Papa, Maqedonisë së Veriut: do të vij për të sjellë farët e vëllazërimit

Sot, në Evropë, ndjehet fort nevoja e kulturës së vëllazërimit. Këtë thekson Papa Françesku në videomesazhin drejtuar Maqedonisë së Veriut, të cilën do ta vizitojë më 7 majin e ardhshëm. Vizitë, që ia beson ndërmjetësimit të Shën Nënë Terezës, “Bijë e kësaj toke”.

R. SH. - Vatikan

Përshëndetje, përmes një videomesazhi, për t’u shprehur dashurinë dhe gëzimin njerëzve dhe Kishës të Maqedonisë së Veriut, kur mungojnë vetëm tri ditë nga arritja e tij në Shkup, kryeqytet i vendit. Papa Françesku përmbledh, me pak fjalë, domethënien kryesore të shtegtimit të tij të ardhshëm apostolik në këtë vend, pas dy ditësh, kaluar në Bullgari:

“Sot, më shumë se kurrë, ndjehet nevoja për ta bërë të rritet në Evropë e në mbarë botën, kultura e takimit, kultura e vëllazërimit, e unë do të vij mes jush për t’i mbjellë këto farë, i sigurt se toka juaj është e mirë e do të dijë t’i bëjë të mbijnë e të japin fryte”.

Papa Françesku, më 7 maj, në Shkup. Kishë periferie, e vogël, pot plot gjallëri

Bukuria e tokës suaj - pohon akoma Papa në videomesazh - qëndron në varietetin e kulturave dhe të përkatësive etnike dhe fetare, që jetojnë në të. Për të kujtuar, në vijim, se bashkëjetesa nuk është gjithnjë e lehtë, “ndonëse është lodhje, të cilën ia vlen ta bësh, sepse mozaikët më të bukur janë pikërisht ata, që kanë larmi të madhe ngjyrash”.

Vizitë, nën mbrojtjen e Nënë Terezës

Françesku flet, më pas, për figurën e Shenjtores shqiptare, Nënë Terezës “bijë e tokës suaj”- u kujton maqedonasve. Në Shkup Papa do të vizitojë Memorialin e Rregulltares, ku do të thotë një lutje, në praninë e liderëve të ndryshëm fetarë, për t’u takuar, më pas me të varfërit e Saj. Në videomezazh, Papa thekson se ia beson gjithë vizitën ndërmjetësimit të  Shën Nënë Terezës:

“Nënë Tereza, e lindur dhe e rritur në Shkup, u bë, me hirin e Zotit, misionare guximtare e dashurisë së Krishtit në botë, duke u dhënë ngushëllim e dinjitet më të varfërve ndër të varfër”.

Kështu, ky vlerësim i ri, tejet i lartë për Nënë Terezen, do t’i prijë e do ta përcjellë Papën, gjatë gjithë vizitës, aq të dëshiruar, në atë tokë ku pa dritën së pari Gruaja më e madhe e shekullit XX.

Në përfundim Françesku u kërkon besimtarëve të luten, në përgatitje të arritjes së tij, që vizita, tashmë fare e afërt, të jetë e frytshme, “me paqe e të mira për mbarë popullin e Maqedonisë së Veriut”.

04 maj 2019, 14:06