallëzave, nga korrja në tryezë, na frymëzoftë dëshirën për të qenë kultivues plot durim të bashkimit”.

         Papa kujtoi se pikërisht buka e përditshme, për të cilën i lutemi Zotit, u mungon shumë njerëzve, ndërsa të tjerë e kanë me tepri. Prandaj, “Atyna” nuk është lutje e qetë, por britmë e fuqishme kundër “zisë së dashurisë” në kohën tonë, kundër individualizmit dhe indiferencës. Ati i Shenjtë iu lut Zotit t’u japë njerëzve hirin për të shuar urinë e të tjerëve, edhe më parë se të mbushin jashtë mase barkun e vet, sepse mirëqënia, nënvizoi Papa, është e tillë, vetëm nëse është e të gjithëve.

…na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë…

         Sa herë lutemi, kujtoi më pas Françesku, kërkojmë faljen e fajeve. “Duhet guxim, sepse njëkohësisht, impenjohemi t’ua falim të tjerëve borxhet që na kanë”. “Na ndihmo o Atë – u lut Papa – të mos kemi frikë, të mos e shohim hapjen e zemrave si rrezik”.

…mos na ler të biem në tundim, por na liro nga i keqi…

         “E kur i keqi, i strukur para portës së zemrës, do të na nxisë të mbyllemi në vetvete; kur tundimi për t’u izoluar të bëhet më i fortë… na ndihmo akoma, o Atë. Na inkurajo ta gjejmë tek vëllai atë mbështetje, që Ti na e kë vënë përkrah për të ecur drejt Teje e për të pasur së bashku guximin të themi: ‘Ati ynë’”.

         Pas këtij komenti shumë të ndjerë të Papës Françesku, u tha lutja “Ati ynë” në latinisht e në rumanisht, alternuar nga tri këngë pashkësh katolike e tri këngë pashkësh ortodokse. Vizita e Atit të Shenjtë në Bukuresht vijoi me zhvendosjen në katedralen katolike të Shën Jozefit, ku u kremtua mesha, në praninë e relikeve të të Lumit Vladimir Gjika, meshtar e martir me origjinë shqiptare, si edhe të shën Gjon Palit II.

31 maj 2019, 16:29