Lutja e Papës Françesku drejtuar Nënë Terezës, Shkup, Maqedonia e Veriut Lutja e Papës Françesku drejtuar Nënë Terezës, Shkup, Maqedonia e Veriut 

Papa Françesku i lutet Nënë Terezës

Në ditën e sotme të udhëtimit të tij të 29-të apostolik, në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Papa Françesku shkoi në Shtëpinë-Memorial të Nënë Terezës dhe i drejtoi një lutje shenjtes shqiptare të bamirësisë, të cilën po jua propozojmë të plotë më poshtë.

R.SH. - Vatikan

Kujtojmë se Shtëpia përkujtimore është ndërtuar aty ku ngrihet kisha e Zemrës së Krishtit, shkatërruar nga tërmeti i vitit 1963. Pikërisht në atë kishë, që ishte famullia e saj, themeluesja e ardhshme e Motrave të Dashurisë mori pagëzimin, një ditë pas lindjes. Guri i parë u vendos më 9 maj 2008, ndërsa përurimi u bë më 30 janar të vitit të mëpasëm. Ndërtesa, me një stil të veçantë evropian e indian, ka një bazament në gur me të cilin ndërthuren elementë të ndryshëm arkitektonikë, ku spikat një kullë xhami, në faqet e së cilës mbizotëron një kryq i madh, punim në filigranë. Kati i parë është një muze, ku ekspozohen fotografi e objekte të Nënë Terezës si edhe disa relike të saj; në katin e dytë, krejtësisht prej xhami, ndodhet kapela. Shtëpia përkujtimore vizitohet nga rreth 100 mijë vetë në vit.

Papa u prit nga eprorja dhe nga 3 motra të Nënë Terezës. Një fëmijë i dha një tufë me lule, të cilën Ati i Shenjtë e vendosi në shtatoren e shenjtes. Papa shkoi më pas në kapelë, ku ishin mbledhur krerët e bashkësive fetare të vendit si edhe disa kushërinj të Nënë Terezës. Në altar ishin vendosur relikja e shenjtes, disa objekte personale dhe pesë qirinj, që përfaqësojnë 5 bashkësitë fetare të Maqedonisë së Veriut. Këtu, Papa shqiptoi lutjen e falenderimit drejtuar Zotit, që i dha botës Nënë Terezën si dhuratë dhe lutjen drejtuar vetë shenjtes, që të ndërhyjë për të varfërit e për popullin. Ja urata e plotë:

O Zot, Atë i Mëshirës dhe i çdo të mire

të falenderojmë për dhuratën e jetës

dhe të karizmës së shën Nënë Terezës.

Përmes Provanisë tënde të pamasë e thirre

të dëshmojë dashurinë hyjnore

ndër më të varfërit e Indisë e të botës.

Ajo diti të bëjë të mira për më nevojtarët,

sepse pa në çdo burrë e në çdo grua

fytyrën e Birit Tënd.

E butë dhe e përvujtë ndaj dikimit të Shpirtit Tënd,

u kthye në zë lutës i të varfërve

dhe i të gjithë atyre

që kanë uri dhe etje për drejtësi.

Duke e bërë të vetën britmën e Jezusit në kryq,

“Kam etje”,

Nënë Tereza ia shuajti

etjen Jezusit në kryq,

me vepra dashurie të mëshirshme.

Të lutemi ty, o shën Nënë Terezë,

o nëna e të varfërve,

të lutemi për ndërmjetsim të veçantë e për ndihmë,

këtu, në qytetin tënd të lindjes,

ku e kishe shtëpinë.

Këtu more dhuratën e rilindjes

në sakramentet e besimit të krishterë.

Këtu i dëgjove fjalët e para të fesë

në familje dhe në bashkësinë e besimtarëve.

Këtu fillove t’i shohësh

e t’i njohësh njerëzit nevojtarë,

të varfërit e të vegjlit.

Këtu mësove nga prindërit t’i duash

më nevojtarët e t’i ndihmosh.

Këtu, në heshtjen e kishës

dëgjove thirrjen e Jezusit për ta ndjekur

në misione si rregulltare.

E këtu po të lutemi: ndërhy pranë Krishtit

që edhe ne të marrim dhuratë hirin

për të dëgjuar me vëmendje dhe kujdes britmën e të varfërve,

të atyre, që privohen nga çdo e drejtë:

të sëmurët, të mënjanuarit, të fundmit.

Ai i Lumi na dhashtë hirin ta shohim

në sytë e atyre, që na vështrojnë

sepse kanë nevojë për ne.

Na dhashtë një zemër, që di ta dojë Zotin

e pranishëm në çdo burrë e në çdo grua,

që di ta njohë ndër ata

të cilët pësojnë vuajtje dhe padrejtësi.

Na dhashtë hirin të jemi, edhe ne,

shenjë dashurie e shprese në kohën tonë,

që ka kaq nevojtarë, kaq të braktisur,

kaq të harruar e kaq emigrantë.

Bëj që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë,

por të jetë e frytshme dhe e vërtetë,

që të mund të japim

dëshmi të besueshme në Kishë,

e cila e ka për detyrë

t’u predikojë Ungjillin të varfërve,

çlirimin të burgosurve, gëzimin të pikëlluarve,

hirin e shëlbimit, të gjithëve.

O Shën Nënë Tereza lutu për këtë qytet,

për këtë popull, për Kishën e tij

e për të gjithë ata, që duan ta ndjekin Krishtin

si dishepuj të Atij Bariu të Mirë,

duke bërë vepra drejtësie, dashurie,

mëshire, paqeje dhe duke shërbyer,

si Ai, që erdhi jo për t’u shërbyer,

por për të shërbyer e për të dhuruar jetën për shumëkënd,

Krishti, Zoti ynë.

Amen

07 maj 2019, 12:49